1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Samiti i krizës: Me masat e reja lehtësohet barra e krizës në eurozonë

21 Korrik 2011

Samiti i BE-së arriti një sukses të konsiderueshëm të enjten. Përmes ofrimit të interesit më të ulët bankar si edhe zgjatjes së afatit të kredive emergjente, shtetet e eurozonës mënjanojnë një krizë më të rrezikshme.

Kancelarja Merkel dule folur para gazetarëve në Bruksel. (21.07)Fotografi: picture alliance/dpa

Ndryshim strategjie në Bruksel. Pas javësh debati përfaqësues nga BE dhe eurozona nuk e cilësojnë më si tabu ristrukturimin e borxheve greke, në rast falimentimi. Ky hap do ta lehtësonte Greqinë, por sjell me vete rrezikun e turbulencave në tregjet financiare. Gjithashtu vendet e eurozonës janë gati t'i lehtësojnë shtetet në krizë në këtë zonë përmes kredive emergjente. Kështu thuhet në vendimet përfundimtare të samitit të posaçëm të BE-së për krizën e borxheve në Bruksel, gati për publikim. Sipas saj, Greqia, Irlanda, Portugalia do të marrin kredi në nevojë me norma të ulëta interesi, nga 4,5 në 3,5%. Këtyre vendeve do t'iu zgjatet edhe afati i shlyerjes së kredive në 15 vjet.

Ndërkohë për shpëtimin e Greqisë, vendet e eurozonës po shkojnë drejt një pakete të re ndihme me pjesëmarrjen për herë të parë të bankave dhe siguracioneve. Gjermania ka arritur të fusë në projektin e paketës 120 miliardëshe linjën e kërkuar prej saj, u shprehën diplomatët në Bruksel.

Berlusconi shkon në samitin e krizës me një mal me borxheFotografi: picture alliance/dpa

Berlini: Nuk duhen rënduar taksapaguesit

Berlini kërkoi që paketat e ardhshme të shpëtimit të mos rëndojnë më mbi taksapaguesit, por në to të përfshihen kreditorë privatë. Diskutohet edhe varianti i përfshirjes së investorëve privatë në shpëtimin e Greqisë, por ky shihet me sy kritik nga agjencitë e vlerësimit financiar, sepse ato e kategorizojnë një rats të tillë një "selective default" praktikisht falimentim, një pamundësi për likuiditet gjë që do të kishte pasoja të pakalkulueshme në tregjet financiare. Por shtetet e eurozonës, me sa duket janë të gatshëm të marrin përsipër një risk të tillë.

Presidenti francez, Sarkozy në samitFotografi: picture alliance/dpa

Holanda dhe Franca duan më shumë përfshirje të privatit

Kancelarja gjermane, Angela Merkel u shpreh optimiste, se pas ujdisë me Francën do të arrihet dakord për një paketë të re shpëtimi. Por Finlanda dhe Holanda kërkojnë më shumë përfshirje të sektorit privat në paketën e shpëtimit. Greqia ka nevojë për 120 miliardë euro në dy vitet e ardhshme për të mos falimentuar.

Fondi i krizës për shpëtimin e shteteve të eurozonës në krizë, do të përdoret për blerjen e borxheve shtetërore, gjë që Gjermania e kishte kritikuar më parë. Fondi i krizës u krijua për të ndihmuar në rast nevoje shtetet e eurozonës në rrezik falimentimi, si Irlanda dhe Portugalia si edhe për të penguar përhapjen e krizës në vende si Italia e Spanja.

Autor: afp,dpa/Lindita Arapi

Redaktoi: Vilma Filaj-Ballvora

Kaloje seksionin tjetër Zbulo më shumë