1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Shala. "Nuk duam përbindësh administrativ në Kosovë"

Intervistoi Anila Shuka18 Mars 2006

Intervistë me koordinatorin e grupit negociator të shqiptarëve, Blerim Shala, pas takimit shqiptaro serb

DW: Zoti Shala, cilat janë përshtypjet tuaja nga ky takim?

"Mendoj se kësaj radhe është diskutuar në mënyrë më të detajuar për çështjet që ishin në axhendë, pra financimi i pushtetit lokal, bashkëpunimi midis komunave dhe bashkëpunimi rajonal. Për dallim prej herës tjetër, kësaj radhe edhe pala serbe u përpoq të jetë më konkrete dhe në këtë konkretësi, mund t’ju them që ishte krejtësisht transparente në synimet e saj, që përmes reformës së pushtetit lokal, të arritjë qëllimet e veta, pra të krijojë entitetin e dytë në Kosovë, gjë që është krejtësisht e papranueshme, për fat, jo vetëm për delegacionin e Kosovës, por edhe për grupin e kontaktit dhe kryenegociatorin ndërkombëtar, zotin Ahtisaari.

DW: A pati ndonjë pikë, ku ratë dakord me palën serbe?

Nuk mund të them që kemi pika që ramë dakord, por është e vërtetë që ne respektojmë shqetësimet legjitime të Beogradit, përsa i përket ardhmërisë së komunitetit serb, pas zgjidhjes së statusit, por ashtu jemi të vetëdijshëm që komunat në Kosovë mund të kenë një bashkëpunim intensiv për çështje që janë në interes të përbashkët e që janë pjesë përbërëse e kompetencave të tyre. Por perceptimi i fenomenit është thellësisht kontradiktor midis nesh dhe palës serbe: Pala serbe përpiqet përmes reformës së pushtetit lokal të arrijë që Beogradi të jetë drejtpërdrejt i lidhur me komunat me shumicë serbe dhe që komunat serbe të krijojnë një lloj entiteti të veçantë që nuk do të ketë lidhje të mirëfilltë me pushtetin qendror të Kosovës. Ne përpiqemi që përmes reformës së pushtetit lokal të akomodojmë nevojat dhe shqetësimet e komunitetit serb në Kosovë, por po ashtu të krijojmë një tërësi funksionale në kuadër të pushtetit të Kosovës pas zgjidhjes së statusit. Edhe në këtë aspekt kemi përkrahjen e plotë të bashkësisë ndërkombëtare, të zyrës së Ahtisarit, sepse vetë zoti Rohan ka përsëritur që nuk dëshirojmë që në Kosovë të krijomë një përbindësh administrativ, nuk dëshirojmë të përsërisim gabimet e Bosnjës, por dëshirojmë të kemi një pushtet që të funksionojë në të gjitha nivelet.

DW: Serbët protestuan në fillim për praninë e Thaçit në delegacion. A u ndje ky fakt gjatë bisedimeve?

Shala: Brenda bisedimeve nuk është ngritur kjo çështje nga delegacioni serb. Ne e dëgjuam atë nga ndërmjetësit ndërkombëtarë. Por mendoj se ky është një argument shtesë, se pse pala serbe nuk e kupton natyrën e këtij procesi dhe se çfarë ka ndodhur në Kosovë pas qershorit të vitit 1999. Delegacioni i Kosovës është unik në qendrimin që zoti Thaçi është absolutisht përfaqësues legjitim i Kosovës. Në anën tjetër, zoti Thaçi dhe i gjithë spektri politik kosovar ka legjitimetin e plot zgjedhor dhe askush nuk mund t’i zgjedhë liderët e Kosovës, përveç qytetarëve dhe popullit të saj. Vërejtjet e palës serbe fatkeqësisht tregojnë që asgjë nuk ka ndryshuar në mentalitetin e tyre dhe që ata akoma mendojnë që mund të kenë të drejtë të vendosin se kush do ta përfaqësojë Kosovën.

DW: Më 3 prill do të zhvillohet raundi i tretë. Cila do të jetë përbërja e delegacionit dhe tema që do të trajtohet?

Shala: Përbërjen ne e vendosim disa ditë para bisedimeve, por parimisht mendoj që ky kompozicion do të mbetet me disa ndryshime të vogla. Tema kësaj radhe lidhet me vetë idenë e zotit Rohan dhe zyrës së Ahtisaarit që të përgatisë një material në bazë të përvojës së deritashme, në të cilën do të mundohen të japin propozime konkrete për zgjidhjen e çështjeve të ngritura në takimet e datës 20 shkurt dhe 17 mars.

Kaloje seksionin tjetër Kryeartikujt e DW

Kryeartikujt e DW

Kaloje seksionin tjetër Më shumë zhvillime nga DW