Serbi: Ndërlidhja e shtetit dhe krimit të organizuar
2 Korrik 2026
Rasti i vrasjes në restorantin "27" në Senjak ka marrë disa kthesa të mëdha brenda dy javësh. Nga teza fillestare se kreu i Departamentit të Policisë së Beogradit, Veselin Miliq, ndihmoi në fshehjen e provave deri te fakti se ai nuk ishte në vendngjarje kur Sasha Vukoviq Boske vrau Aleksandar Neshoviq - Baja.
Por për shumë qytetarë në Serbi, pyetja më e rëndësishme ka mbetur e pandryshuar - çfarë bënte kreu i departamentit më të madh të policisë në vend me dy anëtarë të shquar të mjedisit kriminal.
Për Stevan Dojçinoviq, kryeredaktor i portalit investigativ KRIK, kjo do të thotë: "Fakti që kemi një shef policie që është i lidhur me krimin dhe merr pjesë në akte kriminale është një fakt plotësisht i njohur që është vërtetuar shumë herë".
Dojçinoviq për DW thotë se shteti serb, përkatësisht Partia Progresive Serbe (SNS), e cila mban të gjitha levat e pushtetit, është e ndërthurur drejtpërdrejt me krimin e organizuar.
"Shteti nuk ka ndonjë partner të qëndrueshëm, por në varësi të rrethanave, kërkon dikë nga mjedisi kriminal për të bashkëpunuar. Deri në vitin 2021, shteti bashkëpunonte shumë ngushtë me nëngrupet e klanit Kavaçki, por më pas gjërat ndryshuan. Ky klan u bë armi k i shtetit dhe shteti filloi të bashkëpunonte me grupin kundërshtar", thotë Dojçinoviq.
Sipas tij, janë pikërisht këto aleanca të ndryshme që nxitën përballjet e përgjakshme në botën e krimit serb. Gjatë dekadës së fundit, më shumë se njëqind njerëz janë vrarë në likuidimet e mafias, shpesh në mes të ditës dhe në vende publike. Sipas tij, kjo është arsyeja pse vrasja e fundit nuk ishte e pazakontë.
"Ky rast u bë i madh sepse i përshtatej SNS-së kjo. Brenda SNS-së ka fraksione të ndryshme që bashkëpunojnë me grupe të ndryshme kriminale, që tani janë në luftë mes vete", shpjegon Dojçinoviq.
Një dekadë me prova
Gjatë dekadës së fundit, akuzat për lidhje midis elitës politike të Serbisë dhe krimit të organizuar janë vërtetuar nga procedurat gjyqësore, deklaratat e dëshmitarëve, komunikimet e deshifruara nga aplikacioni Sky dhe hulumtimet e gazetarëve.
Sipas gazetarit Branko Çeçen, kjo marrëdhënie midis SNS-së në pushtet dhe botës kriminale daton që nga fillimi i sundimit të Aleksandar Vuçiqit."Këtë e shohim edhe në faktin se njerëzit që papritmas fillojnë të marrin punë nga shteti vijnë direkt nga mjedisi kriminal, siç janë Zvonko Veselinoviq dhe Milan Radoiçiq," thotë Çeçen.
Një nga shembujt më të habitshëm erdhi nga hetimi ndaj Veljko Belivuk, udhëheqësit të dyshuar të një prej grupeve më famëkeqe të krimit të organizuar në Serbi.
Sipas raportimit të KRIK nga gjyqi, Belivuk u tha prokurorëve se kishte vendosur të "tregonte gjithçka” rreth marrëdhënies së grupit të tij me Presidentin Vuçiq, Ministrin e Brendshëm të atëhershëm Aleksandar Vulin, vëllain e Vuçiqit dhe zyrtarë të tjerë që u kishin kërkuar atyre favore, "dhe tani ata bëjnë sikur nuk i njohin”.
Dojçinoviqi tregon edhe mesazhet në WhatsApp të gjetura në telefonin e Belivuk, pas arrestimit të tij në vitin 2016, të cilat ai pretendon se zbulojnë zinxhirin komandues.
„Belivuk kihste kërkuar miratim nga një anëtar shumë i rëndësishëm i xhandarmërisë, Nenad Vuçkoviq Vuçko, ndërsa ai i përgjigjej Dijana Hrkaloviqit, e cila ishte personi numër dy në polici, që ishte në kontakt të drejtëpërdrejt me shefat e saj, ministrin e Brensheëm dhe Presidentin”, thotë Dojçinoviq.
Prova të mëtejshme dolën në vitin 2023, kur KRIK publikoi një audio-regjistrim, ku Vuçkoviq dëgjohet duke udhëhequr një takim të një grupi kriminal, ku diskutohej për bizneset kriminale dhe ai mburrej se e "e mban të gjithë forcën policore në duart e veta".
Një marrëdhënie e dobishme për të dyja palët
Siç theksojnë si Dojçinoviq dhe Çeçen, marrëdhënia midis shtetit dhe krimit të organizuar nuk është vetëm çështje korrupsioni. Është një marrëveshje që u sjell dobi të dyja palëve: shteti ofron mbrojtje, ndërsa grupet kriminale në këmbim kryejnë detyra të caktuara.
Gjatë protestave në Serbi gjatë dy viteve të fundit, gazetarët investigativë identifikuan anëtarë të grupeve kriminale midis burrave që ishin të vendosur në të ashtuquajturin "Qaciland" dhe që sulmuan demonstruesit.
Për vite me radhë, individë nga mjedisi i krimit të organizuar janë shoqëruar EDHE me grupe tifozësh që kontrollojnë tribunat dhe organizatat e tifozëve. Kështu ato sigurojnë që në stadiume të ketë sa më pak thirrje kundër Vuçiqit.
"Shteti nuk mbron një kartel droge vetëm që karteli të dërgojë disa dhjetëra njerëz për të sulmuar demonstruesit. Gjëja kryesore janë paratë. Individët që drejtojnë shtetin marrin gjithashtu një pjesë të të ardhurave. Ky është motivi kryesor. Por, meqenëse ata punojnë së bashku, sigurisht, sa herë që ka nevojë, ata mund të thërrasin kriminelët dhe ata janë të detyruar të përgjigjen", shton Dojçinoviq.
Ndërmarrjet e përbashkëta politiko-kriminale
Ilustrimi më i qartë i kësaj marrëdhënieje është Jovanjica, një nga plantacionet më të mëdha të marihuanës në Evropë, e zbuluar në vitin 2019 jo shumë larg Beogradit.
Pronari i saj, Predrag Koluvija, ka kaluar vite duke ndërtuar imazhin e një sipërmarrësi të suksesshëm. Ai ka marrë mirënjohje nga shteti, ka pritur zyrtarë të lartë shtetërorë në pronën e tij dhe ka mbajtur lidhje të ngushta me anëtarët e policisë, Agjencinë e Sigurisë dhe Inteligjencës dhe Agjencinë e Sigurisë Ushtarake.
"Vetë shteti është i përfshirë në shpërndarjen e drogës", thotë Dojçinoviq. "Nuk po flasim më për korrupsion dhe ryshfet ndaj zyrtarëve shtetërorë. Po flasim për shtetin që hyn në një biznes të përbashkët me krimin."
Pse askush në krye të shteti nuk përballet me pasojat?
Pavarësisht viteve të hetimeve, procedurave gjyqësore dhe një numri të madh të provave, asnjë nga rastet më të mëdha të krimit të organizuar në Serbi nuk ka çuar në ndonjë përgjegjësi politike.
Sipas Dojçinoviq, prokuroria përdor komunikime të deshifruara nga aplikacioni Sky për të ndjekur penalisht anëtarët e grupeve kriminale, por shmang gjurmët që çojnë te politikanët.
"Prokuroria në fakt përdor Sky për të ndjekur kriminelët, por nuk dëshiron të prekë dhe të krijojë probleme me politikanët në Serbi”, thotë Dojçinoviq.
Qeveria i hedh poshtë të gjitha akuzat dhe zyrtarisht pretendon se po zhvillon një luftë të vendosur kundër krimit të organizuar.
"Kur është e nevojshme, regjimi arreston dikë, por më pas e zbeh çështjen, sepse thjesht nuk mund ta lërë bashkëpunëtorin e tij që mund të flasë dhe të shkaktojë dëme”, shton Çeçen.
Kostoja politike
Por hapësira për manovrim po ngushtohet. Ndërsa protestat vazhdojnë në të gjithë Serbinë, presioni ndaj Presidentit Aleksandar Vuçiq po rritet.
Branko Çeçen beson se çështja e bashkëpunimit me krimin tani po fillon të gërryejë mbështetjen edhe midis votuesve të partisë në pushtet. Ai beson se Vuçiq po përballet me zgjedhje të pasigurta për herë të parë prej ardhjes në pushtet. Kjo është arsyeja pse Vuçiqi mban me kujdes të dhënat në mënyrë që të përdorë ato kur i duhen.
"Aleksandar Vuçiq nuk kandidon në zgjedhje për të cilat nuk është absolutisht i sigurt se do t'i fitojë - me mashtrim apo në zgjedhje të drejta", thotë Çeçen.
"Kjo tani është një situatë shumë e vështirë për të. Zgjedhjet duhet të mbahen sipas ligjit dhe Kushtetutës, por kjo nuk do t ë thotë se vërtet do të ketë zgjedhje të tilla, sepse shohim që Kushtetuta dhe ligji shkelen çdo ditë. Por shpresoj se nuk do të ketë diktaturë pa zgjedhje", përfundon Çeçen.