1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Serbët prej tani mund të udhëtojnë pa viza në BE

19 Dhjetor 2009

Pas gati dy dekadash turistët serbë, maqedonas dhe malazez mund të udhëtojnë pa viza në Bashkimin Evropian, me përjashtim të Britanisë së Madhe dhe Irlandës. Po a do të nisen tani 7,3 milionë serbë për në Evropë?

Prej sot pa viza...Fotografi: picture-alliance/chromorange

Kefeneja e njohur Greenet në një rrugicë anësore në qendër të Beogradit. Nga mëngjesi deri në mbrëmje këtu takohen studentët dhe të rinjët e kryeqytetit serb. Ata nuk dallojnë pothuajse fare nga akademikët e qeshur apo ata të cilët sapo kanë filluar karrierën e tyre profesionale në Berlin apo në Bruksel. Megjithatë ekziston një dallim: shumë prej tyre nuk kanë njohur ende asnjë bashkëmoshatarë jashtë vendit. Rreth dy të tretat e studentëve në Serbi nuk kanë qenë asnjëherë në një vend tjetër, ishte ky rezultati i një ankete në vitin 2006.

Dokumente, dokumente...

Fotografi: dpa

Shkak kryesor për këtë, përveç mungesës së parave: me fillimin e luftërave në vitin 1991 për qytetarët e Jugosllavisë u vendos regjimi i vizave për Bashkimin Evropian. Për sllovenët dhe kroatët vizat u hoqën më shpejt. Serbët, boshnjakët, malazezët, maqedonët si dhe kosovarët dhe shqiptarët u desh edhe më tej të futen e të presin në radhët e gjata para konsullatave evropiane. Si Aleksandër Bogdanoviqi për shembull, i cili para ca vitesh ishte ftuar për një praktikë gjashtëmujore në Itali.

„Mua m'u desh të grumbullojë një tufë dokumentash. Ishte një pirg i vërtetë letrash. Me to kam shkuar në ambasadë vetëm për të kuptuar nga punonjösja se më nevojitet edhe një leje shtesë nga autoritetet italiane. Më parë nuk më ishte thënë asgjë për të. Pastaj m'u tha se mua nuk më nevojitet një vizë studentësh por një vizë pune. Unë ju sqarova se në telefon nga ambasada më është thënë se më mjafton një vizë turistësh. Në fund ajo më tha se duhet të vendosja vet se për cilën vizë do të aplikoja. Dhe unë hoqa plotësisht dorë pasi që m'u duk se gjithçka ishte e tepërt”, shpjegon ai.

Ndjenja se jemi të padëshiruar në Evropë ka lënë tek Aleksandri ne një shije të hidhur. „E tëra për mua ishte shumë e pakëndshme. Edhe sot nuk e ndiej veten mirë kur më duhet të shkojë në ndonjë konsullatë dhe të pres përgjegjen e nënpunësit. Dhe nëse nuk më lejohet të udhëtojë nuk më sqarohet përse. Kjo është thjeshtë poshtëruese“, shprehet ai.

Kushte jo gjithmonë të arsyeshme

Qendra e BeograditFotografi: Petar Labrador

Kriteret për marrjen e një vize shpesh kanë qenë të ashpëra dhe jo gjithmonë të arsyeshme për aktivistët për të drejtat e njeriut. Ata kritikonin për faktin që të moshuarit nuk lejohen të vizitojnë nipat e mbesat e tyre në Perëndim, për shkak se autoritetet kishin frikë që ata nuk do të kthehen më në vendlindje. Pas shumë vizitash të suksesshme nëpër panairet ndërkombëtare, biznesmenët papritmas pa asnjë arsyetim nuk mund të merrnin vizë. Nën kushte të tilla janë rritur gjenerata të tëra të serbëve, boshnjakëve, maqedonëve apo malazezëve të rinj. Ata që janë pak më të moshuar i mbajnë ende në mend kohërat kur me pasaportat e Jugosllavisë socialiste ishin të mirëseardhur çdokund.

„Unë isha mbret. Të gjithë thërisnin vetëm Tito, Tito… Qysh i ri unë udhëtoja çdokund. Në Rumani kam qenë 76 herë për shkak se prindërit e mi jetonin vetëm 40 kilometra larg kufirit. Shpesh kam qenë në Hungari, në Itali. Në Austri kam qenë disa herë, në Gjermani 20 herë, për biznes por edhe si turist“, kujton Zoran Grujiqi "kohën e lumtur të viteve 70-të dhe 80-të". Zorani tani është në mesin e të 40-ve dhe punon si marangoz në Beograd. Si shumica e serbëve edhe ai është i gëzuar që nga e shtuna (19.12.) nuk do të ketë nevojë për vizë udhëtimi për në Evropë. Zorani dëshiron tani të vizitojë edhe një herë Mynihun apo të afërmit e tij në Maribor të Sllovenisë.

Autor: Filip Sllavkoviq/Esat Ahmeti

Redaktoi: Bahri Cani