1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Sasi shqetësuese e armëve tek ekstremistët e djathtë

30 Shtator 2019

Rreziku është i qartë - përmasat e armatimit ilegal të ekstremistëve të djathtë në Gjermani janë tepër shqetësuese. Këtë e ka komentuar edhe ministri i Brendshëm Seehofer.

Malta EU-Treffen der Innenminister | Horst Seehofer, Deutschland
Fotografi: Getty Images/AFP/M. Mirabelli

Pas një raporti televiziv për shtimin e sasisë së armëve tek ekstremistët e djathtë, ka reaguar edhe ministri i Brendshëm Horst Seehofer (CSU), i cili ka paralajmëruar edhe masa konkrete. "Numri i madh i armëve dhe gjërave të ngjashme në krahun e djathtë është alarmant", kumtoi Seehofer në Berlin. Por kjo dëshmon edhe "presionin që kundër tyre po ushtrojnë autoritetet".

Armë të gjata, armë për luftë, mjete shpërthyese

Ekstremizmi i djathtë "është një rrezik i madh për shoqërinë e lirë", theksoi politikani i CSU-së. Ai është i vendosur "për forcimin e strukturave të shtetit dhe ofrimin e bazës ligjore, në luftën kundër kësaj dukurie". Shteti ligjor duhet të jetë në gjendje të veprojë.

Fotografi: DW/B. Riegert

Më parë ARD ka njoftuar për shtimin e dukshëm të numrit të armëve të kapura në krahun e djathtë politik. ARD i referohet një përgjigje të Ministrisë së Brendshme, në pyetjen e partisë E Majta. Në vitin 2018 janë regjistruar 563 vepra penale të kryera nga krahu i djathtë politik. Policia ka konfiskuar 1091 armë, ndër to edhe armë të gjata, armë lufte, mjete shpërthyese... Një vit më parë janë kapur në vepra të ngjashme penale 676 armë.

Përmasat evropiane

E Majta ka pyetur, nëse neonazistët kanë pasur edhe stërvitje me armë ilegale. Në përgjigje thuhet se prej vitit 2018 janë evidentuar 15 raste të stërvitjeve të ekstremistëve të djathtë. Në të shumtën e rasteve ato janë mbajtur në vendet e tjera evropiane.

Ministria ka evidentuar edhe sulme ndaj vendstrehimeve për azilkërkues, apo azilkërkuesve, në të cilat janë përdorur këto armë ilegale. Në 2,5 vitet e fundit ka pasur rreth 20 sulme në vendstrehime dhe 26 sulme me armë ndaj azilkërkuesve. Shumica e sulmeve kanë ndodhur në vitin 2017.

 

 

bc/ml/nob (dpa, afp)