1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Shavezi hakmerret në Asamblenë e Përgjithshme të OKB-së

Rainer Zytfeld19 Tetor 2006

Venezuela bllokon një vend të amerikano-latinëve në Këshillin e Sigurimit. Gara mes Venezuelës dhe Guatemalës për një vend në Këshillin e Sigurimit u ndërpre për 24 orë

Hugo Shavez, Presidenti venezuelas
Hugo Shavez, Presidenti venezuelasFotografi: AP

Përderisa as në raundin e 22-të askush nga të dyja vendet nuk mundi të fitojë shumicën e dy të tretave, vendet amerikano-latine dhe ato të Karaibeve, anëtare në OKB, ranë dakord që të vazhdojnë votimin të enjten (19.10).

Ndonëse era e ferrit ndjehet tani në protokollet e Asamblesë së Përgjithshme, në sallën e 192 shteteve mbizotëron dëshpërimi, sepse ende në selinë e lartë është shumë e pranishme fryma e atij që do ta shporrë djallin.

I paharrueshmi Hugo Shevez pak pas fjalimit të tij për djallin po inskenon një puç të dytë në bashkësinë ndërkombëtare: Venezuela insiston me të gjithë forcën e saj dhe me shumë milionat nga nafta që të afrohet sa më pranë djallit amerikan, për këtë arsye ky shtet do të zerë një vend në Këshillin e Sigurimit për vendet e Amerikës Latine dhe ato të Karaibeve. Por për t´ia arritur kësaj baballarët e Kartës së OKB-së kanë vendosur pragun e shumicës së dy të tretave, e këtë shumicë nuk po mundet ta arrijë aspiranti amerikano-jugor, për më tepër që atij po i zë rrugën favoriti tjetër me emrin Guatemalë.

E përsëri një bllof. As në raundin e 5, as në të 8-in dhe as në të 18-in Venezuela asnjëherë nuk iu afrua shumicës së dy të tretave. Gjë kjo që i dëshpëron ambasadorët në OKB, të cilët në mënyrë të pakuptimtë po vazhdojnë të demonstrojnë përçarjen e bashkësisë në një kamp të palëkundshëm mes SHBA-ve dhe Guatemalës dhe në bllokun këmbëngulës të tifozëve të Shavezit.

"Ne do të vazhdojmë votimin, Argjentina dhe Amerika Jugore duan tani që të arrijnë fitoren e Venezuelës."

Por pavarësisht nga 260 milionë dollarë naftë për autostradat në Xhamajka, apo 17 milionë dollarë për aeroportin në Antigua s´ka asnjë shenjë pozitive. Kjo edhe sepse SHBA kanë vepruar në prapaskenë, madje aq shumë, sa ambasadorit të Guatemalës i duhet të distancohet. Një afrim kaq i madh me Uashingtonin nuk është pozitiv për rezultatin:

"Ne s´kemi asnjë strategji të përbashkët. Interesat e SHBA-ve kanë të bëjnë më shumë me atë që të pengohet anëtarësimi i Venezuelës në Këshillin e Sigurimit se sa të mbështesin Guatemalën."

E kështu vazhdon rituali i votimit në ritme gjysmë orëshe, aq sa ndonjëri prej ambasadorëve në raundet e përsëritjes zëvendësohet prej ndonjë sekretari të ri, ose atasheu. Por kurrësesi këtë nuk e bën ambasadori i SHBA-ve, Xhon Bollton, i cili e ka shumë për zemër djallin dhe tregohet mjaft sportiv në maratonën e votimit:

"Ky është raundi i tretë më i gjatë, raundi i 23-të ishte i dyti për nga kohëzgjatja, mendoj se do t´ia dalim. Ajo që ndodh normalisht është, se vendi që ndodhet shumë larg shumicës më në fund tërhiqet."

Por këtë s´mund ta bëjë Venezuela. Duke i qëndruar besnik shembullit të Kubës, përfaqësuesit e Shavezit duan të strapacojnë edhe më tej nervat e bashkësisë ndërkombëtare. Kubës së Kakstros në vitin 1979 iu deshën 154 raunde votimi derisa e kuptoi që kundrejt Kolumbisë nuk ia doli të marrë shumicën e dy të tretave. Atij që i buzëqeshi fati në raundin e 155 ishte Meksika. Prej një situate të tillë janë sot shumë larg kandidatët e kompromisit të 192 vendeve me të drejtë vote. E nëse do t´i rezistojnë gjallë kësaj maratone, atëherë edhe sot ata do të votojnë.