290511 Medien Skandalprozesse
1 Qershor 2011
Disa ditë me rradhë Franca u ndodh në gjendje shoku: „Drama e Dominique Strauss-Kahn“, shkruante gazeta „France Soir“. „Afera Strauss-Kahn: një tërmet për euron, fondin monetar dhe të majtët“, shkruante „Le Monde“. Dhe gazeta me orientim të majtë „Libération“ shkruante: „Dominique Strauss-Kahn jashtë.“
Të shtunën me 14 maj 2011, Dominique Strauss-Kahn u arrestua në New York me akuzën e tentimit të dhunimit të një punonjëseje hoteli. Politikani, milioneri dhe shefi i FMN-së në pranga.
Një situatë e re për gazetarët francezë, sepse në fakt ekziston një marrëveshje e fshehtë ndërmjet tyre dhe prominentëve që të ruhet distanca. Gazetarët janë në dijeni për të gjitha aferat e vogla dhe skandalet e politikanëve dhe prominentëve, por nuk raportojnë për to. Gabimet private nuk janë temë diskutimi, tradhëtia bashkëshortore falet shpejt, thotë Dominik Grillmayer nga instituti gjermano-francez.
Vihet re një përmbajtje e dukshme
Që ka të bëjë me traditën franceze: Në të kaluarën është bërë gjithmonë një ndarje e qartë ndërmjet sferës publike dhe private. Është thënë: ne jemi të interesuar për atë, që bën politikani dhe ne nuk merremi me atë, që bën ai në jetën private.“
Skandali seksual i Strauss-Kahn-it u kthye në çështje nderi për mediat: Duelin e bënë gazetarët amerikanë dhe francezë. Sepse francezët e ndjenin veten të provokuar nga veprimet e autoriteteve amerikane, thotë Dominik Grillmayer: „Synimi ishte i qartë: Kështu nuk mund të veprohet me një njeri, për të cilin fillimisht duhet të vlejë supozimi i pafajësisë. Ai nuk mund të tregohet në pranga, nuk mund të shfaqen pamje televizive, se si ai qëndron në sallë para gjyqtarit i parruar. Pikërisht ky qëndrim kritik i francezëve çoi një kundërrreagim të mediave amerikane, që thanë pastaj: Këtë ligj të e heshtjes në Francë nuk mund ta pranojmë si të tillë.“
Në SHBA i ashtuquajturi „perp walk“ – vajtja e të dyshuarit nga qelia deri te gjyqtari – është pjesë e kulturës juridike. Një inskenim për kamerat: me dritë blu, sirena dhe krisma të pandërprera të aparateve fotografike.
Kështu një producent i kujton kameramanit të tij, që të fotografojë nga afër prangat. Fotografi, të cilat e poshtërojnë njeriun, e shkatërrojnë karrierën e tij, dhe e zhveshin nga pushteti.
Pamje, që nuk shfaqen nga televizioni francez
„Në Francë, për fat të mirë edhe në Gjermani, ka qenë deri tani e paimagjinueshme, që një person, ndaj të cilit është ngritur vetëm akuzë, të tregohet në pranga në një formë shumë poshtëruese. Qëllimi ishte që të demonstrohej: se ne nuk bëjmë dallim, ndërmjet një krimineli të vogël dhe një bosi të madh të ekonomisë, ne nuk bëjmë dallime, i trajtojmë të gjithë tö barabartö. Ky është sinjali, që u transmetua në SHBA,“ thotë psikologu Jo Grëbel.
Mediat gjermane u përpoqën të raportonin objektivisht në rastin e Strauss-Kahn-it.
Edhe në Gjermani sfera private është private: disa politikanë gjermanë kanë qenë disa herë të martuar: Ish kancelari Schrëder ështe i martuar për të katërtën herë, ish ministri i Jashtëm Fischer biles për të pestën herë. Dhe kryeministri bavarez Horst Seehofer e tradhëtoi gruan dhe ka tani një vajzë të paligjshme. Kjo nuk i ka dëmtuar atij karrierën – shumë shumë reputacionin.
Megjithatë: Skandale të verteta seksi të përmasave të rastit Strauss-Kahn nuk ka patur në Gjermani deri tani.
Autor: Monika Griebeler/ Angelina Verbica
Redaktoi: Aida Cama