1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Sali Berisha: Rajoni ka bërë progres, por ende ka çështje madhore për t'u zgjidhur

7 Mars 2006

Në tryezën e çështjeve të sigurisë në Tiranë u diskutua mbi statusin final të Kosovës dhe referendumin në Malin e Zi, dy çështje që presin të zgjidhen në rajon

Fotografi: dpa

Tryeza për çështjet e sigurisë, mbajtur në Tiranë, nuk u fokusua vetëm në zhvillimet brenda Shqipërisë në këtë aspekt, por u shtri dhe më gjerë në rajonin tonë.
Kryeministri, Sali Berisha mes të tjerash theksoi, se "megjithë progresin e madh që rajoni yne ka bërë vitet e fundit, frymën e bashkëpunimit që ekziston midis vendeve, sërish mbeten probleme madhore për t'u zgjidhur". Berisha përmendi statusin final të Kosovës dhe çështjen e referendumit të Malit të Zi.

Shqipëria ka mbajtur dhe mban një qëndrim realist për zgjidhjen e çështjes së statusit final të Kosovës, i cili duhet të garantojë respekt të plotë të lirive dhe të drejtave të serbëve dhe minoriteteve të tjera në Kosovë, kthimin e të shpërngulurve, zbatimin efektiv të decentralizimit të bazuar në Kartën Europiane të Autonomisë Lokale e Rajonale, u shpreh Berisha.
Ndërsa dialogu konstruktiv midis Prishtinës dhe Beogradit, do të hapnin një kapitull të ri bashkëpunimi midis këtyre dy vendeve dhe padiskutim respektimin e vullnetit të qytetarëve të Kosovës për pavarësi- vuri në dukje kryeministri i Shqipërisë.

Sipas tij pavarësia e Kosovës do të shërbejë si një faktor madhor stabilitieti për vetë Kosovën në radhë të parë, që ka nevojë për zhvillim, ka nevojë për investime, për progres në mënyrë që të ketë stabilitet e paqe për qytetarët e saj brenda vendit.
"Por kjo pavarësi është e rëndësishme për forcimin e stabilitetit në Shqipëri, Maqedoni e Mal të Zi, për faktin se jep përgjigje përfundimtare fluiditetit të faktorit shqiptar në Ballkan", deklaroi Berisha duke shtuar se "pavarësia e Kosovës do të shërbejë për forcimin dhe stabilitetin e Serbisë dhe Malit të Zi, kjo sepse do të ndihmojë Serbinë të shkëputet nga e shkuara e saj dhe së bashku me kombet e vendet e tjera të shohë të ardhmen në BE dhe NATO".

Sa i takon mbajtjes së referendumit për pavarësi në Malin e Zi, kryeministri Sali Berisha shprehu bindjen se ky referendum "është një e drejtë legjitime kushtetuese e qytetarëve të këtij vendi. Në këtë kontekst rëndësi, ka zhvillimi i tij në përputhje me standartet ndërkombëtare të proceseve elektorale të lira e të ndershme. Cilido që të jetë rezultati i këtij referendumi është e sigurtë se zhvillimi i tij e bën rajonin më stabël më të qetë".