Nikoliç kërkon falje për Srebrenicën
25 Prill 2013"Unë lutem në gjunjë që Serbisë t'i falet krimi i kryer në Srebrenicë", deklaroi presidenti serb Tomislav Nikoliç në një intervistë dhënë kanalit televiziv boshnjak BHRT. Megjithatë Nikoliç nuk foli për gjenocid, duke thënë se kryerja e gjenocidit duhet të mbështetet në prova. Vetëm një vit më parë ai ngjalli indinjatë në vendet fqinje në Ballkan dhe tek politikanët në Perëndim, me mohimin e plotë të gjenocidit në Bosnje.
Në intervistën dhënë kanalit BHRT, pjesë të së cilës u publikuan fillimisht në internet, Nikoliç formulon tani në mënyrë kufizuese, se gjithçka ka ndodhur gjatë luftës në ish-Jugosllavi ka karakteristika të një gjenocidi. Ai tha se shpreh keqardhje për "të gjitha krimet" që janë kryer në emër të shtetit apo popullit të tij.
Masakra e Srebrenicës, ku forcat serbe vranë rreth 8.000 myslimanë të Bosnjës në korrik 1995, është klasifikuar qartë si gjenocid nga drejtësia ndërkombëtare dhe është ndjekur në procese të shumta.
Krime lufte: padi kundër Karaxhiç dhe Mladiç
Nikoliç u zgjodh president i Serbisë në 2012. Paraardhësi i tij në post Boris Tadiç ndër të tjera ishte angazhuar për dënimin nga parlamenti në Beograd i masakrës së Srebrenicës. Gjatë mandatit të tij u dorëzuan në gjykatën e OKB-së në Hagë ish-lideri i serbëve të Bosnjes Radovan Karaxhiç dhe ish-shefi i ushtrisë së serbëve të Bosnjes, Ratko Mladiç.
Përpara se të zgjidhej president, Nikoliç ka bashkëpunuar ngushtë me ultranacionalistët e Partisë Radikale serbe, por e pati zbutur retorikën e tij gjatë fushatës elektorale. Serbia synon të anëtarësohet në Bashkimin Evropian, i cili i dënoi qartë deklaratat e Nikoliçit për Srebrenicën në 2012.