Sali Berisha u rizgjodh kryetar i PD, forcës politike në pushtet.
15 Dhjetor 2009Vetëm pesë vota kundër dhe pesë abstenime nga 1218 votat e vlefshme të delegatëve të këtij kuvendi bëjnë një shumicë dërmuese, që rikonfirmoi Sali Berishën, kryetar të Partisë Demokratike, forcës politike, që qeveris Shqipërinë. Ky rezultat duket se është tregues se PD 19 vjet pas krijimit të saj si një front antikomunist, sot paraqitet e koaguluar, e ngjeshur rreth liderit të saj, Berishës.
Eduard Zaloshnja analist i pavarur i Tiranës thotë se kjo situatë është e ndryshme nga ajo në Kuvendin e parë të PD, atij të mbajtur në Dhjetor 1990.
"Sot PD është e zotëruar krejtësisht nga Berisha. Në fillimet e veta në PD kishte rryma ,që konkurronin, konkurrenca ishte reale, kishte garë. Më pas, në të gjitha Kuvendet Kombëtare, që pasuan të parin, nuk ka patur garë", thotë ai.
Mungesa e garës është pasoja më e dukshme e zotërimit të një partie politike nga një lider i fortë. Pasojë pozitive e një situate të tillë është një vendimmarrje më efikase dhe zvogëlimi i përplasjeve brenda partisë. Por kjo gjithsesi nuk shmang dot rrezikun e mungesës së kritikës brenda saj për gabime të mundshme, që mund bëjë një lider i fortë. Zoti Zaloshnja përmend si gabim të Berishës firmat piramidale, që gjeneruan trazirat dhe shthurrrjen e shtetit në pranverën e vitit 1997, gabim që nuk iu kap me kohe pikerisht nga mungesa e frymës së fortë kritike brenda PD-së.
Aleksandër Çipa, analist, kryeredaktor i së përditshmes më të madhe të Tiranës, gazetës "SHQIP" thotë se zotërimi i partisë nga një lider i fortë cënon demokracinë e brendshme në parti.
"Në PD gjendja e demokracisë mbetet kritike, por pa kritikë. Këtu kam parasysh mundësinë e shprehjes së lirë brenda forumeve të partisë, shprehjes së oponentëve të Berishës. E vetmja shpresë për lindjen e kritikës në adresë te kryetarit të partisë dhe natyrisht për të rivendosur demokracinë në parti mbeten kritikat për qeverisjen. Deri në një të ardhme të papërcaktuar Zoti Berisha do të mbetet kontrolluesi autoritar i Partisë Demokratike", thotë Zoti Çipa.
Por kontrolli autoritar nga lideri i fortë në Shqipëri nuk ndodh vetëm në PD. Një situatë e ngjashme shfaqet edhe tek partia më e madhe opozitës, PS. Eduard Zaloshnja thotë se kjo është pasojë e përvojës jo të gjatë dhe të varfër demokratike, që ka Shqipëria.
"Brenda partive nuk është krijuar kultura e garës. Pluralizmi politik krijoi mundësi për të garuar partitë. Kjo filloi që në vitin 1991dhe vazhdon edhe sot. Por brenda per brenda partive nuk është krijuar kultura e garës dher e respektimit të rivalit."
Edhe në PS nuk ka shumë demokraci, nuk ka garë të mirëfilltë alternativash. Edi Rama është bërë lider i gjithëfuqishënm i saj", thekson Eduard Zaloshnja.
Me dy liderët autoritarë të dy forcave kryesore politike Shqipëria ndodhet aktualisht në një situatë konfliktuale të skajshme. Opozita ndodhet jashtë parlamentit, pasi pretendon se janë vjedhur votat në zgjedhjet parlamentare të 28 qershorit dhe përmes protestash kërkon hapjen e kutive të votimit në disa qarqe, ku sipas saj kjo ka ndodhur. Maxhoranca ka ashpërsuar në ekstrem stigmatizimin e opozitës, si të lidhur me mafian e ndërtimit dhe afera të paligjshme. Kjo situatë duket se nuk përputhet me atë që niveli i sotëm i shoqërisë shqiptare kërkon nga politika.
"Shoqëria kërkon përshpejtimin e kalendarit të integrimit europian të Shqipërisë. Shoqëria kërkon arritjen e standarteve të kërkuara nga institucionet ndërkombëtare. Politika ka mbetur prapa nivelit të shoqërisë", thotë Aleksandër Çipa.
Autor. Ani Ruci
Redaktoi: Angjelina Verbica