130411 FB-CL Schalke
14 Prill 2011I gjithë qyteti i Gelsenkirhenit është kthyer në arenë. Skuadra e Interit të Milanos u eliminua dhe për herë të parë në historinë e klubit futbollistik Shalke ia del të futet në gjysmëfinalen e Ligës së Kampionëve. Pas fitores sensacionale 5:2 në Milano, blutë e Shalkes e çuan më tej suksesin në stadiumin e tyre. Me rezultatin 2:1 skuadra e nëntë në renditjen e Bundesligës, Shalke, e mundi Interin, në të vërtetë i parë si një favorit i padiskutueshëm. Trajneri Ralf Rangnick shprehet me gëzim: "Më gëzon shumë që skuadra u shpërblye me këtë dhe jo vetëm që ka ecur përpara, por që fitoi edhe këtë ndeshje kthimi."
Sërish ishte skuadra blu, që vendosi piketat: Raul ia doli të shënonte golin e shumëbrohoritur për Shalken, goli i 71-t për Raulin duke zgjeruar edhe distancën e tij me golshënuesit e tjerë në Ligën e Kampionëve. Një sulmues i veçantë, i cili pas bilbilit të gjyqtarit fillimisht u gëzua me grupin e tifozëve duke shijuar brohorimat e tyre. Edhe trajneri e lëvdoi golshënuesin: "E rëndësishme ishte që skuadra luajti në atë mënyrë që Raul të mund t'i nxirrte në pah aftësitë e tij dhe kjo ndodhi. Ajo që më imponon Rauli është se ai e sheh veten si një pjesë të skuadrës dhe luan edhe në këtë mënyrë, kjo duket në çdo pjesë të lojës."
Höwedes nxjerr përfundimisht jashtë ligës italianët
Thiago Motta përkohësisht ia doli të krijonte balancimin me golin e tij, por Benedikt Höwedes me golin e tij dhjetë minuta para fundit të lojës i nxori përfundimisht jashtë Ligës italianët. Në gjysmëfinale Shalken e pret Mançester Junajtedi, i cili ia mbylli dyert skuadrës së Çelsit.
ManU një kundërshtar interesant
Një përballje e vështirë mendon trajneri Rangnick: "Në këtë moment duket se ne nuk kemi kurrfarë shansi, por edhe në këto ndeshje ekziston mundësia, po qe se çdo gjë shkon optimalisht, që të shkojmë deri në finale. Këtë shans do ta kërkojmë, kur të vijë momenti i lojës. Por tani duhet të arrijmë rezultate të mira edhe brenda Bundesligës, sepse me çdo rezultat të mirë, që arrijmë, rritet mundësia për kualifikim në finalen e Ligës së Kampionëve."
Përveç Shalkes luftojnë edhe Barcelona dhe Real Madridi për futjen në finalen e Ligës së Kampionëve.
Autor: Olivia Fritz/Lindita Arapi
Redaktoi: Angjelina Verbica