1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Serbia do të vazhdojë të marrë gaz nga Rusia

29 Maj 2022

Në një telefonatë mes presidentit serb, Aleksandar Vuçiq dhe atij rus, Vladimir Putin është rënë në ujdi për një marrëveshje furnizimi me gaz për tre vjet. Serbia dhe Rusia duan të thellojnë partneritetin.

Serbien Staatsbesuch Putin
Takimi Putin-Vuçiq, janar 2019 në BeogradFotografi: picture-alliance/TASS/M. Metzel

Rusia edhe më tej do të vazhdojë të furnizojë me gaz Serbinë. Për këtë ranë dakord në një telefonatë presidenti rus, Vladimir Putin dhe ai serb, Aleksandar Vuçiq, bëri të ditur të dielën zyra presidenciale në Moskë, shkruan Reuters. Të dyja vendet po ashtu duan të forcojnë partneritetin. Sipas presidentit Vuçiq, temë bisedimi ka qenë edhe zgjerimi i depozitave serbe të gazit. Ai dhe Putini kanë rënë dakord për një marrëveshje furnizimi për tre vjet, por për çmimin nuk mund të flasë, është shprehur Vuçiq, detajet do të bisedohen me koncernin Gazprom. Më 31 maj merr fund marrëveshja 10-vjeçare e gazit me koncernin energjitik rus.

Sipas të dhënave ruse, Putin dhe Vuçiq kanë diskutuar edhe për gjendjen në Ukrainë dhe Kosovën. Serbia nuk e njeh pavarësinë e Kosovës të shpallur në vitin 2008 dhe mban tradicionalisht marrëdhënie të ngushta me Rusinë. Nga ana tjetër Serbia kërkon të bëhet anëtare e BE, e për këtë i duhet një normalizim i marrëdhënieve me Kosovën.

la/ag