Shalke kryeson Bundesligën
22 Shtator 2008Java e pestë e kampionatit gjerman të futbollit ishte plot të papritura. I pari në renditje, Hamburgu, humbi dje 3:0 në Volfsburg, duke u larguar nga kryesimi. Vendin e tij e zuri Shalke 04 pasi mundi të shtunën 1:0 Frankfurtin.
Por befasinë më të madhe e përbën humbja 2:5 e Bajernit të Mynihut në fushën e vet kundër Verder Bremenit. Tronditja për bavarezët është e jashtëzakonshme; ata nuk kishin pësuar më shumë se katër gola në një ndeshje në Mynih prej humbjes 0:7 në vitin 1976 kundër Shalkes.
Trajneri i ri i Bajernit, ish-trajneri i kombëtares gjerman, Jyrgen Klinsman, ishte i pari ndër përfaqësuesit e klubit që u shpreh në lidhje me këtë humbje të thellë:
"Është e dhimbshme, sepse ne ishim përgatitur për të arritur një rezultat sa më të mirë. Këto momente janë pjesë e futbollit dhe do të shfaqen herë pas here. Shpresoj që të jenë të rralla. E rëndësishme është që kur je përtokë të ngrihesh shumë shpejt dhe të tregosh reagim dhe me siguri që ne do ta bëjmë këtë."
Rezultatet e tjera ishin këto:
Leverkuzen / Hanover 4:0
Kotbus / Bohum 1:1
Bilefeld / Këln 2:0
Mënhengladbah / Berlin 0:1
Shtutgart / Karlsruhe 3:1, dhe
Hofenhajm / Dortmund 4:1