Sfidat mbeten: Reagime pas zgjedhjeve në Kosovë
10 Qershor 2014Zgjedhjet e parakohshme parlamentare në Kosovë tërhoqën vëmendjen e medias gjermane edhe para zhvillimit të tyre - por ditët e fundit të gjitha gazetat kryesore gjermane i kanë kushtuar vëmendje zhvillimit të zgjedhjeve si një provë për demokracinë kosovare, duke mos harruar sfidat që ka Kosova përpara për ngritjen e një shoqërie demokratike multikulturore, zhvillimin e ekonomisë në shtëpinë e varfër të Europës, por sidomos luftimin korrupsionit të kudogjendur në vend.
Atmosfera e qetë - suksesi më i madh
Gazeta gjermane "taz" vlerëson atmosferën e qetë të zhvillimit të zgjedhjeve si suksesin më të madh të shtetit më të ri të Europës. Në komentin e saj, "taz" vëren "se vëmendje i duhet kushtuar faktit që një parti e themeluar në shkurt "Nisma për Kosovën" nga dy lufëtarë të njohur të UÇK-së arrin të kapë kufirin e 5%. Themeluesit e kësaj partie janë kundërshtarë të brendshëm të partisë sëThaçit, të cilin ata e akuzojnë për lëshime ndaj serbëve, kjo për shkak të themelimit të Gjykatës që do të shqyrtojë krimet e luftës. Këtu duhet të luajë rol fakti që ata vetë me sa duket janë në fokus të hetimeve. Pjesëmarrja me 43% është në nivelin më të ulët, megjithëse këto zgjedhje shihen si pozitive."
Gazeta "taz" vlerëson faktin që është votuar në të gjithë Kosovën, pasi kjo nuk ka qenë e vetëkuptueshme më parë. Për herë të parë në të gjithë Kosovën serbët morën pjesë në votime, megjithë pjesëmarrjen e ulët në to, nënvizojnë mediat. Në këtë kontekst Dpa ngre shqetësimin: "Se si me klëtë qëndrim refuzues do të bëhet pajtimi me shumicën shqiptare prej 90%, pajtim i nxitur nga BE dhe SHBA, kjo është tani pas këtyre zgjedhjeve më e paqartë se kurrë."
Peizazh politik i përzier
Pas fitores së partisë së kryeministrit Thaçi, media gjermane përmend se ndërtimi i kabinetit të ri qeverisës në Kosovë nuk do të jetë i lehtë, pasi partitë kundërshtare janë forcuar, ndërkohë që partia AKR e Pacollit dështoi. Por Thaçit i duhet të krijojë një koalicion të ri. Kështu agjencia gjermane e lajmeve dpa komenton se zgjedhjet nuk do t'i bëjnë më të vogla problemet e Kosovës. Peizazhi politik është i përzier. Reformat dhe pajtimi me serbët ende larg. "Stabiliteti politik ka tjetër pamje. Zgjedhjet parlamentare nuk sollën mazhoranca të qarta. Kryeministri i deritanishëm, Hashim Thaçi si fitues i këtyre zgjedhjeve sërish do që të krijojë kabinetin e ri. Madje me përfaqësues të pakicës të padashur serbe dhe deputetë të pakicave si turqit. Por analistët nuk i japin nota të mira një koalicioni të tillë për të bërë reformat e duhura në vend."
Zhgënjim i popullatës
Zhvillimi i qetë i procesit zgjedhor është parë pozitivisht nga mediat gjermane, por lidhur me procesin ka pasur edhe kritika nga Radio Gjermane, Deutschland Funk që ironizon se në Kosovë ka aq njerëz me të drejtë votimi sa edhe banorë, pra aty votojnë edhe vogëlushët, gjë që le të hapur mundësinë për manipulime.
Mediat e drejtojnë vëmendjen edhe tek pjesëmarrja e ulët në këto zgjedhje, e cila shihet si një rekord negativ, një ndëshkim i që i bën elektorati politikanëve të tij. Analistët e kuptojnë këtë refuzim si shprehje të pakënaqësisë së madhe të popullsisë në Kosovë, në një kohë kur papunësia kap nivele rekord. Pra gjendja sociale e vështirë, korrupsioni i kudogjendur dhe një drejtësi bashkë me një shëndetësi jofunksionuese shihen si faktorët kryesorë që kanë bërë që populli në Kosovë të mos dalë me shumicë në votime. Po ashtu megjithëse vlerësohet që pakica serbe ka dalë në votime, nuk anashkalohet fakti që ka pasur një pjesëmarrje edhe më të ulët se shumica.