1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Shalqinj të lirë dhe të mirë - Vështirësitë e tregtisë së kufizuar të fshatarëve maqedonas

Eberhard Nembach17 Korrik 2006

Prodhuesit e shalqinjve në Maqedoni presin për globalizimin. Partia fituese e zgjedhjeve parlamentare në vend ka premtuar t'u vijë në ndihmë fshatarëve të vegjël

Fotografi: AP

Fshatarët maqedonas njihen për shalqinjtë e shijshëm që në të kaluarën nuk i shisnin vetëm brenda vendit, por edhe jashtë tij - por ajo kohë është e largët. Maqedonia ishte atëherë ende republika jugore e ish-Jugosllavisë dhe sot është vend i pavarur. Megjithatë tregtia nuk është bërë më e lehtë për republikën e vogël. Në shkëmbimin e mallrave me fqinjin e madh, Bullgarinë kandidate për anëtarësim në BE, ngrihen pengesa gjithnjë e më të larta tregtare. Prodhuesve nuk u mbetet gjë tjetër veçse t'i shesin shalqinjtë nën vlerë.

Shumë i mirë ëshë ky shalqi, thotë Kiroja, dhe e hedh në peshore - 11 kile, por ai llogarit vetëm dhjetë, bëjnë njëqind denarë, rreth 1,6 euro, gati falas. Në sheshin e parkimit të supermarkatës përballë vetëm parkimi kushton 50 denarë. Nuk është jetë kjo! - ankohet Kiroja. Me kamionin e tij të vjetër ka ardhur nga Maqedonia jugore, prej tri ditësh ai qëndron buzë rrugës kryesore mbi kamion dhe përpiqet të shesë shalqinjtë, dhe domatet - një kanistër 8 kilësh për 100 denarë. Megjithatë nuk i shet dot, ndoshta do ti duhet t'i hedhë, thotë. Edhe dy ditë do të rrijë Kiroja, ai fle mbi një dyshek sfungjeri mes shalqinjve. Në shtëpi më mbetet puna pa bërë, thotë 36 vjeçari i nxirë nga puna në fusha që në të vërtetë tregon moshë më të madhe.

"Gjysma e fshatit prodhon shalqinj." - thotë. Gjithnjë kështu ka qenë, më përpara i shisnim në tërë Jugosllavinë, deri lart në Slloveni. Kjo është ndërkohë e pavarur dhe si vend anëtar i Bashkimit Evropian e izoluar mirë kundër importeve bujqësore. Këtu nuk funksionon globalizimi, vitet e fundikt pengesat tregtare në Ballkan nuk janë pakësuar por janë shtuar, kanë lindur shtete të reja, fqinji i madh Bullgaria është vend kandidat për anëtarësim në BE dhe përkatësisht i izoluar, si edhe Greqia anëtare në BE. Fshati i Kiros gjendet në afërsi me kufirin, por për të eksportuar i duhet një firmë partnere në Greqi, thotë. Një fshatar i vogël është krejt i mbingarkuar me këtë.

Brukseli i ka shtyrë shtetet e Ballkanit të bashkohen në një zonë të tregtisë së lirë, por për shumicën e tyre pavarësia e sapofituar ka shumë rëndësi. Në zgjedhje Kiroja sapo ka votuar për opozitën konservatore, ajo u premtoi ndihmë fshatarëve të vegjël. Se ç'formë do të ketë ndihma e shpjegon Antonio Miloshoski, ideolog i "Aleancës për një Maqedoni më të mirë", fituese e gjedhjeve.

"Sipas shembullit të Australisë duam të ngremë një agjenci për eksportimin e prodhimeve agrare, por për këtë na duhet të gjejmë dy shpërndarës të mirë në Evropë."

"Shpresoj ta mbajnë premtimin," - thotë fshatari Kiro dhe i ofron një klienteje një copë shalqi. Janë vërtet të lirë, thotë ajo, kur e di se sa rëndë punojnë fshatarët - por për të blerë ajo nuk blen.

Përsëri nuk fitoi gjë për familjen në fshat. Që një ditë tre fëmijët të marrin tokën e vogël - këtë ai nuk do t'ua rekomandojë, thotë Kiroja. Të paktën jo në kushtet e sotme.