1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Seria e dytë e shpëtimit të bankave në BE

7 Qershor 2012

Komisioni i BE-së kërkon që bankat të paguajnë në të ardhmen për bankat. Për Spanjën propozimet vijnë me shumë vonesë, sepse problemet aty duhen zgjidhur urgjentisht.

Komisioneri i BE-së për Tregun e Brendshëm, Michel Barnier.
Komisioneri i BE-së për Tregun e Brendshëm, Michel Barnier.Fotografi: dapd

Për herë të parë që nga viti 2008 bankat janë shqetësimi më i madh i BE. Shumë institute në Europë u shpëtuan atëherë nga shkatërrimi me para publike. Në kuadër të mundësisë së largimit të Greqisë nga unioni monetar dhe dobësimit të bankave spanjolle, BE ndodhet sërish në një krizë bankare. Sikur të jetë nevoja që bankat të shpëtohen përsëri, atëherë jo me shpenzime publike, këtë e parashikojnë së paku propozimet e Komisionerit të BE-së për Tregun e Brendshëm, Michel Barnier.

„Ne nuk duam që taksapaguesit të paguajnë më. Bankat duhet të paguajnë për bankat. Ne duam që çdo shtet anëtar të ofrojë instrumente të efektshme, për të vepruar, para se të jetë vonë. Që të vlerësojë rrezikun e çdo banke, të veprojë në mënyrë parandaluese, para se rreziku të kthehet në krizë dhe katastrofë, për të cilën të kërkohet, që të paguajë taksapaguesi."

Vendet e BE-së sipas propozimeve të Komisionit duhet të ndërtojnë fondet e veta të emergjencës, për t'u ardhur në ndihmë bankave. Paratë duhet të vijnë nga një taksë bankare. Mbikqyrësit kombëtarë duhet të shkarkojnë edhe menaxherët e paaftë të një banke, ose të detyrojnë që të kryhen ristrukturime. Këto janë vetëm propozime, të cilat, nëse pranohen në këtë mënyrë, do të bëhen ligj pas disa vitesh. Për situatën në Spanjë ata vijnë shumë vonë, pranon Barnier:

„Unë nuk mund të them se ky propozim do të mund të zgjidhë rastin e Bankia-s (një bankë e madhe spanjolle), apo të bankave spanjolle. Por ajo, që unë mund të them, është, që ky propozim bëhet pikërisht për të penguar situata të tilla në të ardhmen."

A është Spanja tepër krenare të pranojë fondin e shpëtimit?

Spanja ka në fakt vështirësi të mëdha për t'u rifinancuar në tregun e kapitalit, sepse përqindjet për rastet e rrezikut po bëhen të papërballueshme. Spanja megjithatë e refuzon ndihmën e ombrelës së shpëtimit EFSF. Problemi kryesor i Spanjës janë bankat e saj, që vuajnë që nga koha e krizës së imobilieve. Spanja dëshiron që EFSF të ndihmojë direkt bankat, jo përmes shtetit. Barnier sqaron edhe një herë situatën ligjore dhe thotë se bankat e dinë mirë, se një ndihmë e tillë direkte nuk është e mundur. Por ai kërkoi, që të shqyrtohet mundësia për të ardhmen.

Presidenti i BQE Mario Draghi kërkoi nga Spanja, që të japë shifrat e sakta. Në një konferencë shtypi në Frankfurt mbi Main, ku ai shpjegoi vendimin e Bankës Qendrore për normën e interesit, Draghi nuk përjashtoi në mënyrë të prerë një ndihmë të drejtpërdrejtë për bankat spanjolle nga EFSF:

Shefi i BQE Mario DraghiFotografi: Reuters

„Besoj se çdo vendim për EFSF duhet të mbështetet në një vlerësim realist të nevojës së rikapitalizimit të bankave dhe të fondeve në dispozicion të shtetit, pa kërkuar ndihmë nga jashtë. Vlerësimi duhet të jetë realist, i bazuar në fakte dhe të dhëna."

Çdo ditë gjendja bëhet më dramatike

Sidomos shtetet e forta si Gjermania nuk janë të gatshme, që krahas përgjegjësisë për sistemet e shpëtimit të përgjigjen edhe për bankat spanjolle. Sidomos fare e paqartë është se sa i lartë është me të vërtetë rreziku. Por koha nuk pret, për Spanjën duhet gjetur një zgjidhje. Në Bruksel një zëdhënës i komisionerit të BE për Çështjet Monetare, Oli Ren, i bëri thirrje Spanjës të veprojë. Qeveria e ka kuptuar këtë me sa duket. Ministri spanjoll i Financave, Luis de Guindos, tha para një komisioni të Parlamentit Evropian në Bruksel, se pas dy javësh do të jenë gati raportet për gjendjen e bankave. Atëherë qeveria do të thotë, se si e parashikon rehabilitimin e bankave. Por me kalimin e çdo ditë situata është bërë më dramatike.

Autor: Christoph Hasselbach / Angjelina Verbica

Redaktoi: Esat Ahmeti