1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Scholz pret nga India të përshpejtohet marrëveshja tregtare

25 Tetor 2024

"Ne kemi nevojë për më shumë bashkëpunim, jo më pak," thekson kancelari gjerman në Nju Delhi. Arsyeja e vizitës janë konsultimet e shtata ndërqeveritare indo-gjermane.

Kanzler Scholz in Indien | mit Premier Modi in Neu Delhi
Fotografi: AP/picture alliance

Në fillim të vizitës së tij në Indi, kancelari gjerman Olaf Scholz bëri thirrje për "përparim të shpejtë dhe një përfundim të shpejtë" të bisedimeve për një marrëveshje të tregtisë së lirë midis Indisë dhe Bashkimit Evropian. 

"Nëse punojmë së bashku për këtë, zoti kryeministër, kjo mund të arrihet në muaj dhe jo në vite”, tha Scholz në Nju Delhi, duke iu drejtuar mikpritësit të tij, kryeministrit Narendra Modi.

Negociatat, të cilat filluan në vitin 2007, u ngrinë në vitin 2013 dhe rifilluan në vitin 2022. Pikat e mosmarrëveshjes përfshijnë doganat e larta indiane për automjetet, mbrojtjen e pronësisë intelektuale në industrinë farmaceutike dhe liberalizimin e tregut në sektorin agrar, gjë që India e kundërshton.

Kancelari Scholz sheh një performancë në Nju DelhiFotografi: Hannes P Albert/dpa/picture alliance

Gjermania dëshiron të forcojë bashkëpunimin ushtarak

"Mesazhi ynë i përgjithshëm është: ne kemi nevojë për më shumë bashkëpunim, jo më pak”, deklaroi kancelari në Konferencën e kompanive gjermane të Azi-Paqësorit. Kjo përfshin gjithashtu bashkëpunim më të ngushtë ushtarak me Indinë. Thyssenkrupp Marine Systems aktualisht është duke negociuar ndërtimin e gjashtë nëndetëseve për Marinën Indiane. Një fregatë gjermane dhe një anije furnizimi po lundrojnë aktualisht në brigjet indiane për të marrë pjesë në manovra të përbashkëta. Scholz-i planifikon të vizitojë ushtarët në shtetin perëndimor të Goa-s këtë të shtunë.

Kjo është vizita e tretë e Scholz-it në pothuajse tre vitet e tij në detyrë. Shkas është konsultimi i shtatë ndërqeveritar indo-gjerman, ku marrin pjesë katër ministra nga kabineti i tij. Njëri prej tyre, ministri i Ekonomisë, Robert Habeck, kujtoi në konferencë efektet drastike të ndryshimeve klimatike. Lufta kundër kësaj është një nga fushat në të cilat Gjermania dhe India mund të bashkëpunojnë, tha ai. Qeveria gjermane dëshiron të nxisë zgjerimin e energjisë së rinovueshme në Indi me një kredi nga banka e zhvillimit KfW.

Nënshkruhet i një marrëveshje e informacionit të klasifikuar

Të dyja palët nënshkruan gjithashtu një të ashtuquajtur marrëveshje për mbrojtjen e informacionit të klasifikuar, e cila vendos një kornizë për shkëmbimin e informacionit të klasifikuar. Në varësi të mënyrës se si është strukturuar, kjo mund të lejojë gjithashtu një bashkëpunim më të madh në politikën e sigurisë ose teknologjinë e mbrojtjes.

U ra dakord gjithashtu për asistencë ligjore në çështjet penale dhe manovra të përbashkëta me partnerët indianë dhe vizita portuale nga Marina Gjermane, si dhe bashkëpunim midis instituteve kërkimore gjermane dhe indiane, për shembull në fushat e bioshkencave, kërkimit të materialeve dhe kërkimeve polare dhe detare. Është planifikuar gjithashtu një program i përbashkët trajnimi për menaxherët nga të dyja vendet.

Olaf Scholz dhe Narendra ModiFotografi: Marvin Ibo Güngör/Bundesregierung/dpa/picture alliance

Modi është entuziast për sipërmarrjet start-up

Modi, nga ana e tij, ishte entuziast për tërheqjen e investimeve të huaja në vendin e tij. Ka mundësi rritjeje në prodhimin e hidrogjenit miqësor ndaj klimës dhe gjysmëpërçuesit, për shembull. "India ofron një platformë të shkëlqyer për të investuar në këta sektorë," tha ai. India ka arritje të larta edhe në fushën e inteligjencës artificiale. Ka mundësi pothuajse të pakufizuara për sipërmarrjet start-ups dhe për një zgjerim të fortë të infrastrukturës. Rrjeti hekurudhor po zgjerohet dhe po ndërtohen aeroporte të reja.

India është vendi më i populluar në botë dhe demokracia më e madhe në planet. Ekonomia e saj aktualisht po rritet më shpejt se e çdo vendi tjetër të madh. Sipas vlerësimeve, India do të avancojë me dy shkallë në renditje dhe do të bëhet ekonomia e tretë më e madhe në botë pas SHBA dhe Kinës deri në fund të dekadës, duke e kaluar Gjermaninë. Për Gjermaninë, India është çelësi për të reduktuar varësinë e madhe të industrisë së saj nga importet nga Kina.

jj/sti (dpa, afp, rtr)