Seehofer largohet - Markus Söder kryetar i ri i CSU-së
19 Janar 2019Pas 3739 ditësh në postin e kryetarit të Partisë Kristiansociale, Horst Seehofer largohet duke ia lënë vendin të shtunën (19.01), kryeministrit bavarez, Markus Söder, i cili u zgjodh në kongresin e partisë CSU në Mynih me 87,4% të votave. „Kemi lënë kohë të vështira pas, prandaj gëzohem për këtë paradhënie besimi", tha Söder, i cili nuk arriti, kuotën 90% si paraardhësi i tij, Seehofer në vitin 2008. Markus Söder përdori tone pajtuese duke propozuar Horst Seehofer si të tretin kryetar nderi të CSU-së. „Horst Seehofer ka merita të mëdha në historinë e Partisë CSU", tha Söder. Në kohën e tij partia CSU ka arritur suksese të mëdha, por edhe disa disfata, theksoi ai.
Kapitull i ri me CDU – pro Europës
Markus Söder kërkoi një unitet të ri me partinë simotër konservatore gjermane, CDU. „Duhet të hapim një kapitull të ri të bashkëpunimit" , tha ai. Unioni CDU/CSU duhet të punojë më shumë për atë që ka të përbashkët dhe jo të theksojë atë që e ndan."Ka ardhur koha për një forcim të ri të CDU dhe CSU-së në Gjermani." Në kongresin e CSU në Mynih ishte e ftuar edhe kryetarja e re e CDU-së, Annegret Kramp-Karrenbauer.
Kryetari i ri i CSU-së, Markus Söder deklaroi në fjalimin e tij angazhimin e plotë të partisë CSU për idenë europiane dhe kundër tendencave të ndarjes në BE. Kërcënohemi nga një kthim në „kohë të vjetra nacionaliste", tha ai. Nacionalistët dhe populistët duan të përçajnë Europën. CSU do të veprojë me të gjithë fuqinë e saj kundër këtij zhvillimi. „Ne jemi një parti e moçme europiane."
Horst Seehofer - kryetar nderi
69 vjeçari Seehofer në fjalimin e lamtumirës tha se „sot e dorëzoj detyrën e kryetarit të partisë me mirënjohje të madhe dhe krenari në duart e partisë". Seehofer po ashtu ishte pozitiv në fjalimin e tij, megjithatë iu referua shkurt edhe luftërave të brendshme për pushtet brenda partisë. „Jam i gëzuar, që kam duruar shumë, kam kapërdirë shumë e nuk kam folur kurrë për këtë", tha ai. Ai pranoi se që nga zgjedhjet e Bundestagut të vitit 2017 ka pasur mospajtime, por „nuk kam reaguar gjerë e thellë për këtë, sepse kush është kaq gjatë në parti, e ka atë në zemër", tha Seehofer.
852 delegatët e kongresit të CSU-së e përshëndetën largimin e Seehofer si kryetar partie me ovacione. Horst Seehofer e drejtoi Partinë Kristiansociale nga tetori i vitit 2008. Po të shtunën Seehofer u zgjodh me shumicë votash kryetar nderi i partisë.
la/(afp, dpa)