1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Sabri Godo: OSBE-ja po i tejkalon kompetencat

Mimoza Cika-Kelmendi13 Shkurt 2006

Në Shqipëri po shtohen zërat nga radhët e politikës që kritikojnë rolin e OSBE-së. Politikani i njohur republikan, Sabri Godo, deklaron se OSBE-ja aktualisht është pak si jashtë kohës

Tirana
TiranaFotografi: AP

Pyetje: Zoti Godo, keni deklaruar se OSBE-ja në Tiranë është bërë e padurueshme dhe se ka marë rolin e guvernatorit, ku e mbështesni këtë vlerësim?

Përgjigje: Do thoja që më tepër ja kanë ofruar këtë rol vetë shqiptarët dhe OSBE-ja nga ana e saj ka vënë vullnetin e vet në këtë punë. Unë mendoj se OSBE-ja aktualisht në Shqipëri ndodhet pak si jashtë kohës. Ajo ka bërë një punë mjaft të mirë në Shqipëri në vitet e turbullta në vitet 97/98. Atëhere kishte dhe arsye, që ajo të ndërhynte në jetën politike të vendit, por tani kemi një shtet të stabilizuar dhe ajo duhet kufizuar brenda statusit të vet, kurse unë shoh që në kohë ata marrin inisiativa dhe ndërhyjnë në gjëra që nuk ju takojnë.

Pyetje: Konkretisht ku bazoheni ju që kjo organizatë i ka kaluar kompetencat?

Përgjigje: Ajo së pari harton një ligj mbi pronat në Shqipëri, që
është një problem i rëndë, një problem i madh dhe më i ndërlikuari dhe këtë pastaj ja ofroi parlamentit. Dhe ishte një ligj i bërë nga zyra pa njohur realitetin, pa ndonjë studim. Dhe kjo më duket një inisiativë që nuk i përket një organizmi si OSBE-ja në Shqipëri duke marrë të drejta eksteritoriale. Rasti i dytë është ai i ligjit mbi zgjedhjet e kaluara, ishte një dështim, ishte një ligj i keq që u bë në OSBE dhe OSBE-ja pastaj u kthye të mbante një qëndrim kritik ndaj procesit zgjedhor. Por procesi nuk mund të ishte i mirë, sa kohë nuk bazohej në një ligj të mirë.

Pyetje: Por pse pikërisht tani zoti Godo ju dolët kaq hapur kundër OSBE-së, kur disa gjëra i takojnë së kaluarës?

Përgjigje: Sepse ndodhemi përsëri para një situate disi analoge. Duhet të rishikohet ligji i zgjedhjeve, duhet të krijohet komisioni partiak që do të vendosë se si do të jetë sistemi elektoral, si do të jetë kodi elektoral dhe unë shoh që partitë kanë filluar përsëri të trokasin në derën e OSBE-së,d.m.th. kemi një përsëritje të së njëjtës histori.

Pyetje: Sipas jush, zoti Godo, kush e ka fajin për këtë pozicion të OSBE-së dhe si mund të zgjidhet?

Përgjigje: Unë mendoj se ky është një problem i qendrës së OSBE-së. Pra ata duhet t'a rishikojnë këtë dhe t'a vënë në përmasat e duhura misionin e OSBE-së në Shqipëri, mision të cilën unë e kam respektuar në kohën e duhur, por them tani se është momenti që ky të reduktohet dhe të qëndrojë brenda limiteve të veta.