1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Shanse të pakta për dakordim - Përfunduan diskutimet në Portugali

Bernd Riegert10 Shtator 2007

Ministrat e jashtëm të BE-së zhvilluan takimin dyditor jozyrtar në Viana do Castelo të Portugalisë BE nuk di rrugëdalje nga udhekryqi Kosove

Symbolbild EU Nahost Flagge und KarteFotografi: picture-alliance/ dpa/AP Graphics/DW

. Kryediplomati i BE-së Havier Solana (Javier Solana) tha, se qeveritë e BE-së mbështesin përpjekjet e trojkës së BE-së, me qëllim të shqiptarët dhe serbët të bien dakord deri në dhjetor. Por mbeti e hapur se çfarë mund të ndodhte sikur marrëveshja të mos arrihej. Të dyja palët do të zhvillojnë bisedime direkte me 28 shtator.

Shanset, që Serbia dhe shqiptarët e Kosovës të bien dakord deri me 10 dhjetor për statusin janë të pakta. Ky ishte mendimi mbizotërues i ministrave të jashtëm. Pozicionet e Serbisë, që do të japë vetëm autonomi dhe të Kosovës, që synon pavarësinë, janë shumë larg njëra tjetrës, mendon ministri i jashtëm slloven, Dimitri Rupel.

Megjithatë përfaqësuesi i BE në treshen ndërmjetësuese për Kosovën, Volgang Ishinger (Wolfgang Ischinger), konsideron, që problemi është i zgjidhshëm. "Sikur të mos kishte asnjë shans atëherë unë nuk do ta kisha pranuar mandatin për të punuar në këtë treshe."

Se cili mund të jetë kompromisi Ishinger nuk mundi t´ua thoshte të 27 ministrave të jashtëm. SHBA do ta mbështesnin edhe një pavarësi të njëanshme nga shqiptarët e Kosovës. Rusia nga ana e saj e refuzon. N.q.se përpjekja dështon, atëherë kjo do të ishte një goditje e rëndë për Ballkanin dhe politikën e jashtme evropiane, thotë ministri i jashtëm, Frank Valter Shtajnmajer (Frank-Walter Steinmeier):"E gjitha, përcaktimi i statusit të ardhshëm në Ballkan është një rrezik për sigurinë e të gjithë rajonit. Prandaj nuk duhet të lemë gjë pa bërë, për t´i afruar të dyja palët me pranë njëra-tjetrës."

Frank-Walter Steinmeier pohon që të dyja palet në tre muajt e ardhshem duhet të kuptojnë se vetëm së bashku si anëtarë të BE-së kanë një perspektivë. Ku i mbështet ministri shpresat e tij?

"Ata bazohen vetem në atë, që as Serbia dhe as Kosova nuk perfitojnë asgjë për të ardhmen, n.q.se ajo vendoset me konflikt. Prandaj ne mbështesim arsyen, që është e pranishme në të dyja palët."

Por BE-së i mungojnë në bisedime mjetet e verteta të presionit. Deklaratat e SHBAve, se do ta njohin të vetme pavarësinë e Kosovës, kur të skadojë afati i OKB-së, janë pak të vlefshme, thotë ministri i jashtëm i Luksemburgut, Zhan Aselborn (Jean Asselborn). "Deklarata të tilla nuk duhen bërë mundësisht tani, sepse bën efektin e kundert."

Në bisedimet direkte në fund të shtatorit trojka evropiane nuk do të paraqesë propozime. Ata duhet të vijnë nga serbet dhe kosovarët vetë, thotë ambasadori Volfgang Ishinger. Nuk duhet të dorëzohemi, tha ministri i jashtëm i Luksemburgut, Aselborn, edhe pse shanset janë të pakta: "Edhe sikur të jenë më pak se 10%, ne duhet të besojmë, se trojka mund të lëvizë diçka dhe ka shenja se po lëviz."

Sikur Kosova në dhjetor të shpallte e njëanshme pavarësinë, nuk është e qartë, se si do të reagojnë shtetet e BE-së. Një grup do të njihte këtë hap, një tjetër do ta refuzonte. Një përçarje e jashtme e BE-së është gjëja e fundit, që mund të na duhet, u ankua ministri i jashtëm francez, Bernard Kushner (Bernard Kouchner), që ka qenë vetë kryeadministrator i OKB-së në Kosovë. Uniteti i BE-së duhet ruajtuar gjithsesi.

BE-së i duhet Rusia jo vetëm për të zgjidhur problemin e Kosovës, por edhe për temat Iran, Lindje e Afërt dhe Kore e Veriut. Marrëdhënia me Rusinë është ftohur shumë vitet e fundit. Por komisarja e BE-së, Benita Ferrero-Valdner (Benita Ferrero-Waldner) tha se megjithatë Rusia dhe BE nuk janë të varur nga njeri-tjetri vetëm në sektorin e energjisë.

"Nga njëra anë tregtia ndermjet BE-së dhe Rusisë nuk ka qenë kurrë më e madhe se sot. Ne jemi partneri më i madh tregtar i Rusisë. Nga ana tjetri kemi pyetje që shtohen për qëndrimin e Rusisë për demokracinë, shtetin juridik dhe të drejtat e njeriut."

Dialogu me Moskën megjithatë duhet vazhduar i hapur dhe i ndershëm. Largimi më i madh duhet evituar për interesin reciprok.