1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Serbia merr statusin e vendit kandidat për t'u pranuar në BE

26 Tetor 2010

Këshilli i Ministrave të BE-së i ka dhënë dritën jeshile kërkesës së Serbisë për të marrë statusin e vendit kandidat për anëtarësim. Komisioni Evropian duhet të japë tani mendimin përfundimtar për kohën e negociatave.

Fotografi: AP/Montage DW

Dy janë kërkesat kryesore që Serbia duhet të plotësojë brenda 365 ditëve të ardhshme, në qoftë se dëshiron fillimin e negociatave për anëtarësim në Bashkimin Evropian: Arrestimin dhe dorëzimin në Tribunalin e Hagës e dy të akuzuarve për krime lufte, Ratko Mlladiq dhe Goran Haxhiq, si dhe bashkëpunimi me Kosovën. Këtë konfirmon për Deutsche Wellen edhe profesori i Fakultetit të Shkencave Politike në Beograd, redaktori i revistës mujore "Forumi Evopian", Jovan Teokareviq.

"Mendoj se përfundimi i bashkëpunimit me Tribunalin e Hagës, përparimi në dialogun me Kosovën si dhe heqja dorë nga bojkotimi i takimeve rajonale gjatë vitit të ardhshëm, do të mundësonte që Këshilli i Minstrave diku nga mesi i vitit të ardhshëm të lejojë edhe zyrtarisht kandidaturën e Serbisë për anëtarësim në BE."

Ministri i jashtëm belg Steven Vanackere, ai francez Pierre Lellouche, ai grek Dimitris Droutsas dhe spanjoll Trinidad JimenezFotografi: picture alliance/dpa

Rruga është e gjatë

Bashkimi Evropian është më miqësor ndaj Beogradit, në veçanti pas ndryshimit të rezolutës së paraqitur në Asamblenë e Përgjithshme të OKB-së, ku hoqi dorë nga kërkesa për dialog lidhur me statusin e Kosovës. Serbia ka dëshmuar se është e gatshme për bashkëpunim me BE-në dhe çështja e Kosovës nuk do të duhej të ishte ndonjë pengesë tepër serioze në rrugën e afrimit të Beogradit me Brukselin, mendon Ognjen Pribiqeviq, ish - ambasador i Serbisë në Berlin. Problem shumë më serioz, sipas tij, do të jetë bashkëpunimi me Tribunalin e Hagës.

"Për fat të keq këtu shihen problemet që BE ka përbrenda kur bëhet fjalë për zgjerimin e tij. Kjo s'ka të bëjë vetëm me Serbinë, por me zgjerimin në përgjithësi. Çështja e bashkëpunimit me Hagën është shpjegimi më i lehtë që mund të jepet për të ndalur këtë zgjerim. Mendoj se Serbia është duke pritur tepër gjatë disa hapa të BE-së."

Pengesat janë të mëdha

Përveç këtyre kushteve, që konsiderohet si kryesore, në rrugën e Serbisë deri në fillimin e negociatave zyrtare për pranim në BE gjenden edhe shumë pengesa të tjera. Serbia së shpejti do të marrë një pyetësor ku do të kërkohen me mijëra përgjigje lidhur me gjendjen në këtë vend dhe reformat që janë bërë apo duhet bërë. Numri i pyetjeve është i ndryshëm, varësisht nga gjendja në vend. Kroacia, për shembull, është dashur t`i përgjigjet 4.500 pyetjeve, ndërsa Mali i Zi 2.178. Pranimi i kërkesës për fillimin e negociatave për anëtarësim paraqet vetëm fillimin e një rruge tepër të vështirë, e cila mund të jetë edhe shumë e gjatë.

Serbia duhet të arrestojë dhe dorëzojë Ratko MlladiqinFotografi: picture alliance / dpa

Turqia për shembull e ka arritur statusin e kandidatit në vitin 1999, ndërsa negociatat për anëtarësim kanë filluar në tetor të vitit 2005. Deri tani është mbyllur vetëm një nga 12 kapitujt e parashikuar për negociata. Ndërkohë që Islanda ka paraqitur kandidaturën në korrik të vitit 2009, ndërsa para dy muajsh ka nisur negociatat për anëtarësim. Kroacia nga ana tjetër ka paraqitur kandidaturën për anëtarësim në shkurt të vitit 2003, ndërsa negociatat për anëtarësim kanë nisur në tetor të vitit 2005. Ajo ka mbyllur deri tani 22 nga 35 kapitujt që duhet të trajtohen. Më në fund Shqipëria ka marrë statusin e kandidatit në prill të vitit 2009, mendimi pozitiv i Këshillit të Minsitrave është dhënë në nëntor, ndërsa përgjigjet e Tiranës zyrtare janë dorëzuar katër muaj më vonë. Komisioni Evropian ende nuk e ka bërë vlerësimin e këtyre përgjigjeve. Sidoqoftë, analistët në Beograd pohojnë se sikur Serbia sot të merrte statusin e kandidatit, ndihmat e shpresuara financiare nuk do të shtohen shumë para vitit 2014, kur do të miratohet buxheti i ri shtatëvjeçar i BE-së.

Autor: Bahri Cani

Redaktoi: Aida Cama