Serbët duhet të përfshihen në institucionet kosovare
31 Janar 2006
Përfaqësuesit e serbëve të Kosovës kërkuan që procesi i decentralizimit në Kosovë të fillojë sa më shpejtë ndërsa, thanë si ai duhet të jetë e ndarë nga statusi politik dhe juridik i Kosovës. Këtë kërkesë, përfaqësuesit e subjektit politik, "Lista Serbe për Kosovë e Metohi", e bënë gjatë një takimi që zhvilluan në Prishtinë, me ndihmësin e kryenegociatorit ndërkombëtar në bisedimet për statusin, Albert Rohhan. Ky i fundit thuhet të ketë kërkuar nga serbët e Kosovës që të inkuadrohen në institucionet e këtushme për faktin që përfshirja e serbëve në institucione do ta bëjë më të lehtë zgjidhjen e shumë problemeve më të cilat ballafaqohen ata.
Rangjell Nojkiq, është njëri nga përfaqësuesit e serbëve të Kosovës. "Në takim kemi paraqitur shumë cështje që kanë të bëjnë me problemet e jetës në këto hapësira para së gjithash për bashkësinë serbe në Kosovë. Paraqitëm problemet pas vdekjes se presidentit Rugova dhe ndjenjën tonë se për serbët në këtë moment imponohen ato forca radikale që krijojnë më shumë probleme. Në këtë linjë kemi kërkuar që procesi i decentralizimit të fillojë sa më parë dhe të jetë i ndarë nga statusi politik dhe juridik i Kosovës", tha Rangjel Nojkiq. Ai shtoi se, diplomati austriak, Albert Rohan, ka kërkuar nga serbët që tu bashkohen institucioneve të Kosovës. Rangjel Nojkiq, tha se, vendimi për pjesmarrjen apo jo të serbëve në institucione tash do të merret nga kryesia e "Listës Serbe për Kosovë e Metohi" dhe jo më nga Beogradi. Ai tha se ky vendim do të merret gjatë ditëve të ardhshme dhe nuk caktoi ndonjë datë.
Ndihmësi i kryenegociatorit ndërkombëtar në bisedimet për statusin e Kosovës, Albert Rohan, i cili po qëndron në Kosovë, takimet me udhëheqësit e këtushëm po i zhvillon më dyer të mbyllura pa praninë e mediave. Me të arritur në aeroportin e Prishtinës, ai tha se ka ardhur në Kosovë që të shoh gatishmërinë e palës kosovare për takimin e Vjenës ku do të diskutohet decentralizimi me palën serbe të Beogradit. Ky takim me gjasë do të zhvillohet në fund të muajit shkurt. Autoritet në Prishtinë, ndërkaq, akoma nuk kanë kompletuar delegacionin që do të udhëtojë për në Vjenë, për faktin që këtë delegacion duhet ta emërojë Grupi Negociator i Kosovës. Ky mekanizëm i lartë politik akoma nuk është mbledhur pas vdekjes se presidentit Rugova i cili ishte edhe kryesues i tij.
Përqëndrimi politik në Prishtinë tash është në zgjedhjen e presidentit të ri të vendit i cili duhet të jetë nga LDK-së. Anëtarët e kryesisë së kësaj partie thonë se i nominuari i tyre për president të vendit do të bëhet publik pas datës 6 shkurt pas mbarimit të ditëve të zisë.