1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Serbia po e kupton se Kosova do të bëhet e pavarur

Elert Ajazaj21 Shkurt 2006

Niycolas Whyte në intervistë për Dojçe Velen, shprehet se vendet anëtare të Grupit të Kontaktit kanë mbërritur në kohë të ndryshme në këtë përfundim, por ato janë marrë vesh që Kosova të bëhet e pavarur

Marti Ahtisaari, kryetar bordi i Grupit Ndërkombëtar të Krizave (GNK) 2000-2005.
Marti Ahtisaari, kryetar bordi i Grupit Ndërkombëtar të Krizave (GNK) 2000-2005.Fotografi: AP

Derisa në hapje të bisedimeve midis Prishtinës dhe Beogradit mbi statusin e Kosovës hendeku midis dy palëve mbetet i madh pozicioni i njohur i shqiptarëve të Kosovës po bëhet konvergjent me atë të bashkësisë ndërkombëtare. Kjo pasqyrohet edhe në nervozizmin dhe inflacionin e deklaratave që vijnë nga klasa politike e Beogradit. Për Nycholas Whyte, drejtorin për Evropën në Grupin Ndërkombëtar të Krizave, kjo nuk përbën të papritur:

"Mendoj se ngadalë Serbia po e kupton që Kosova do të bëhet e pavarur dhe natyrisht që njerëzit atje ende në masë të madhe nuk e pranojnë një gjë të tillë dhe përpiqen të pretendojnë se ajo nuk do të ndodhë. Prandaj asgjë nga ato që kemi parë ditët e fundit nuk më ka befasuar tepër."

Siç thuhet edhe në raportin e fundit mbi Kosovën të Grupit Ndërkombëtar të Krizave, Italia pa dëshirë ka mbërritur rreth muajit tetor në përfundimin se pavarësia e kushtëzuar për Kosovën do të ishte e vetmja zgjidhje e qëndrueshme. Kjo ka ndikuar edhe në bindjen e Francës, anëtarit tjetër perëndimor të Grupit të Kontaktit më në mëdyshje.

"Për mua është krejt e qartë se Grupi i Kontaktit në tërësi është marrë vesh që Kosova do të bëhet e pavarur. Pyetja që shtrohet është vetëm si dhe kur do të ndodhë kjo. Do të shohim sesi Franca, Rusia dhe Italia do të mbrojnë pikëpamjen se është më mirë t'u bëhen më shumë lëshime serbëve. Kjo është thjesht pjesë e arkitekturës politike brenda së cilës veprohet."

Sipas raportit në fjalë, rusët kanë dhënë shenja tetorin e kaluar se me gjasa do ta pranonin pavarësinë e kushtëzuar:

"Rusia është në pozitë të vështirë, sepse ajo tradicionalisht është e prirur të favorizojë Serbinë ndaj vendeve të tjera. Në të njëjtën kohë është e qartë që rusët po fillojnë ta kuptojnë se ndoshta pavarësia e Kosovës mund të jetë e dobishme për ta në një kuadër tjetër. Mendoj këtu veçanërisht tek konfliktet e ngrira në Moldavi dhe në Kaukazin Jugor. Pra pozicioni rus është interesant dhe mjaft i ndërlikuar. Nuk do të ishte me mend të thjeshtëzohej."

Në lidhje me hapjen e bisedimeve në Vjenë analisti i Grupit Ndërkombëtar të Krizave, Whyte, thotë se do të befasohej në rast se gjithçka do të zgjidhej sot, por edhe sikur të mos mësonim për afrim të qëndrimeve drejt marrëveshjeve:

"Ka gjasa që të dëgjojmë se ka pasur pajtim në disa pika, qoftë edhe jo pajtim të plotë për gjithçka."