1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Sfidat e pajisjes së nxënësve minoritarë me tekste mësimore

Arben Muka23 Shkurt 2013

Autoritetet e arsimit në Shqipëri kanë ngritur një strukturë të posaçme për prodhimin e teksteve për nxënësit e minoritetit grek dhe maqedonas.

Fotografi: DW/A. Muka

Për shumë vite pajisja e nxënësve të minoritetit grek dhe atij maqedonas me tekste mësimore ka qenë shumë problematike. Duke e lënë në dorë të sektorit privat autoritetet arsimore të Shqipërisë janë përballur me probleme të kostos shumë të lartë të botimit të tyre, si dhe aspektit të shpërndarjes. Prej një viti Ministria e Arsimit dhe Shkencës në Tiranë ka ngritur një strukturë të posaçme, shtëpinë botuese të teksteve mësimore, BOTEM, që mbulon shtypshkrimin e librave që nevojiten për nxënësit e pakicave kombëtare dhe për arsimin profesional.

Jovan Kristiqi, këshilltar në Ministrinë e Arsimit dhe Shkencës thotë për DW se gjeografikisht klasat e pakicave kombëtare janë lokalizuar në jug të vendit, në Gjirokastër, Sarandë e Delvinë, për minoritetin grek, dhe në qarkun e Korçë, në Juglindje, për nxënësit nga minoriteti maqedonas. Sipas tij, bëhet fjalë për afër 800 nxënës të minoritetit grek dhe për afër 200 nga minoriteti maqedonas. Këta i takojnë kontigjentit të nxënësve të sistemit 9-vjeçar, që në Shqipëri është arsnimim i detyrueshëm me ligj.

Jovan Kristiqi, këshilltar në Ministrinë e Arsimit dhe ShkencësFotografi: DW/A. Muka

Kurrikula e mësimeve që zhvillohet në këto shkolla është e veçantë dhe konsiderohet si pjesë e kurrikulave të pakicës kombëtare. Në bazë të programit mësimor të miratuar nga Ministria e Arsimit dhe Shkencës, në pjesën dërmuese prej afër 65 përqind, lëndët që kryejnë nxënësit janë në gjuhën amtare, pra në greqisht ose maqedonisht, ndërkohë që pjesa tjetër, prej afër 35 përqind, zhvillohet në gjuhën shqipe".

Botimi ka kosto të lartë

Sipas një planifikimi që bëhet nga drejtoritë rajonale në bazë të numrit faktik, tekstet që u shpërndahen këtyre nxënësve deri në nivelin e klasës së pestë janë të ndryshme në përmbajtje, si për lëndët në gjuhëm amtare ashtu dhe për pjesën në gjuhën shqipe. Kurse nga klasa e gjashtë deri në të nëntën janë të njëllojta me ato që zhvillojnë të gjithë nxënësit në të gjithë vendin. Janë 91 tituj tekstesh për minoritetin grek dhe 91 tituj për minotitetin maqedonas, ku 27 prej tyre hyjnë në fondin e lëndëve alternative, që përzgjidhen nga vetë stafet pedagogjike të këtyre shkollave.

Ekspertët e arsimit e konsiderojnë si të kushtueshëm prodhimin e këtyre teksteve që përdoren për minoritetin, jo vetëm sepse në numër titujsh janë më shumë se sa ato që përdorin nxënësit që mësojnë në gjuhën shqipe, por dhe sepse tirazhi për secilin titull është i kufizuar.

Lirika Çoçoli, drejtore e BOTEMFotografi: DW/A. Muka

"Kanë kosto të lartë, por ato subvencionohen tërësisht nga shteti shqiptar, që do të thotë se nxënësit nuk paguajnë asnjë lek në blerjen e tyre. Për t'iu përgjigjur angazhimit tonë në sigurimin e teskteve në gjuhën amtare ne kemi ngritur për herë të parë në këtë vit shkollor një shtëpi botuese shtetërore, që ka për fokus prodhimin dhe shpërndarjen sipas kërkesave që ka tregu. Botimi i tyre i mëparshëm në sektorin privat kishte kosto më të lartë dhe nuk i përgjigjen normalisht nevojave. Për vitin e ri shkollor që nis pas afër 7 muajsh objektivi ynë është që prodhimin e teksteve për sistemin e pakicave kombëtare ta realizojmë në këtë shtëpi botuese" - thotë për DW, Lirika Çoçoli, drejtore e BOTEM-it.

Po rritet interesimi nga rikthimi i emigrantëve

Efektet e krizës ekonomike që kalon shteti helen janë shfaqur dhe në këtë sektor. Një pjesë të titujvë të teskteve, 24 prej tyre përkthimi i të cilave mbulohej me fonde të qeverisë greke, për këtë vit shkollor janë përballuar nga buxheti i shtetit shqiptar. Drejtoresha e BOTEM-it shprehet se muajt e fundit është vënë re një interesim më i madh për këto tekste nga rikthimi në Shqipëri i familjeve të emigrantëve. "Në bashkëpunim me drjetoritë arsimore në aktualizojmë shifrat e frekuentimit, për t'ju përgjigjur të gjithë kontigjentit me këto teskte."

BOTEM është i angazhuar dhe në përgatitjen dhe shpërndarjen e teksteve me zgjedhje që përdoren në sistemin e arsimit të mesëm, që do të thotë nga klasa e nëntë deri në të dymbëdhjetën. Vetë riorganizimi i BOTEM si strukturë më vete e lehtëson përmbushjen e këtij objektivi", thotë Lirika Çoçoli.