1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

SHBA ndalojnë me veto në KS rezolutën për Gazën

R.Sütfeld14 Korrik 2006

SHBA penguan në KS të OKB-së në Nju Jork me veton e tyre një rezolutë për gjendjen në Lindjen e Mesme. Në të i kërkohej ndër të tjera Izraelit, që të tërhiqej në mënyrë të menjëhershme nga Rripi i Gazës. Sot, KS do të trajtojë sërish situatën në Lindjen e Mesme, në një debat urgjent.

Ndërtesa e Kombeve të Bashkuara në Nju Jork
Ndërtesa e Kombeve të Bashkuara në Nju JorkFotografi: AP
Përsa i përket gjendjes në Lindjen e Mesme, KS i OKB-së vazhdon të jetë i bllokuar. Kjo për arsye se ambasadori amerikan në OKB, Xhon Bolton e ndaloi rezolutën e paraqitur nga Katari për Gazën, me anë të vetos së tij ndaj shumicës së votave pro: "Në dritën e zhvillimeve në terren, SHBA besojnë se kjo rezolutë jo vetëm vjen në momentin e gabuar, por është edhe e vjetëruar. Kjo në një kohë që ne përjetuam një përshkallëzim masiv të situatës nga Hizbollatë." Veç kësaj, përmbajtja e tekstit është shumë e pabalancuar, tha përfaqësuesi i qeverisë në Uashington. Me një argumentim të ngjashëm, Danimarka, Peruja, Sllovakia dhe Britania e Madhe abstenuan, siç bëri të ditur ambasadori i Londrës Emiri Jones Perry: "Ne vërtet që i përshëndesim përpjekjet e hartuesve për të marrë parasysh disa prej rezervave tona, por megjithatë ne nuk besojmë që teksti është i barazpeshuar dhe i përgjigjet situatës komplekse." Rezoluta që dështoi tani dënonte si aksionet ushtarake të Izraelit si fuqi pushtuese, ashtu edhe goditjen me raketa në Gaza. Dokumenti kërkonte më tej lirimin e ushtarëve të rrëmbyer, por edhe lirimin e anëtarëve të arrestuar të qeverisë së Hamasve. Rezoluta nuk e quante megjithatë rrëmbimin dhe vrasjen e ushtarëve izraelitë si shkaktare të krizës aktuale, siç kishin kërkuar SHBA. Për vëzhguesin e përhershëm të Palestinës në OKB, Ryad Mansur, refuzimi i rezolutës pasqyron një dështim të bashkësisë ndërkombëtare: "Jemi thellësisht të zhgënjyer për vazhdimin e paaftësisë së Këshillit për të vepruar. Në ndërkohë, civilë të pafajshëm palestinezë vriten edhe më tej në mënyrë brutale nga trupat pushtuese izraelite. Në këtë mënyrë dërgohet sinjali i gabuar ndaj fuqisë pushtuese, ndërsa kultura e tmerrshme e mosndëshkimit nxitet edhe më tej, e cila i lejon Izraelit prej vitesh të thyejë të drejtën ndërkombëtare, pa mbajtur përgjegjësi për veprimet e tij." Ambasadori i Izraelit, Dan Gillerman u përgjegj me tone të njëjta të papajtueshme: nga Rripi i Gazës vendi i tij u tërhoq një vit më parë, nga Libani i Jugut gjashtë vjet më parë. Dhe të dyja vendet kishin pasur mundësinë për tëw vendosur për popullin e tyre ose për tërroristët: "Qeveritë vendosin që t'i bëjnë qytetarët e tyre pengje në rrugën e terrorit, shkatërrimit dhe gjakderdhjes. Izraeli nuk mundet dhe nuk do të lejojë që këto zona të kthehen në fole të terroristëve." Shkallëzimi verbal i situatës pritet të vazhdojë edhe sot në KS të OKB-së, sepse Libani ka kërkuar një mbledhje urgjente të KS të OKB-së. Sekretari i përgjithshëm i OKB-së, Kofi Anan ka dërguar ndërkohë në rajon si ndërmjetës tri prej bashkëpunëtorëve të tij më të ngushtë.