Samiti për qartësi rreth kaosit me karburantin e ri E-10
9 Mars 2011
Përpara Ministrisë së Ekonomisë në Berlin, ku disa ministra u takuan në një takim krize me përfaqësues të industrisë së vajrave minerale dhe asaj të automobilëve, me përfaqësues të konsumatorëve dhe të shoqatave të fshatarëve, një grup i vogël aktivistësh të Greenpeace kërkonin në një pankartë të madhe "Ndaloni E10". Ata shqetësohen për ushqimin në botë dhe për natyrën, kur sipërfaqe gjithnjë e më të mëdha mbillen me bimë energjitike. Miliona automobilistëve në Gjermani kjo u intereson fare pak: ata thjesht e bojkotojnë llojin e ri të benzinës E 10, e cila përmban 10 përqind etanol biologjik, sepse druhen se mund të dëmtojë motorët e automjeteve të tyre. Kundër këtyre rezervave, qeveria, ekonomia dhe shoqatat duan të luftojnë tani me një ofensivë informative në stacionet e furnizimit me karburant: "Ne jemi të bindur se stacionet e furnizimit me karburant janë vendi, në të cilin konsumatori duhet të ketë qartësi, ta fitojë këtë përmes listave të besueshme, të cilat i kanë prodhuesit e automobilëve."
Benzina e re duhet t'i kontribuojë mjedisit
Futja e llojeve të reja të benzinës duhet të kontribuojë që deri në vitin 2020 pjesa e energjive të ripërtëritshme në sektorin e transportit të shtohet në 10 përqind. Për këtë kanë formuluar detyrim të gjitha shtetet e BE. Si do të zbatojnë këtë veç e veç, kjo mbetet të shihet. Në Gjermani, ekonomia dhe qeveria shpresojnë që benzina E10 të bëhet lloji i preferuar pë shoferët e automjeteve dhe ta zëvendësojë benzinën që shitet deri tani të tipit super, me vetëm 5 përqind bioetanol. Prandaj shumica e stacioneve të furnizimit me karburant e shesin E10-ën më lirë. Por midis gjermanëve qarkullon frika se "fëmisë së tyre më të dashur" mund të mos i bëjë mirë karburanti i ri dhe në rast dëmtimi të motorit përgjegjësinë nuk do ta mbante askush. Holger Krawinkel, ekspert për energjinë i Shoqatës Gjermane për Mbrojtjen e Konsumatorëve, deklaroi para takimit të qeverisë dhe ekonomisë: "Ajo për të cilën ka nevojë konsumatori nuk është kërkimi i gjatë në internet ose në një pompë benzine, por ai ka nevojë për një letër në shtëpinë e tij, për shembull nga Zyra Federale shembull nga Zyra Federale e Automobilistëve, në të cilën të jetë shkruar: "Automjetit tim nuk i bën dëm E10. Dhe nëse kundër asaj që pritet të ketë dëme, kjo letër është një lloj garancie. Ai mund të shkojë te prodhuesi dhe ta riparojë."
Autor: Bernd Grässler/Auron Dodi
Redaktoi: Bahri Cani