1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

SHBA thellojnë me sanksionet e reja krizën e monedhës turke

11 Gusht 2018

Turqia kritikon sanksionet e reja amerikane për çelikun e aluminin turk që importohet në SHBA. Uashingtoni synon që me doganat e larta ta detyrojë Turqinë të lirojë priftin Brunson dhe shtetas të tjerë amerikanë.

Türkei | Proteste gegen US-Sanktionen
Fotografi: picture-alliance/AA/D. Keskinkilic

Lira turke ndodhet në rënie të lirë, pasi Presidenti i SHBA Donald Trump miratoi dyfishimin e doganave për çelikun dhe aluminin turk. Monedha turke humbi për një periudhë kohe rreth një të pestën e vlerës kundrejt dollarit. Se kur do të hyjnë në fuqi sanksionet e reja amerikane, nuk është bërë e ditur.

Qeveria turke deklaroi se taksat ndëshkimore për çelikun dhe aluminin shkelin rregullat e Organizatës Botërore të Tregtisë. Pritet që të gjithë anëtarët e OBT-së t'u përmbahen marrëveshjeve ndërkombëtare, u bë e ditur.

Ndërkohë Presidenti turk Erdogan u ka bërë thirrje bashkëkombasve të tij që t'i kthejnë valutën dhe arin që kanë në monedhën vendase, për të vepruar kundër rënies së kursit të lirës. Por kjo thirrje e tij mbeti pa efekt. Rënia e lirës ka vazhduar.

Mosmarrëveshje SHBA - Turqi

Marrëdhëniet midis SHBA dhe Turqisë janë të rënduara aktualisht nga një sërë mosmarrëveshjesh, midis tyre nga arrestimi i priftit amerikan Brunson në Turqi. Uashingtoni synon që me doganat më të larta ta detyrojë Turqinë që ta lirojë priftin Brunson dhe shtetas të tjerë amerikanë.

Fotografi: Colourbox

Qeveria amerikane ka disa muaj që kërkon lirimin e klerikut evangjelist. Që prej tetorit 2016 ai ndodhet në paraburgim nën akuzën e spiunazhit dhe të mbështetjes së Partisë Punëtore Kurde (PKK), të kategorizuar si organizatë terroriste në Turqi. Turqia e akuzon Brunsonin edhe që mbështet lëvizjen Gylen. Ajo ka propozuar që prifti amerikan të këmbehet me Gylenin, i cili jeton në SHBA, por kjo është refuzuar prerë nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Zëvendëspresidenti i SHBA, Mike Pence e paralajmëroi ditët e fundit Presidentin Erdogan që të përgatitet për masat që do të vijnë, nëse nuk e liron priftin amerikan. Meqenëse lirimi nuk ndodhi, javën e kaluar Presidenti Trump vendosi sanksione kundër Ministrit turk të Brendshëm dhe atij të Drejtësisë, që shihen si përgjegjësit kryesorë për rastin e priftit Brunson.