1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Sfidat e komuniteteve për punësim në institucionet publike

18 Shtator 2024

Edhe pse integrimi i komuniteteve është pjesë e procesit të zgjerimit të BE-së punësimi i pjesëtarëve të komuniteteve rom dhe ashkali në institucionet publike në Shqipëri dhe Kosovë vazhdon të mbetet sfidë.

Flamuri i komunitetit rom
Flamuri i komunitetit rom Fotografi: Fabian Sommer/dpa/picture alliance

Zërat e Ramadush Limanit dhe Vera Hoxhës hasën në vesh të shurdhër në shtetet prej nga ata vijnë, Kosovë dhe Shqipëri, por ata nuk hoqën dorë nga dëshira e tyre për gjetur një vend pune në ndonjë institucion shtetëror, edhe pse nga ato ishin refuzuar disa herë. 

"Romët e Kosovës, ashkalinjtë dhe egjiptianët jetojnë tradicionalisht në Kosovë dhe kanë kontribut thelbësor në shoqërinë e larmishme të saj me traditat dhe kulturat e tyre të spikatura. Pjesëtarët e këtyre tri komuniteteve pakicë janë të shpërndarë në tërë Kosovën. Numri më i madh është në komunat Ferizaj, Fushë Kosovë, Gjakovë, Pejë dhe Prizren”, thuhet në raportin e Organizatës për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë, Misioni në Kosovë.

Ramadush LimaniFotografi: RYCO Regional Youth Organizations

Ëndrra dhe realiteti për romët dhe ashkalinjtë

Ramadush Limani, me përkatësi etnike ashkali, ka studiuar në degën Banka Financa dhe Kontabilitet. Ai ka aplikuar pesë herë për pozicione të ndryshme në tri institucione shtetërore në Kosovë, por në shumicën e rasteve është refuzuar pas intervistës me gojë.

"Deri në momentin kur u diplomova në fakultet, kisha një entuziazëm shumë të madh për të qenë dikush i rëndësishëm në shoqërinë tonë, mirëpo pasi u diplomova e vërejta që barrierat me të cilat përballemi ne si komunitete janë ekstreme”, thotë Limani, dëshira e të cilit për të punuar në institucione shtetërore ka mbetur e paplotësuar. 

Vera Hoxha*, e cila është pjesë e komunitetit egjiptian, ka aplikuar gjithashtu para disa vitesh në institucione shtetërore në Shqipëri për një praktike pune të papaguar në kuadrin e Programit Kombëtar të Praktikave të Punës, por edhe pse i plotësonte të gjitha kriteret, ajo nuk u pranua. "Sapo kisha mbaruar bachelorin për gjeografi dhe e pashë si një mundësi të mirë për të marrë më shumë përvojë. Nuk u pranova, as nuk u njoftova përse nuk isha pranuar, kur dokumentacionin e kisha në rregull. Unë kisha filluar të përfshihesha në advokim dhe në çdo takim me përfaqësues të institucioneve publike hasnim me shprehje të tilla mundësi ka, por ju nuk aplikoni”, tregon Hoxha. 

Edhe pse shtetet e tyre ua mbyllën dyert dhe nuk u ofruan vende pune për të cilat ata kanë ëndërruar dhe punuar, Limani dhe Hoxha asnjëherë nuk hoqën dorë nga dëshira për të punuar dhe ndërtuar karrierën në drejtimet për të cilat kanë studiuar. 

Të dy kanë vazhduar punën në organizata të shoqërisë civile në vendet ku janë rritur. Limani tani punon si financier në organizatën "Voice of Roma, Ashkali and Egyptians”, ndërsa Hoxha bashkëpunon me organizata të ndryshme ndërkombëtare dhe ka vazhduar studimet për mësuesi, kreu praktikën profesionale dhe tashmë është gati të marrë licencën e mësuesisë dhe të realizojë ëndrrën e saj për të qenë mësuese. "Si pjesëtar i komunitetit në aspektin e punësimit e ndjej veten shumë të diskriminuar, sepse, efekti i parë ku ti aplikon për një punë është ngjyra jote, në momentin kur shihet ngjyra jote dhe jo dituria çka me pritë në këtë rast”, thotë Ramadush Limani. 

Habit Hajredini, drejtor në Zyrën për Qeverisje të Mirë në kuadër të zyrës së Kryeministrit të KosovësFotografi: RYCO Regional Youth Organizations

"Premtimet” e shtetit për punësimin e komuniteteve 

"Punësimi i pjesëtarëve të komuniteteve rom dhe ashkali në institucionet publike të Republikës së Kosovës nuk përbën vetëm një çështje politike por një domosdoshmëri dhe detyrim ligjor që rezulton nga parimet universale të trajtimit të barabartë, të të drejtës për punësim dhe të mos diskriminimit”, thuhet në Strategjinë për Avancimin e Komuniteteve Rom dhe Ashkali në Republikën e Kosovës.

Që nga viti 2010 Ligji për Shërbimin Civil të Republikës së Kosovës përcakton përfaqësimin në shërbimin civil për komunitetet jo shumicë përmes kuotës minimale prej 10 për qind në nivel qendror dhe përfaqësimit proporcional me përbërjen demografike në nivel komunal. Në një raport të OSBE-së të vitit 2020 në 24 komuna të hulumtuara në Kosovë, vetëm 10 komuna e kishin përmbushur pragun minimal për përfaqësimin e përgjithshëm të komuniteteve në shërbimin civil.

Habit Hajredini, drejtor në Zyrën për Qeverisje të Mirë në kuadër të zyrës së Kryeministrit të Kosovës, thotë se strategjia kombëtare për komunitet rom, ashkali dhe egjiptian, ka si një ndër komponentët kyç në politikat nacionale punësimin. Përmes kësaj strategjie pritet që në vitet në vazhdim të ketë përmirësim në punësimin e komuniteteve. 

"Kur kemi parë që institucionet hapin thirrje, në rastin konkret në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës, kemi takuar instancat më të larta dhe u kemi rikujtuar që duhet të respektohet ligji, por pa shkelur procedurat, sepse këtu kemi të bëjmë me aspekte profesionale, pra jo se që duhet të jetë rom ose ndonjë etni tjetër, por ata që përmbushin kriteret. Kemi parë disa rezultate pozitive, që megjithatë nuk janë të kënaqshme”, thotë Hajredini.

Romina Sefa, aktiviste dhe drejtuese e Qëndrës për Advokim Social në TiranëFotografi: RYCO Regional Youth Organizations

Integrimi i komuniteteve dhe procesi i zgjerimit 

Si Shqipëria, ashtu edhe Kosova nënshkruan në vitin 2019 Deklaratën e Poznanit. Kjo deklaratë, e njohur edhe si Deklarata e Partnerëve të Ballkanit Perëndimor për Integrimin e Romëve në kuadër të procesit të zgjerimit të Bashkimit Evropian, kërkon që rritja e shkallës së punësimit të romëve në sektorin publik të ndodhë në një shkallë proporcionale me numrin e tyre në numrin e përgjithëm të popullsisë, dhe një rritje me të paktën 25% të punësimit të romëve në institucionet publike. 

Në ndryshim nga Kosova, Shqipëria nuk ka kuota të përcaktuara me ligj për punësimin e pakicave kombëtare në institucione shtetërore. Pjesëtarët e pakicave kombëtare në Republikën e Shqipërisë ushtrojnë të drejtat dhe liritë e tyre në përputhje me Ligjin për Pakicat Kombëtare, i cili nuk parashikon kushte të veçanta për punësimin e tyre. Kjo mund të shpjegohet me faktin se, sipas të dhënave të Censusit 2011, Shqipëria është kryesisht një vend me homogjenitet etnik. Personat që janë vetëdeklaruar si minoritete etnike përbëjnë më pak se 2% të popullsisë. Ndër këto minoritete popullsia rome numëron 8.301 vetë dhe ajo egjiptiane 3368 vetë, pra më pak se 0,5% e numrit të përgjithshëm të popullsisë prej 2,8 milionë banorësh. 

Romina Sefa, aktiviste dhe drejtuese e Qëndrës për Advokim Social në Tiranë shprehet se duke qenë se nuk ka të dhëna të sakta për numrin e popullatës që i përket minoritetit rom apo egjiptian, bëhet i vështirë argumentimi, se përse nevojiten kuota për përfaqësimin në administratën publike apo kuota për përfaqësim politik. 

Sipas të dhënave të regjistrimit të popullsisë në vitin 2011 në Kosovë jetojnë 8.824 romë, 15.436 ashkalinj dhe 11.524 egjiptianë.

Hulumtimi Kombëtar mbi Anticiganizmin në Kosovë bën të ditur se përjashtimi nga pushteti ka të bëjë me përdorimin e kritereve në dukje neutrale për të kufizuar qasjen e romëve, të ashkalinjëve dhe të egjiptianëve në të drejta ose shërbime të caktuara. Për shembull regjistrimi i lindjeve, qasja në sistemin e kujdesit shëndetësor, qasja në të gjitha nivelet e arsimit dhe trajtimi i barabartë në punësim. 

"Këto rezultate dhe qasja e pabarabartë, që zakonisht përkufizohen si diskriminim indirekt, krijojnë një mjedis frikësues ose fyes, zakonisht për një grup pakicë dhe ose një grup më pak të fuqishëm. Kjo është mënyra se si funksionon përjashtimi. Trajtimi i tillë institucional i romëve ashkalinjve dhe egjiptianësve është edhe më i jashtëzakonshëm pasi kanë karakter kolektiv”, thuhet në këtë raport. 

Isak Skenderi, drejtor i organizatës Voice of Roma, Ashkali and Egyptians në KosovëFotografi: RYCO Regional Youth Organizations

Ndryshim pozitiv, por jo i mjaftueshëm

Isak Skenderi, drejtor i organizatës Voice of Roma, Ashkali and Egyptians në Kosovë thotë se në dy vitet e fundit ka pasur një ndryshim pozitiv sa i përket punësimit të pjesëtarëve të komuniteteve rom, të ashkalinjve dhe të egjiptianëve në Kosovë, por që kjo nuk është e mjaftueshme.  "Në këtë drejtim ne kemi dy realitete, një realitet është mosarsimimi adekuat i komuniteteve, gjë që i bën ata që të mos jenë konkurrentë në tregun e punës, veçanërisht kur bëhet fjalë për konkurrim për vende pune në institucione publike. Por në anën tjetër kemi një situatë ku ekziston një hezitim prej institucioneve për të punësuar dhe ofruar mundësi punësimi për pjesëtarët e komuniteteve, pra e kemi një farë hezitimi që mund të arsyetohet me stigmën që e ka bazën tek anticiganazimi”, thotë Skenderi. 

Ai gjithashtu tregon se një stigmë e ndërtuar ndër vite ka ndikuar që një pjesë e qytetarëve hezitojnë të pranojnë të punojnë në një hapësirë me pjesëtarë të komuniteteve. "Edhe pse ligji për shërbimin civil garanton pjesëmarrje të barabartë për të gjitha komunitetet në shërbim publik, sot kemi ende një nënpërfaqësim të dukshëm të komuniteteve. Sipas shifrave të fundit vetëm 0.3% e gjithë punonjësve civilë janë nga komunitetet rom, ashkali dhe egjiptian”, thotë Skenderi. 

Për të ulur diskriminimin dhe paragjykimet në planin aktual të Shqipërisë synohet që gati 90 % e institucioneve që ofrojnë shërbime publike të jenë të trajnuar për anticiganizimin deri në vitin 2025. Kjo sepse sipas konstatimeve një ndër problemet që ndikojnë drejtpërdrejtë në integrimin në tregun e punës të romëve dhe të egjiptianëve është diskriminimi, i cili shfaqet jo vetëm gjatë procesit të rekrutimit, por edhe në kushtet e punës, në pagesa apo në përparimin në karrierë.

"Ne kemi kërkuar të kemi përfaqësim në administratën publike. E kemi kërkuar këtë përmes Planit Kombëtar të Veprimit për Integrimin e Romëve dhe Egjiptianëve duke qenë se aty ka politika konkrete për punësimin e këtyre minoriteteve. Ka edhe disa konkluzione operacionale që ndërmerr Bashkimi Evropian një herë në dy vjet si pika strategjike se çfarë duhet të ndjekin vendet kandidate, një ndër dokumentat më të fundit është edhe deklarata e Poznanit. Në Planin Kombëtar është parashikuar si aktivitet të vendosen kuota për punësimin e romëve dhe të egjiptianëve në administratën publike gjë që deri tani nuk ka ndodhur”, tregon Romina Sefa, drejtuese e Qëndrës për Advokim Social në Tiranë. 

Fotografi: Bekim Shehu/DW

Ndikimi i arsimit në punësimin e komuniteteve 

Arsimi cilësor dhe i vazhdueshëm hap dyert për sfida të reja dhe mundësi për të përparuar në karrierë, i ndihmon të rinjtë të ndërtojnë një të ardhme më të ndritshme për veten, familjet e tyre, dhe komunitetet e tyre.

"Arsimi dhe punësimi në shtet janë të ndërlidhur, sepse kur ne nuk kemi breza që diplomohen dhe mbarojnë universitetin, atëherë çfarë mund të kërkojmë si përfaqësim në administratën publike. Sepse normalisht ka disa kritere që duhen plotësuar për t'u punësuar në administratë. Ky është projeksioni për të ardhmen, e ardhmja duket disi e vështirë, sepse shifrat nuk janë atje ku duhet të ishin”, thotë Romina Sefa. 

Në Shqipëri nuk ka të dhëna të sakta për të rinjtë nga komuniteti rom dhe egjiptian që mbarojnë shkollën e mesme dhe regjistrohen në të lartën. Megjithatë janë vendosur kuota të posaçme për regjistrimin e studentëve nga këto komunitete në çdo degë që ata dëshirojnë, gjë që në vetvete është një diskriminim pozitiv. Nga ana tjetër është vendosur me një vendim nga Këshilli i Ministrave, kriteri minimal i mesatares 6.5 për t'u pranuar në universitet. Sipas Sefës këto 2 vendime kundërshtojnë njëra-tjetrën.

"Kjo i ka penalizuar të rinjtë rom dhe egjiptianë që arrijnë të regjistrohen në universitet. Duhet theksuar që jo të gjithë arrijnë ta mbarojnë shkollën e mesme, si dhe jo të gjithë arrijnë të regjistrohen në shkollën e mesme apo profesionale për shkak të faktorit ekonomik dhe problematikave sociale apo familjare të cilat ndikojnë edhe në performancën e tyre në shkollë”.  

Urma MeneksheFotografi: RYCO Regional Youth Organizations

Për Shqipërinë, Sefa mendon se krijimi i kuotave për të rinjtë romë dhe egjiptianë që kanë formimin e duhur dhe të mund të përfaqësojnë interesat e komunitetit të tyre do të ndikonte pozitivisht në shoqëri. I të njëjtit mendim është dhe Isak Skenderi nga Kosova. "Veçanërisht institucionet kur është fjala tek plotësimi i kuotës duhet me zhvillu përveç masave afirmative, të cilat jo vetëm i stimulojnë pjesëtarët e komuniteteve me apliku, sepse nuk është se ata nuk aplikojnë, por u ofrojnë mundësi atyre që kërkesat, aplikimet e tyre me u trajtu më seriozisht dhe me ju ofru përparësia aty ku është e mundshme”, thotë Skenderi. 

Kurse sipas Romina Sefës ky numër tregon që nuk ka të punësuar nga minoriteti rom apo egjiptian në administratën publike, si dhe mungesën e informacionit për të drejtat e tyre. "E ardhmja nuk është shumë premtuese. Ne kemi breza të cilat janë diplomuar në vitet e mëparshme, një ndër to jam dhe unë, por edhe kolegë aktivistë dhe persona nga komuniteti të cilët pjesën më të madhe të angazhimit të tyre e kanë përmes organizatave të shoqërisë civile dhe me projekte që kanë të bëjnë me minoritetet rom dhe egjiptian. Shumë pak vetë, 3-4 kanë arritur të jenë pjesë e administratës publike edhe pse janë me diplomë Bachelor apo Master dhe i plotësojnë kriteret nuk janë punësuar”, tregon Sefa.

Sipas raportit "Diskriminimi Sistematik në Hapësira dhe Punësim” të organizatës Internews Kosova në Universitetin e Prishtinës, ”Hasan Prishtina”, i cili është edhe Universiteti më i madh në Kosovë, thuhet se  "UP nuk ka të punësuar personel me aftësi të kufizuara dhe nuk ka persona nga radhët e komuniteteve jo shumicë të punësuar. Ndërsa brenda rregullativës së brendshme të institucionit nuk ekzistojnë dispozita që parashikojnë lehtësime për punësimin e punonjësve nga kjo kategori”. 

Urma Menekshe, është një nga mësimdhënëset e pakta nga komunitetet, të cilat ushtrojnë profesionin e mësueses në shkolla publike në Kosovë. Ajo ka filluar punën si mësuese e gjuhës dhe e kulturës rome në vitin 2020, në shkollën fillore "Mati Logoreci”, në Prizren. 

"Unë mendoj se duhet të kemi kuota për punësimin e komuniteteve rom, ashkali dhe egjiptian, mirëpo ato nuk duhet të keqpërdoren, sepse, nuk po mundemi me një letër me ju tregu se i përkasim komunitetit pakicë, mirëpo ka shumë raste kur kjo keqpërdoret nga komuniteti shumicë, për shembull e përdorin në universitete dhe regjistrohen për përfundim të shkollimit”, thotë Meneksh.  

TiranaFotografi: Micha Korb/pressefoto korb/picture alliance

Në Shqipëri ekziston institucioni i Komisionierit për Mbrojtjen nga Diskriminimi, i cili siguron mbrojtjen efektive nga diskriminimi dhe nga çdo formë sjelljeje që nxit diskriminimin për një sërë shkaqesh, ndër to dhe raca dhe etnia.

Irida Troshani, koordinatore për të drejtën e informimit te Komisioneri i Diskriminimit thotë se "në vitet 2022 dhe 2023, janë shqyrtuar gjashtë ankesa nga Komisioneri për Mbrojtjen nga Diskriminimi, për raste të pretenduara për diskriminim për shkak të racës dhe të etnisë, dhe katër prej tyre kanë qenë kundrejt institucioneve publike”. 

"Ky numër tregon që nuk ka të punësuar nga minoriteti rom apo egjiptian në administratën publike. Rasti më i fundit që unë di, ka të bëjë me një zonjë që punonte në sektorin e mirëmbajtjes në një ministri, nuk kishte as influencë, as pushtet, pra një punonjëse e thjeshtë. Ajo u shkarkua nga puna pas 35 vjetësh me arsyetimin se kishte shkelur etikën në punë. Ajo aktualisht po e ndjek çështjen me një avokat edhe në gjykatë do ta ndjekë edhe tek Komisioneri për Diskrimimin, sepse mendon se i është shkelur e drejta”, thotë Sefa.

Kurse në Kosovë ku ka një Platformë Kombëtare për Mbrojtjen nga Diskriminimi për Komunitetet Rom, Ashkali dhe Egjiptian, në periudhën qershor 2022 deri në nëntor 2023 janë raportuar 39 raste diskriminimi. 18 prej tyre janë duke u trajtuar nga institucionet përkatëse. 

Përjashtimi dhe diskriminimi i romëve dhe i egjiptianëve ka ekzistuar ndër shekuj. Kapërcimi i tij kërkon angazhim afatgjatë nga të gjithë ne, thuhet në Planin Kombëtar të veprimit në Shqipëri.

*) Vera Hoxha është emër ilustrues, sepse ajo është në fazë aplikimi për punë dhe ka frikë që publikimi i emrit të vërtetë mund t'i prishë punë në procesin e përzgjedhjes.

 

 

Autore: Gentiana Ahmeti, Oriada Dajko 

Ky material u përgatit në kuadër të projektit "Transmetuesit e Paqes: Fuqizimi i gazetarëve të rinj si raportues të paqes" organizuar nga RYCO në bashkëpunim me DW.