1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

SHBA dhe Kina po tregohen të rezervuara lidhur me Iranin

dpa, AFP, Reuters
15 Maj 2026

SHBA dhe Kina po mbajnë qëndrim të rezervuar për Iranin, duke u fokusuar te stabiliteti në Gjirin Persik dhe Ngushtica e Hormuzit. Rubio kërkon presion ndaj Teheranit, ndërsa Pekini shmang angazhime konkrete.

Donald Trump dhe Xi Jinping në darkën shtetërore në Sallën e Madhe të Pallatit të Popullit
Donald Trump dhe Xi Jinping gjatë një takimi dypalëshFotografi: Mark Schiefelbein/AP Photo/picture alliance

SHBA dhe Kina vazhdojnë të mbajnë një qëndrim të kujdesshëm dhe të rezervuar lidhur me konfliktin në Iran, megjithë rëndësinë strategjike të çështjes.

Sipas njoftimeve të fundit për bisedimet mes dy palëve fokusi kryesor është stabiliteti në Gjirin Persik dhe mbajtja e hapur e Ngushticës së Hormuzit, rrugës detare me rëndësi kyçe për tregtinë mbarëbotërore.

Por nga bisedimet e delegacionit të SHBA-së dhe Kinës rreth luftës në Iran, të nisur nga SHBA dhe Izraeli janë bërë publike fare pak informacione.

Rubio kërkon nga Kina të ushtrojë presion mbi Teheranin

Sipas njoftimeve ministri i Jashtëm i SHBA-së, Marco Rubio, po përpiqet ta angazhojë Kinën, partnerin më të rëndësishëm tregtar të Iranit, që të ushtrojë ndikim mbi Teheranin për të ulur tensionet dhe për të stabilizuar situatën.

Rubio kërkon nga Kina të ushtrojë presion mbi TeheraninFotografi: Alex Brandon/AP Photo/picture alliance

"Nëse të gjitha ekonomitë në botë shemben për shkak të kësaj krize, ato do të blejnë më pak produkte kineze,” tha Rubio. "Pra është në interesin e kinezëve që kjo krizë të zgjidhet. Ne shpresojmë t'i bindim ata që të marrin një rol më aktiv në këtë çështje.” - tha Rubio.

Kina nga ana e saj po ndjek një linjë diplomatike të kujdesshme duke mbajtur një qëndrim të rezervuar, shmangur pozicionime të qarta dhe duke folur në mënyrë të përgjithshme për stabilitet dhe dialog, pa dhënë angazhime konkrete.

Kina dhe SHBA janë dakord që Ngushtica e Hormuzit duhet të mbetet e hapurFotografi: Amirhosein Khorgooi/ISNA/AP Photo/picture alliance

Gjithashtu udhëheqja kineze e mohon furnizimin me armë të Iranit, edhe pse konsiderohet e sigurt se në Iran shkojnë mallra kineze për përdorim të dyfishtë, pra produkte që mund të përdoren si për qëllime civile, ashtu edhe ushtarake.

Asnjë përpjekje konkrete drejt përfundimit të luftës

Shtëpia e Bardhë deklaroi pas negociatave të para se Kina dhe SHBA janë dakord që Ngushtica e Hormuzit duhet të mbetet e hapur, por detaje të tjera konkrete nuk u dhanë.

 

Në vend të kësaj mediat transmetuan gjatë mbrëmjes sërish pamje të bukura nga darka shtetërore.

Gjatë të premtes Xi dhe Trump do të zhvillojnë një takim dypalësh dhe do të diskutojnë mes tyre për problemet dhe konfliktet e shumta të pazgjidhura.

SHBA dhe Kina po mbajnë qëndrim të rezervuar për Iranin, duke u fokusuar te stabiliteti në Gjirin Persik dhe Ngushtica e Hormuzit. Fotografi: Alex Brandon/AFP
dpa, AFP, Reuters agjenci
Kaloje seksionin tjetër Kryeartikujt e DW

Kryeartikujt e DW

Kaloje seksionin tjetër Më shumë zhvillime nga DW