1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Deputetët gjermanë: Krijoni sa më parë institucionet e reja

Bekim Shehu
19 Dhjetor 2019

Thirrjen e dy deputetëve gjermanë për krijimin e institucioneve të Kosovës, e fuqizoi edhe thirrja e ngjashme nga zyra e BE-së në Kosovë dhe ambasada e SHBA-së.

Kosovo Parlament
Fotografi: DW/B. Shehu

Dy deputetët gjermanë Peter Beyer dhe Christian Schmidt u kërkuan udhëheqësve politik kosovar që të krijojnë sa më shpejt institucionet e Kosovës, duke theksuar se kjo javë është vendimtare për krijimin e qeverisë. Dy deputetët gjermanë qendruan (19.12) në Kosovë, ku takuan liderin e Vetëvendosjes Albin Kurti, kryetarin e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Isa Mustafa dhe nënkryetaren e LDK-së Vjosa Osmanin. Ata thanë, se nuk kanë ndërhyrë në negociatat që po zhvillohen për koalicion qeverisës ndërmjet Vetëvendosjes dhe LDK-së: "Nuk jemi këtu për të zhvilluar negociata për koalicionin e ardhshëm, por jemi takuar me Isa Mustafën, Vjosa Osmanin e Albin Kurtin. Për ne është jashtëzakonisht në interes ta bëjmë të qartë se zhvillimi i Kosovës dhe perspektiva evropiane e Kosovës janë me rëndësi. Ne do ta informojmë edhe kancelaren Merkel për zhvillimet në Kosovë, sepse ajo është e interesuar çfarë po ndodh këtu”, tha deputeti Christian Schmidt.

"Nuk është e thënë të krijohet një martesë dashurie. Për ta ilustruar këtë, një president federal gjerman kur e patën pyetur nëse e don vendin, ai ka thënë se e dashuron gruan e vet. Për një koalicion të mirëfilltë ekziston një rregull i artë. Në qoftë se bisedimet për koalicione janë në vazhdim e sipër, rregulli është telefoni, jo mikrofoni dhe mediet. Nuk duhet folur derisa ta shohim tymin e bardhë”, tha Christian Schmidt, duke cituar një fjali të ish-kancelarit gjerman Helmut Kohl.

"Në politikë duhet të ketë mirëbesim dhe përgjegjësi”.

Edhe deputeti tjetër gjerman Peter Beyer, tha se në Kosovë duhen negociata me mirëbesim dhe të suksesshme për të arritur qëllimin final, krijimin e qeverisë.

"Të gjithë politikanët e kuptojnë rëndësinë e përgjegjësisë që kanë pas zgjedhjeve, për të themeluar qeveri stabile. Ata e dinë që koha po mbaron prandaj duhen gjithsesi negociata të suksesshme. Ne nuk duam të ndërhyjmë në këto negociata, sepse nuk është në mandatin tonë, por kemi ardhur për t'i dëgjuar dhe ndarë disa porosi. Negociatat për koalicion nuk duhet të humbin në detaje teknike. Ndjemë se ka vullnet politik për ta formuar qeverinë për të mirën e qytetarëve. Asnjëri nuk duhet të mundohet ta dobësojë tjetrin, por të ketë qasje profesionale”, tha Peter Beyer.

Deputeti tjetër Christian Schmidt foli edhe për persketiven evropiane të Kosovës. Sipas tij, nëse në Kosovë vazhdon të flitet për shkëmbime territorial, atëherë rruga e Kosovës drejt BE-së nuk do të jetë e lehtë.

"Rrugën e Kosovës drejt të BE nuk e shohim të lehtë nëse flitet për shkëmbime territorial, sepse kjo është e rrezikshme. Po ashtu në procesin e integrimeve, Kosova dhe Shqipëria trajtohen të ndara, ndërsa, të gjitha idetë e tjera nuk çojnë në cakun final”, tha Schmidt.

Sidoqoftë, krijimin e institucioneve të Kosovës nuk po e kërkojnë vetëm dy deputetët gjerman, Christian Schmidt dhe Peter Bayer, por, edhe prania tjetër ndërkombëtare në Kosovë. Zyra e Bashkimit Evropian në Kosovë, përmes një deklarate thotë, se "Ne besojmë se palët në fjalë do të arrijnë konsensusin e nevojshëm për të tejkaluar sfidat e mbetura”.

"Seanca konstitutive e Kuvendit është caktuar të mbahet më 26 dhjetor. Zgjedhjet e përgjithshme të 6 tetorit i dhanë mundësinë popullit të Kosovës të ushtrojë të drejtën e vet demokratike për të votuar dhe zgjedhur udhëheqësit e vet. Ky është thelbi i procesit demokratik. Ne besojmë se palët në fjalë do të arrijnë konsensusin e nevojshëm për të tejkaluar sfidat e mbetura. Kosova duhet që me urgjencë të vazhdojë punën në reforma për zhvillim ekonomik dhe shoqëror, si dhe sundim të ligjit, zbatimin e Marrëveshjes së Stabilizim-Asociimit BE-Kosovë dhe dialogun me Beogradin të cilin e lehtëson BE-ja”, thuhet në deklaratë. Sipas zyrës së BE-së, "nevojitet një formim i shpejtë i qeverisë për të çuar përpara këto procese, në interes të Kosovës dhe popullit të saj dhe në përputhje me Kushtetutën dhe dëshirën e shprehur të elektoratit”. Deklaratës së BE-së iu bashkua edhe ambasada e SHBA-së në Kosovë, duke thënë se "qytetarët mezi po presin që të krijohet qeveria e re”.

"Ne pajtohemi me BE-në: njerëzit e Kosovës presinjn m epadurim për një qeveri që do të sjellë ndryshime pozitive”, thuhet në një postim të ambasadës së SHBA-së.

Dy subjektet politike që dolën të parat në zgjedhje, lëvizja Vetëvendosje dhe LDK, ende po vazhdojnë bisedimet për koalicion qeveritar pa ndonjë marrëveshje finale, ndonëse ka mbetur vetëm edhe një javë deri në konstituimin e kuvendit të ri të Kosovës. Përfaqësuesit e të dy subjekteve politike thonë, se ata tashmë kanë hartuar programin qeveritar, por nuk po merren vesh për ndarje të posteve. Pozita e Presidentit ndonëse nuk ishte pjesë e zgjedhjeve duket se është pika ku dy partitë nuk po merren vesh për koalicion qeveritar.