1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Serbia feston "fitoren e madhe"

Bahri Cani21 Korrik 2007

Reagimet serbe ndaj bllokimit të rezolutës së re për Kosovën në Këshillin e Sigurimit të OKB.


Serbia ka festuar si "fitore të jashtëzakonshme diplomatike" bllokimin e rezolutës së re për Kosovën në Këshillin e Sigurimit të OKB. Kryeministri Vojisllav Koshtunica e quajti këtë fitore të madhe të politikës parimore të Serbisë dhe Rusisë. Triumfalizmin e kreyministrit në Serbi, e ndajnë edhe shumica e përfaqësuesve të institucioneve dhe partive politike në pushtet.
Presidenti Boris Tadiq u shpreh se Grupi i Kontaktit nuk ka të drejtën të vendosë për statusin e Kosovës. Vendimin për ardhmërinë e Kosovës mund ta marrë vetëm Këshilli i Sigurimit tha Tadiq duke shtuar se "pozicionet e Serbisë tani janë shumë më të favorshme se më parë".
"Janë shtuar shansat për ruajtjen e sovranitetit dhe integritetit territorial, por Serbinë e presin ditë dhe negociata shumë të vështira", theksoi presidenti serb.
Shumë më euforik ishte ministri serb për Kosovën, Sllobodan Samarxhiq, i cili tha se kalimi i vendimit prej KS në Grupin e Kontaktit do të thotë "hedhje përfundimtare poshtë e planit të Marti Ahtisarit". Samarxhiq konfirmoi se Rusia nuk ka të drejtën e vetos në Grupin e Kontaktit. Megjithatë ai është i mendimit se në këtë organizëm nuk mund të merren vendime për ardhmërinë e Kosovës. Përfaqëseusi i serbëve të Kosovës, Oliver Ivanoviq pohon se Beogradi duhet ta shfrytëzojë sa më mirë këtë rast.
"Serbia duhet të paraqet një ofertë të cilën shqiptarët e Kosovës do të ishin të gatshëm ta shqyrëtojnë. Nuk jam i sigurt se shqiptarët në këtë moment do të pranojnë ndonjë zgjidhje tjetër, përveç pavarësisë. Por edhe kjo është një përparësi taktike për ne", pohon Ivanoviq.
Përfaqësuesi i Partisë Liberale demokratike serbe, Nikolla Samarxhiq, paralajmëron se lidhja tepër e ngushtë e Serbisë me Rusinë, nuk paraqet fitore, por një lajm të keq për Serbinë.
"Gjithmonë kur Serbia është lidhur ngusht me Rusinë autoritare dhe totalitare, janë shënuar rënje të mëdha ekonomike dhe shkelje të rënda të të drejtave të njeriut. Në përgjithësi është keqsuar gjendja sociale dhe politike në Serbi."
Nikolla Samarxhiq paralajmëron edhe për shpërdorimet e Koshtunicës në opinionin e Serbisë. Sipas tij, Koshtunica po përpiqet të keqpërdorë Kosovën për qëllime të brendëshme.
"Po përpiqet që transformimin e pronës t'ia përshtatë interesave të elitës së tij financiare dhe politike. Çështja e Kosovës i shërben Koshtunicës për mbrojtjen dhe mbikqyrjen e këtyre proceseve. Në interesin e Koshtunicës është shtyrja sa më e madhe e zgjidhjes së statusit të Kosovës", thotë politikani liberal.
Ambasadori amerikan në Beograd Majkll Polt, pohon se Serbia është duke e stërzmadhuar rolin global të Kosovës. "Kosova është një rast unik, sepse askund në botë nuk ka ndodhur që të vijë bashkësia ndërkombëtare dhe të marrë kontrollin e plotë mbi një territori. Në fund, bashkësia ndërkobmëtare është ajo e cila mbanë përgjegjësinë për ardhmërinë e këtij territori. Ndërsa plani i Marti Ahtisarit në mënyrë të denjë mbronë interesat serbe në Kosovë", thotë Polt.

Kaloje seksionin tjetër Kryeartikujt e DW

Kryeartikujt e DW

Kaloje seksionin tjetër Më shumë zhvillime nga DW