Scheffer në Kosovë: Dhuna është e papranueshme
15 Shkurt 2007
Sekretari i përgjithshëm i NATO-s, Jaap de Hoop Scheffer do të përcjellë në Prishtinë, mesazhin e aleancës veriatlantike se, dhuna në Kosovë është e papranueshme për NATO-on. Këtë mesazh sekretari i përgjithshëm i NATO-os, i përcjellë anëtarëve të grupit negociator të Kosovës, me të cilët zhvilloi një takim me dyer të mbyllura në Prishtinë.
Një ditë para se të vijë në Kosovë, Jaap de Hoop Scheffer, duke ju referuar protestave të dhunshme të së shtunës në Kosovë ku humbën jetën dy persona, deklaroi se çdo formë e demonstratave të dhunshme është e pa pranueshme për NATO-on, dhe paralajmëroi se demonstata të tilla kërcënojnë seriozoisht procesin e përcaktimit të statusit të Kosovës.
Numri një i NATO-s, është shprehur qartë se askush në rrugët e Prishtinës apo të Beogradit nuk guxon të mashtrojë veten se me dhunë mund të ndihmojë zgjidhjen e këtij procesi. Për të dyja palët është me interes që propozimet e Marti Ahtisaarit t'i marrin seriozisht, ka thënë Scheffer. Këtë mesazh, sekretari i përgjithshëm i NATO-s, do t'ua përcjellë edhe serbëve të Kosovës, gjatë një vizite që do të realizojë në veri të Mitrovicës sot pasdite.
Jaap de Hoop Scheffer, në veri do të takojë kryetarët serb të komunave veriore të Kosovës. Këta të fundit më herët janë shprehur kundër planit të ndërmjetësit ndërkombëtar Marti Ahtisari, madje nuk pranuan as ta takojnë atë. Përfaqësuesit e serbëve të veriut të Kosovës janë deklaruar se në rast se parlamenti i Kosovës shpall në mënyrë të njëanshme pavarësinë, atëherë serbët e veriut do të deklarohen për ndarje.
Pikërisht për këtë thuhet se sekretari i përgjithshëm i NATO-s, do të takojë kryetarët e komunave veriore serbe të Kosovës për t'u shprehur qëndrimin se bashkësia ndërkombëtare nuk pranon kurrfarë ndarje të territorit të Kosovës, e shprehur qartë edhe nga vendet anëtare të grupit të kontaktit.