Sant'Egidio: Takimi ndërkombëtar i paqes 2015 zhvillohet në Tiranë
10 Shtator 2014Shqipëria është një shembull pozitiv për bashkëjetesën mes të krishterëve dhe myslimanëve dhe ndodhet në një rrugë të mirë drejt Bashkimit Europian, theksohet në argumentimin e këtij vendimi. Takimi i paqës në Anvers të Belgjikës u mbyll me thirrjen për dialog si mjet për t'iu kundërvënë terrorizmit me motive fetare. Dialogu «është balsam për konfliktet, shëron plagët dhe mundëson të ardhmen», thuhet në apelin e përfaqësuesve shpirtërorë të pranishëm në takim. Vrasja në emër të Zotit është blasfemi. «Verbëruar prej urrejtjes njeriu largohet prej religjonit të mirëfilltë duke shkatërruar pikërisht religjonin, të cilin pretendon se po e mbron», theksohet më tej.
Religjoni ofron mundësinë, «për t'i dhënë zemër dhe shpirt kërkimit të paqës si fati i përbashkët i të gjithë popujve», nënvizohet në apelin e konferencës.
Që nga dita e dielë (07.09) rreth 300 përfaqësues të nivelit të lartë nga kisha, politika dhe shoqëria ishin të pranishëm në takimin me temë «Paqja është e ardhmja - religjonet dhe kulturat në dialog njëqind vjet pas Luftës së Parë Botërore». Në mbi 25 veprimtari të ndryshme gjatë takimit u mblodhën së bashku rreth 7.000 vetë, ndër ta 2.500 të rinj. Takimi ndërkombëtar i paqës i bashkësisë Sant'Egidio zhvillohet çdo vit në qytete të ndryshme.
Bashkëisa e besimtarëve katolikë Sant'Egidio, e themeluar 46 vjet më parë përmes aktiviteteve humanitare dhe angazhimit vullnetar në shërbim të njerëzve në nevojë, i kushton vëmendje të veçantë angazhimit për paqë. Ky angazhim ka për qëllim mbrojtjen e paqës atje, ku ajo kërcënohet, ndihmën për rivendosjen e paqës dhe nxitjen e dialogut atje, ku ai është ndërprerë. Në këtë frymë bashkësia e Sant'Egidio - aktive prej gati 20 vjetësh edhe në Shqipëri - është në shërbim të dialogut ikumenik dhe ndërfetar. Që nga viti 1987 Sant'Egidio angazhohet në nivel ndërkombëtar për paqën duke organizuar takime, konferenca dhe shërbesa fetare në të ashtuquajturën "fryma e Assisit".