1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Sfidat e prokurores speciale në Maqedoni

Fatos Musliu18 Shtator 2015

Maqedonia ka një prokuror special me autonomi të plotë për hetimin e aferës së përgjimeve. Kompetencat dhe hapësir ae veprimit të prokurorit special janë të gjera, por ekspertët janë të rezervuar në vlerësimet e tyre.

Mazedonien Katica Janeva neuer Generalbundesanwalt
Katica Janeva, prokurore speciale e MaqedonisëFotografi: DW/P. Stojanovski

Pas bisedimeve maratonë (11.09)katër partitë më të mëdha në Maqedoni arritën kompromis për zgjedhjen e prokurores speciale, që do të punojë në hetimin e aferës së përgjimeve. Me shumicë apsolute të votave Parlamenti i Maqedonisë zgjodhi prokuroren speciale Katica Janeva, e cila aktualisht është prokurore aktuale në gjykatën e Gjevgjelisë. Në deklaratën e parë për media Janeva theksoi, se puna e mirëfilltë do të fillojë pas një muaji, pasi ta ketë kompletuar ekipin e saj. “I falënderoj të gjithë faktorët politik dhe ndërkombëtar, të cilët qëndruan pas zgjedhjes sime për Prokurore Speciale. Qëndroj para jush e vetme, por për një muaj do të më shihni me ekipin tim pas meje, duke marrë në dorë rastet që janë në kompetencë të Prokurorisë Speciale dhe do të fillojmë nga puna”, u shpreh Katica Janeva, Prokurore Speciale.

Ajo do të ketë mandat 4 vjeçar me të drejtë rizgjedhjeje. Prokuroria Speciale ka kompetencë të ngrejë padi penale ose ta mbyllë procedurën e hetimit për një rast caktuar, më së voni 18 muaj pas nisjes së hetimeve. Sipas ligjit prokurori special do të jetë i detyruar të mbikqyrë bisedat e përgjuara nga viti 2008 deri në vitin 2015. Prokuroria speciale do të kërkojë ndihmë juridike ndërkombëtare dhe bashkëpunim rreth çështjeve që janë në kompetencat e saj, në përputhje me ligjin dhe marrëveshjet ndërkombëtare.

Zaev: Prokurori special do të ketë autonomi të plotë

Kreu i opozitës maqedonase Zoran Zaev i cili e ka bërë publike aferën e përgjimeve, me zgjedhjen e prokurores speciale beson në epilogun gjyqësor - siç thotë ai - për keqpërdorimet e shumta kriminale të zyrtarëve të dëshmuara nga bisedat e përgjuara telefonike:“Ligji garanton autonomi të plotë në punën e prokurorit special. Mendoj se pavarësia në punën e tij është e garantuar. Bëhet fjalë për një prokurore, e cila nuk ka kurrfarë ngjyrime politike”, deklaroi kreu i opozitës Zoran Zaev.

Fotografi: picture-alliance/AP Photo/B. Grdanoski

BDI : Prokurori special me gamë të gjerë veprimi

Nga Bashkimi Demokratik për Integrim thonë se marrëveshja për prokurorin special parashikon aplikimin e parimit të Badinterit, jo vetëm në zgjedhjen e prokurorit special, por edhe të prokurorëve të tjerë duke garantuar me këtë legjitimitet të dyfishtë dhe konsensual të këtij institucioni. Gjithnjë sipas BDI-së, ligji ia mundëson gjithashtu prokurorit special të drejtën e procedimit edhe të rasteve "Monstra" dhe "Sopoti", procese këto që kontestohen jo vetëm nga familjarët, por edhe nga opinioni më i gjerë, përfshirë edhe partitë politike.

Kryetarja e partisë DOM, Liljana Popovska, vlerëson se emërimi i prokurores speciale është një mundësi për t'i pastruar pasojat e tërmetit juridik në Maqedoni, ku viktimë u bënë shteti ligjor, të drejtat dhe liritë e njeriut. “Ligji për prokuror special na duhet, sepse na kanë sjellë në situatë speciale, e cila kërkon masa speciale. Kështu tani kemi prokuror special tani, por së shpejti ndoshta duhet edhe Gjykata Speciale”, vlerëson Popovska.

Ekspertët të rezervuar në vlersimet për prokurorin

Prokurorinë Speciale si institucion e pret një periudhë e vështirë, e mbushur me shumë sfida , thonë ekspertët juridik. "Prokuroren Speciale e pret shumë punë, ndaj duhet formuar sa më parë edhe një ekip profesional. Prokurorja Speciale në një afat sa më të shkurtër kohor duhet të dalë me veprime konkrete me ngritjen e aktakuzave ndaj rasteve të caktuara”, thekson Magarita Caca Nikollovska, ish- gjykatëse në Strazburg.

Bajram Pollozhani, ekspert për çështje kushtetuese, thotë se pritjet nga Prokuroria Speciale nuk janë dhe aq inkurajuese, sepse siç thotë ai, nuk u ndryshua Ligji për Gjykata e as Ligji i Policisë në bazë të të cilit Prokurori Special mund të kërkojë hetime plotësuese. “Ndryshe do të ishte sikur të kishte ndryshuar kushtetuta, të ishin parashikuar ndryshime në ligjin për gjykata, të ishte ngritur një tribunal me gjykata dhe kolegje penale dhe speciale me status të pavarur nga ndikimet e pushtetit. Por aspekti politik është përmbushur, rëndësi ka që kjo i hap rrugë zgjidhjes së krizës politike”, thekson Pollozhani.

Ligji i mundëson autonomi të plotë dhe e bën të pavarur prokurorin special në raport me Prokurorinë ekzistuese dhe të gjitha lëndët që kanë të bëjnë me përgjimet bëhen automatikisht lëndë e kësaj prokurorie, thotë Naser Zyberi, njohës i çështjeve juridike. Sipas tij, obstruksionet nuk janë dukuri e panjohur në Maqedoni.“Obstruksione mund të vijnë vetëm nga qeveria, megjithatë besoj, se faktori ndërkombëtarë do të jetë prezent në gjithë këtë fazë dhe me ekipet e tyre do të kontribuojnë me ekspertiza të ndryshme”, shprehet Zyberi.

Profesor Lubomir Fërçkovski vlerëson se nga natyra se si është zgjedhur prokurorja e bën atë të shpresojë se kjo marrëveshje do të jap fryte. “Amerikanët kanë vendosur për zgjedhjen e prokurores së re. Kjo flet se amerikanët kanë pasur rol kyç edhe në disiplinimin e partisë që qeveris dhe kjo më jep shpresë se ata do ta marrin nën mbrojtjen e tyre. Kjo është më me rëndësi, se sa emri i prokurores”, thekson Fërçkovski

Prof. Osman Kadriu mendon se është herët për të folur për kredibilitetin e prokurores së re. “Të flitet për profilin e prokurorit special është akoma herët, ende nuk jemi në dijeni për kapacitetin e saj. Por, ndodhi që një prokuror i shkallës më të ulët në prokurorinë shtetërore të zgjidhet prokuror special, që ka një detyrë tejet vështirë. Ajo nuk duhet të jetë e varur nga asnjë lloji ndikimi përndryshe do të kemi dështim total”, thekson Kadriu.