1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

SHBA njofton vrasjen e shefit të Al-Kaidës

2 Gusht 2022

Një goditje e rëndë për rrjetin terrorist: udhëheqësi i tij Aiman ​​al-Zawahiri u vra në një sulm me dron në Afganistan, njoftoi personalisht presidenti amerikan Joe Biden.

Al-Kaida-Chef Aiman al-Sawahiri
Fotografi: dpa/picture alliance

"Drejtësia ka fituar dhe ky lider terrorist është zhdukur”, tha presidenti amerikan Joe Biden në një fjalim televiziv. Operacioni i suksesshëm kundër shefit të Al-Kaidës Aiman ​​al-Zawahiri është një sinjal i qartë për të gjithë armiqtë e Shteteve të Bashkuara: "Pavarësisht se sa kohë duhet, pavarësisht se ku fshiheni: Nëse jeni një kërcënim për popullin tonë, SHBA do t'ju gjejë dhe do t'ju pamundësojë të veproni."

Sipas Biden, shërbimet sekrete amerikane e kanë zbuluar egjiptianin këtë vit. Ai ishte vendosur "në qendër të Kabulit" për të jetuar me familjen e tij. Biden tha se ai autorizoi një "goditje precize" kundër al-Zawahirit dhe dha dritën jeshile për veprim një javë më parë.

Fotografi: Jim Watson/Pool via AP/picture alliance

Sipas qeverisë amerikane, sulmi me dron ndaj al-Zawahirit ishte përgatitur për muaj të tërë. Më në fund ai u vra kur doli në ballkonin e vendstrehimit të tij në Kabul. Viktima civile nuk ka pasur.

Akuzat

Një përfaqësuese e qeverisë në Uashington theksoi se anëtarët e udhëheqjes talebane e dinin se bosi i Al-Kaidës ishte në Kabul. Kështu islamistët kishin shkelur qartë marrëveshjet me SHBA-në. Talibanët, nga ana e tyre, e dënuan sulmin dhe akuzuan Shtetet e Bashkuara për shkelje të parimeve ndërkombëtare.

Al-Zawahiri është paraqitur për herë të fundit publikisht në shtator të vitit të kaluar – saktësisht 20 vjet pas sulmeve terroriste të 11 shtatorit 2001 në Shtetet e Bashkuara. Në një video-mesazh ai u bëri thirrje mbështetësve të tij që të luftojnë shtetet në perëndim dhe aleatët e tyre në Lindjen e Mesme.

Fotografi: Al-Jazeera/APTN/picture alliance

Al-Zawahiri mori drejtimin e al-Kaidës pas vdekjes së Osama bin Ladenit, i cili u vra nga forcat speciale amerikane në Pakistan në vitin 2011. 71-vjeçari kërkohej nga autoritetet amerikane, të cilat ofronin edhe një shpërblim prej 25 milionë dollarësh për kokën e tij.

bc/wa/bru (afp, dpa, rtr)