1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Scholz dhe Michel nënvizojnë solidaritetin evropian

9 Shtator 2022

Dy politikanët u shprehën për nevojën e taksimit të përfitimeve të jashtëzakonshme të kompanive energjetike dhe për ndihmë të mëtejshme për Ukainën

Olaf Scholz dhe Charles Michel të premten, 9.9.2022 në Berlin
Olaf Scholz dhe Charles Michel të premten, 9.9.2022 në BerlinFotografi: John Macdougall/AFP/Getty Images

Kancelari gjerman Olaf Scholz dhe presidenti i Këshillit të BE-së, Charles Michel,  nënvizuan të premten solidaritetin evropian në krizën energjetike:

"Presidenti rus pothuajse e ka ndalur furnizimin me gaz të Perëndimit, Ai padyshim dëshiron të dobësojë ose destabilizojë demokracitë evropiane, por nuk do t'ia dalë. Ai i ka bërë llogaritë gabim. Sepse ne evropianët jemi shumë më të bashkuar dhe solidarë”, tha Scholz në konferencën e përbashkët me Presidentin e Këshillit Evropian, Charles. Michel, në Berlin.

Evropa ka më shumë se kurrë nevojë për solidaritet, tha Charles Michel. Ai theksoi se BE do të vazhdojë të mbështesë Ukrainën në të gjitha fushat. Me sanksionet duam të bëjmë të qartë se BE-ja është e bashkuar kundër agresionit të pajustifikuar ndaj Ukrainës.

Kancelari gjerman  theksoi gjithashtu se në javët në vijim BE do t'i transferojë Ukrainës 5 miliardë euro kredi si pjesë e paketës 9 miliardë të shpallur majin e kaluar, nga e cila një këst i parë prej një miliardi tashmë është transferuar në gusht.

Mbështetje për propozimet e KE

Kancelari gjerman shprehu mbështetjen e tij për propozimet e Komisionit Evropian (KE) për kufizimin e çmimeve të energjisë elektrike dhe idomos për taksimin e fitimeve të jashtëzakonshme të kompanive energjetike.

"Ne jemi për limitimin e fitimeve nga shitja e energjisë elektrike që përftohet nga energjia e erës dhe diellore, hidrocentralet, qymyri dhe energjia bërthamore," tha ai.

Këto fitime shtesë duhet të përdoren për uljen e çmimit të përgjithshëm të energjisë elektrike, për qytetarët dhe në përgjithësi, theksoi Scholz, i cili deklaroi se propozimet e KE-së janë "të ngjashme” me masat që ka marrë Gjermania. 

Jo limitim të çmimit të gazit

Nga ana tjetër, ai u shpreh kundër  kufizimit të çmimit të përgjithshëm të gazit që importohet në BE,  siç kanë kërkuar disa shtete anëtare në takimin e jashtëzakonshëm të ministrave të energjisë së BE-së që u mbajt këtë të premte në Bruksel.

Scholz vuri në dukje se është e nevojshme të merret parasysh se, për shembull, Gjermania importon gaz nga disa  vende "miqësore" si Shtetet e Bashkuara dhe Norvegjia, jashtë kornizave ligjore të komunitetit dhe se zgjidhjet nuk janë aq të thjeshta, siç mendojnë disa”

Depo gazi në Saksoni Anhalt, GjermaniFotografi: Waltraud Grubitzsch/dpa/picture alliance

Scholz theksoi se me rëndësi është të veprohet në drejtim të uljes së çmimeve dhe qetësimit të tregjeve dhe theksoi se Gjermania e ka përdorur verën për të mbushur depozitat e saj të gazit dhe se tani është gati t'i "zbrazë ato".

"Në garë me kohën”

Charles Michel nga ana e tij tha se për të përballuar krizën energjetike duhen përdorur tre "leva” tejet komplekse: ulja e konsumit, garantimi i furnizimit të qytetarëve dhe kompanive dhe kufizimet e çmimeve. Evropa është në një "garë me kohën" për të diversifikuar furnizimin me energji dhe për të reduktuar varësinë e saj nga karburantet fosile, pasi Rusia ka dëshmuar se nuk është një "aktor i besueshëm" , tha Michel.

Të dy politikanët u shprehën për rishikimin e parimit të unanimitetit në proceset vendimmarrëse të BE-së. Presidenti i Këshillit Evropian theksoi se këto procedura duhet të përshtaten "me Evropën e së ardhmes" dhe në të njëjtën kohë të garantojnë unitetin dhe të parandalojnë vënien e vetos për çështjet e politikës së jashtme, çka pengon një reagim të shpejtë dhe të vendosur.

Kancelari gjerman përsëriti gjithashtu se "është shumë e qartë" se në çështjet e politikës së jashtme nuk është e mundur të ruhet parimi i unanimitet. "Nëse duam një Bashkim Evropian gjeopolitik, nëse duam sovranitet në një botë multipolare me 10 miliardë banorë, ne duhet të modernizojmë proceset e vendimmarrjes”, tha Scholz.