Serbia votoi
22 Janar 2007
Fillimisht kumtojmë lajmin e mirë: radikalët vërtet kanë dalë forca më e fuqishme në parlament, por ata nuk mund të qeverisin dot, edhe po qe se krijojnë një koalicion me socialistët.
Lajmi i keq: kampi demokratik është përçarë kaq shumë, saqë krijimi i qeverisë së re do të jetë një proces tejet i vështirë.
Në pamje të parë zgjedhjet në Serbi, që konsideroheshin si orientuese në drejtimin nga do të marshojë vendi, duket se kanë sjellë një rikonstituim të konstelacionit të vjetër politik. Por po qe se shikon me vëmendje, atëherë zbulon disa ndryshime rë rëndësishme, të cilat të japin shpresë se forcat e moderuara në Serbi kanë marrë një hov të ri pas këtyre zgjedhjeve.
Pozitiv është fakti që në zgjedhje kanë marrë pjesë një numër i madh votuesish, rreth 60 përqind. Rritja e numrit të votuesve nuk është në favor të radikalëve. Në vitet e shkuara përkrahësit e forcave demokratike i qëndruan larg kutive të votimit. Këtë herë pikërisht për këtë pjesë të elektoratit ka qenë e rëndësishme pjesëmarrja në votime.
Nga kjo ka përfituar dukshëm partia proevropiane demokratike e presidentit aktual, Boris Tadiç. Ajo ka mundur të dyfishojë votat duke zënë kështu vendin e dytë pas radikalëve. Kështu Tadiçi me një konfirmim të tillë, shkon me pretendimin e postit të kryetarit të qeverisë në negociatat për koalicionin me konservativët e kryeministrit aktual, Vojislav Koshtunica. Partia demokratike serbe e Koshtunicës ka rënë në vend të tretë për nga numri i votave në këto zgjedhje.
Në rast se Tadiçi do t'ja dalë mbanë të drejtojë koalicionin qeveritar, kjo do të thotë një përforcim të dukshëm për politikën proevropiane dhe vendosjen e themeleve për zgjidhjen paqësore të statusit të Kosovës.
Tadiçi përkundër Koshtunicës, i cili këmbëngul në mbajtjen e Kosovës nën Serbi, përdor ndërkohë tone më realiste. Për këto tone tanimë po bien me shumë se kurrë këmbanat, sepse në ditët e ardhsme me sa duket ndërmjetësuesi ndërkombëtar, Marti Ahtisari do të publikojë propozimin e tij për Kosovën.
Ka shumë gjasa që qeveria e re do të duhet t'u shpjegojë votuesve, atë që deri më tani nuk ka guxuar ta pranojë gati asnjë politikan serb: pra pavarësinë " e kufizuar" të Kosovës, e shoqëruar nga një prezencë afatgjatë ndërkombëtare.
Ajo duhet tani është marrja e përgjegjësisë politike nga partitë demokratike dhe dhënia fund e luftës për pushtet. Po qe se ato ja dalin mbanë, atëherë Serbia ka bërë një hap të rëndësishëm në drejtim të Evropës. Rajoni më shumë se gjithçka ka nevojë për stabilitet politik.