1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

SHBA: Mungesë municionesh prej luftës me Iranin

16 Shtator 2026

Një organ i pavarur mbikëqyrës në SHBA pranon për herë të parë se lufta me Iranin ka krijuar boshllëqe në rezervat strategjike dhe vështirësi në furnizimin me municione.

Raketë Patriot
Lufta kundër Iranit ka shkaktuar mungesa në rezervat e municioneve të SHBA-sëFotografi: AFP/dpa/picture alliance

Një organ i pavarur mbikëqyrës i Ministrisë së Mbrojtjes të SHBA-së ka pranuar për herë të parë se lufta kundër Iranit ka shkaktuar mungesa në rezervat e municioneve. Në një raport drejtuar Kongresit thuhet se në disa raste ka "mungesa strategjike në rezerva dhe vështirësi në furnizimin me municione”. Megjithatë nuk jepen detaje se cilat sisteme armësh janë prekur.

Si reagim Pentagoni po punon për të përshpejtuar procedurat e prokurimit dhe ciklet e prodhimit, thuhet më tej në raport. Megjithatë, zgjerimi i kapaciteteve prodhuese kërkon "kohë të konsiderueshme përgatitore”.

Në raportin drejtuar Kongresit thuhet se ka "mungesa strategjike në rezerva dhe vështirësi në furnizimin me municione”Fotografi: Tiffany A. Emery/U.S. Air Force/Planet Pix/ZUMA/picture alliance

Raporti rendit gjithashtu kostot, humbjet dhe dëmet e shkaktuara nga lufta me Iranin. Sipas tij vetëm gjatë katër muajve të parë të operacionit u shpenzuan 33,4 miliardë dollarë amerikanë, nga të cilat 22,3 miliardë dollarë vetëm për municione.

Deri në fund të qershorit ishte konfirmuar vdekja e shtatë ushtarëve në luftime, si dhe e shtatë ushtarëve të tjerë gjatë misionit, por për shkaqe që nuk lidhen drejtpërdrejt me veprime armiqësore.

Inspektorati i Përgjithshëm i Pentagonit raporton gjithashtu se nga sulmet iraniane janë dëmtuar ose shkatërruar qindra ndërtesa dhe objekte në bazat ushtarake amerikane në rajon. Këto dëme nuk janë përfshirë në llogaritjen e kostove, pasi ende nuk është e qartë nëse të gjitha ndërtesat do të rindërtohen.

Raporti bie ndesh me deklaratat e Presidentit Trump

Ky raport bie në kundërshtim me deklaratat e përsëritura të presidentit amerikan Donald Trump, i cili i kishte minimizuar shqetësimet për mungesën e municioneve gjatë luftës me Iranin. Ai kishte deklaruar se forcat e armatosura amerikane dispononin rezerva "praktikisht të pakufizuara”.

Raporti bie në kundërshtim me deklaratat e përsëritura të presidentit amerikan Donald Trump se forcat e armatosura amerikane dispononin rezerva "praktikisht të pakufizuara”Fotografi: Artur Widak/Anadolu/picture alliance

Madje edhe të hënën, Trump shkroi në platformën e tij Truth Social se Shtetet e Bashkuara po prodhojnë më shumë armë se kurrë më parë në historinë e tyre.

Edhe Pentagoni i kishte hedhur deri tani poshtë me forcë raportet për mungesa në furnizimin me municione. Tani raporti i ri i organit të pavarur mbikëqyrës pranon për herë të parë se lufta me Iranin ka krijuar boshllëqe në rezervat strategjike dhe vështirësi në furnizimin me municione.

 

Kaloje seksionin tjetër Kryeartikujt e DW

Kryeartikujt e DW

Kaloje seksionin tjetër Më shumë zhvillime nga DW