Salih Mustafa dënohet me 26 vjet burg për krime lufte
16 Dhjetor 2022Ish-komandanti i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Salih Mustafa, u dënua nga Gjykata Speciale me seli në Hagë, me 26 vjet burgim për vrasje të paligjshme, ndalim arbitrar dhe torture ndaj shqiptarëve. Salih Mustafa u shpall fajtor për krime lufte në kompleksin në Zllash në vitin 1999.
"Ju shpall fajtor për torturë si krim lufte, ndalim arbitrar si krim lufte, vrasje si krim lufte. Duke qenë se jeni shpallur fajtor për më shumë se një vepër, trupi gjykues ka përcaktuar dënim me 10 vjet burgim për krimin së ndalimit arbitrar, dënim me 22 vjet burgim për torturë, 25 vjet burgim për vrasje të paligjshme. Trupi gjykues ju dënon me vendim të njësuar me 26 vjet burgim”, tha kryetarja e trupit gjykues, Mappie Veldt-Foglia, duke shtuar se krimet janë kryer ndaj shqiptarëve.
Kryetarja e trupit gjykues, Mappie Veldt-Foglia, tha se "trupi gjykues ka marrë për bazë dëshmitë e dëshmitarëve të Zyrës së Prokurorit të Specializuar, pasi kanë qenë të besueshme, u konfirmuan nga prova të tjera dhe se ishin të qarta dhe koherente, përshkrimet ishin të gjalla dhe të rrëfyera me emocion”.
Vendimi i parë i Gjykatës Speciale për krime
Vendimi i sotëm i Gjykatës Speciale, njëherësh është aktvendimi i parë i këtij institucioni lidhur me hetimet për krime lufte në Kosovë. Në Gjykatën e Speciale në Hagë tash e dy vjet po mbahen të akuzuar për krime lufte, ish-kreu i Partisë Demokratike të Kosovës, Kadri Veseli, ish-anëtari i Shtabit të Përgjithshëm të UÇK-së, Rexhep Selimi, ish-zëdhënësi i UÇK-së, Jakup Krasniqi dhe ish-pjesëtari tjetër i UÇK-së, Pjetër Shala. Sipas prokurorisë së Dhomave të Specializuara, Thaçi, Veseli, Krasniqi, Selimi, dhe Shala, dyshohen për veprat penale që kanë të bëjnë me krime lufte: ndalim të paligjshëm ose arbitrar, trajtim mizor, torturë dhe vrasje të paligjshme dhe krime kundër njerëzimit - burgosje, akte të tjera çnjerëzore, zhdukje me forcë të personave dhe përndjekje, të cilat, sipas Dhomave të Specializuara, janë kryer ndërmjet marsit të vitit 1998 dhe shtatorit 1999. Që të gjithë janë deklaruar të pafajshëm për akuzat që rëndojnë mbi ta.
Së shpejti fillon gjykimi edhe për të akuzuarit e tjerë
Kryetarja e Gjykatës Speciale të Kosovës, me seli në Hagë, Ekaterina Trendafilova, gjatë një vizite muaj më parë në Kosovë, pati thënë se në fund të këtij viti, apo në fillim të vitit të ardhshëm, pret të nisë gjyqi ndaj ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.
Gjykata Speciale heton krimet e pretenduara të anëtarëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, kundër pakicave etnike dhe rivalëve politikë në periudhën janar 1998 deri në dhjetor 2000. Ligji për themelimin e Gjykatës Speciale është miratuar në Kuvendin e Kosovës, funksionon sipas ligjeve të Kosovës, por selinë e ka në Hagë të Holandës.