1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Shanc për dialog në Qipro

Irene Anastassopoulou16 Korrik 2007

Në zgjedhjet e reja presidenciale në Qipro kandidon edhe Dimitris Christofias, kryetari aktual i parlamentit qipriot, i cili konsiderohet edhe si kandidati me më shumë shance.

Vendkalim kufitar mes pjesës greke dhe turke të QiprosFotografi: AP

Pas shtatë muajsh, në shkurt 2008 në Qipro zhvillohen zgjedhjet e reja presidenciale. Përveç presidentit aktual Tassos Papadopoulos, i cili iu kundërvu planit të Ananit për zgjidhjen e çështjes qipriote, kandidojnë edhe politikani konservator Iannis Kassulidis, si dhe Dimitris Christofias, kryetari aktual i parlamentit qipriot.
Ky i fundit, ish-kryetar i partisë së dikurshme komuniste AKEL, konsiderohet edhe si kandidati me më shumë shance.

Dimitris Christofias i „Partisë për prosperitet të popullit punonjës“(AKEL) anagazhohet për një politikë të dialogut dhe të afrimit me krerët e pjesës turke të Qipros. Synimi i tij është t'i kapërcejë barrierat dhe dasitë përmes pajtimit. Të gjitha këto hapin mundësi dhe ofrojnë shance për ta çuar përpara çështjen qipriote që ka ngecur në vend. Ish-partia komuniste AKEL dhe në mënyrë të veçantë Christofias kanë tradicionalisht marrëdhënie të mira me krerët turq të pjesës veriore të ishullit.

Christofias i kushton rëndësi të madhe strategjisë së afrimit, të dialogut dhe të pajtimit me të gjitha strukturat në Qipro:

„Ne duhet që të hyjmë në bisedime në radhë të parë me turqit qipriotë në mënyrë që të bëjmë të qartë se zgjidhja është në interes të të gjithë qipriotëve. Partia ime dhe unë e kemi të qartë rrugën që çon në dialog. Ne duam t'i drejtohemi edhe BE-së dhe madje edhe Turqisë për të bërë të qartë se anëtarësimi i Ankarasë në BE lidhet ngushtë me procesin e demokratizimit jo vetëm në politikën e brendshme, por edhe në atë të jashtme. Turqia duhet të respektojë të drejtat e njeriut të turqve dhe të kurdve në Qirpo, sepse qeveria turke vazhdon ta mbajë pa të drejtë të pushtuar veriun e Qipros."

Christofias e quan presidentin e Republikës së qipriotëve turq Mehmet Ali Talat si një mik dhe bashkëluftëtar të vjetër dhe kërkon prej tij:

„Talati duhet ta kuptojë që Qiproja është një vend dhe jo dy vende, edhe pse Turqia po bën presion për njohjen e pjesës veriore si shtet më vete, gjë që nuk do ta arrijë. Barazia e grekëve dhe e turqve të Qipros mund të arrihet vetëm në kuadrin e një federate bi-zonale dhe bi-komunale. Unë i bëj thirrje Talatit që t'i rihyjmë pas zgjedhjeve dialogut mes Qipros dhe Turqisë, në mënyrë që të arrijmë një zgjidhje të pranueshme për të dyja komunitetet."

Dimitris Christofias gjendet përpara një hapi të vështirë në karrierën e vet politike. Së pari atij i duhet të forcojë radhët e partisë së vet, e cila është e përçarë sa i përket planit të Ananit. Dhe së dyti duhet të bindë edhe atë pjesë të popullsisë, e cila mendon se politika e dialogut dhe e pajtimit që synon Christofias mund të çojë në kompromise të gjëra në çështjen e Qipros.