1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Scholz është për „rregulla më të mira për shtetësinë“

26 Nëntor 2022

Kancelari Olaf Scholz në fromatin e përjavshëm në internet "Kanzler kompakt" u shpreh për „rregulla më të mira për shtetësinë gjermane“.

Gjermani: Videomesazhi i kancelarit Olaf Scholz "Kanzler kompakt"
Gjermani: Videomesazhi i kancelarit Olaf Scholz "Kanzler kompakt" Fotografi: Bndesregierung Mediathek

Kancelari Olaf Scholz theksoi, se Gjermania ka nevojë për rregullim më të mirë të ligjit për shtetësinë. Scholz tha, se gratë e burrat e po ashtu edhe fëmijët që kanë ardhur dekadat e fundit në Gjermani "kanë kontribuuar shumë, që ekonomia të jetë kaq e fuqishme, sa është sot". Disa nga këta njerëz jetojnë "prej një kohe shumë, shumë të gjatë" në Gjermani dhe kanë tashmë këtu edhe fëmijë e nipër e mbesa. Ndaj është "shumë mirë", nëse ata vendosin të aplikojnë për marrjen e shtetësisë gjermane.

Reformimi i ligjit për dhënien e shtetësisë është planifikuar nga koalicioni qeverisës mes socialdemokratëve, ekologjistëve dhe liberal-demokratëve  në marrëveshjen e koalicionit. Mbi këtë bazëministrja e Brendshme Nancy Faeser deklaroi të premten (25.11) reformën e ligjit të shtetësisë. Të huajat dhe të huajt që jetojnë në Gjermani në të ardhmen mund të marrin një pasaportë gjermane pas pesë vjetësh të qendrimit në vend. Për familjarët e brezit të të Gastarbeiter parashikohet të zbuten pengesat për shtetësinë. Gjithashtu do të zgjerohen mundësitë për mbajtjen e disa shtetësive.

Reforma e parashikuar për shtetësinë është lëvduar nga presidenti i Instituti Gjerman për Studimet Ekonomike në Berlin, DIW, Marcel Fratzscher. "Problemi i Gjermanisë me forcat e kualifikuara të punës do të ashpërsohet edhe më shumë nga demografia dhe konkurrenca për tërheqjen e kokave më të mençura, në rast se politika nuk vepron me më shumë vendosmëri se deri tani." Një perspektivë e qartë për shtetësinë është një element i rëndësishëm, për ta bërë Gjermaninë më tërheqëse për punonjës të kualifikuar, tha Fratzscher për gazetën "Handelsblatt".

Ndërsa unioni kristioandemokrat-kristiansocial në opozitë e kritikoi ashpër planin e reformimit të këtij ligji. Zëdhënësi i grupit parlamentar të kristiansocialëvë në Bavari Alexander Dobrindt tërhoqi vëmendjen, se me këtë shtetësia gjermane po "zhvleftësohet". Sipas tij "Zhvleftësimi i shtetësisë nuk nxit integrimin, por të kundërtën duke shtuar efektet joshëse për migracionin ilegal."

Kryetari i bashkësisë turke në Gjermani, Gökay Sofuoglu, e përshëndeti këtë reformë të planifikuar. "E drejta gjermane për shtetësinë nuk i përgjigjet më realotetit të ditëve tona; ajo duhet reformuar që në themel", i tha ai rrjetit redkasional të shtypit Redaktionsnetzwerk Deutschland.