SHBA pezullon dialogun strategjik me Kosovën
12 Shtator 2025
Shtetet e Bashkuara të Amerikës pezulluan për një kohë të pacaktuar dialogun e planifikuar strategjik me Kosovën, për shkak të siç thanë "shqetësimeve lidhur me veprimet e Qeverisë në detyrë”. Në një njoftim të lëshuar nga ambasada amerikane në Prishtinë, thuhet se "veprimet e Qeverisë së udhëhequr nga kryeministri në detyrë, Albin Kurti, kanë rritur tensionet dhe paqëndrueshmërinë, duke kufizuar aftësinë e Shteteve të Bashkuara për të punuar në mënyrë produktive me Kosovën mbi prioritetet e përbashkëta”. Kosova dhe SHBA pritej ta finalizonin dialogun strategjik këtë vit, pasi Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, pati njoftuar në janar arritjen e një marrëveshjeje mes dy vendeve për një dialog të tillë. Sipas ambasadës amerikane, dialogu strategjik ishte menduar për t'i forcuar lidhjet ekonomike dhe diplomatike në të mirë të popullit amerikan dhe atij kosovar.
"Fatkeqësisht, veprimet dhe deklaratat e fundit të kryeministrit në detyrë Kurti kanë paraqitur sfida për progresin e arritur ndër vite”, thuhet në njoftimin e ambasadës amerikane, duke shpresuar për përmirësim të këtyre raporteve me Kosovën në të ardhmen.
"Uashingtoni i zhgënjyer"
Pasojat për Kosovën dhe pezullimi i dialogut strategjik u paralajmëruan të premten paradite (12.09.), nga e ngarkuara me punë në Ambasadën amerikane në Prishtinë, Anu Prattipati, e cila pas një takimi që zhvilloi me kryeministrin në detyrë Albin Kurti, tha se "Uashingtoni është i zhgënjyer nga qëndrimet e kryeministrit në detyrë Kurti”.
"Më lejoni të jem e qartë, çdo veprim që dobëson stabilitetin politik dhe ekonomik është një sfidë serioze për partneritetin tonë”, tha Prattipati.
Vendimi i Shteteve të Bashkuara për të pezulluar dialogun strategjik me Kosovën ndodhi në ditën kur autoritetet kosovare e pezulluan punën e Fondit për Sigurim Shëndetësor dhe Fondit për Sigurim Invalidor e Pensional që funksionojnë sipas sistemit të Serbisë në Mitrovicë të Veriut. Po ashtu, një ditë më herët, autoritetet kosovare morën nën kontroll objektet e postës në Graçanicë dhe Shtërpcë, ku operonte Posta e Serbisë përmes sistemit paralel.
Pas njoftimit për pezullimin e dialogut strategjik të SHBA-së me Kosovën, qeveria e Kosovës në detyrë përmes zëdhënësit të saj, Përparim Kryeziu, tha se Kosova është mirënjohëse për kontributin e SHBA ndaj Kosovës, ndërsa shtoi se "i mirëpresim edhe kritikat, kurdo që ato janë konkrete”.
"Ne përpiqemi të përmirësojmë veprimet tona"
"Ne përpiqemi maksimalisht të përmirësojmë dhe korrigjojmë hapat e veprimet tona. Ne mbetemi të përkushtuar për të avancuar interesat e përbashkëta që ndajnë Shtetet e Bashkuara dhe populli i Kosovës”, tha zëdhënësi i qeverisë Kryeziu.
Ndërkohë pasuan edhe reagime të tjera të partive opozitare të deritashme duke e akuzuar kryeministrin në detyrë Kurti për prishje të raporteve të Kosovës me Perëndimin. Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Lumir Abdixhiku, shkroi se pezullimi i dialogut strategjik të SHBA-së me Kosovën është "momenti më i rëndë në marrëdhëniet mes dy vendeve”.
"Suspendimi i dialogut strategjik me SHBA-të paraqet pikën më të ulët të relacioneve të Kosovës me aleatin tonë strategjik dhe ekzistencial, si shtet i pavarur e sovran”, shkroi Abdixhiku, duke e akuzuar qeverinë në detyrë se "ka ndërtuar rrugëtimin e saj mbi krizën dhe përçarjen” dhe e cilësoi atë "shkatërruese të shtetit dhe shkelëse të Kushtetutës e ligjit”.
Kurti ka kritikuar Gjykatën Kushtetuese
Dialogu strategjik, të cilin SHBA-ja e pezulloi me Kosovën, është një proces që Departamenti amerikan i Shtetit në shumicën e rasteve zhvillon me vende të ndryshme të botës me synim avancimin e marrëdhënieve bilaterale. Ky proces përfshin diskutime të nivelit të lartë mes dy vendeve që zhvillohen ose në Uashington, ose në vendin përkatës, mbi një gamë të gjerë temash si mbrojtja, siguria, mjedisi, energjia, bashkëpunimi ekonomik, etj.
Në javët e fundit, kryeministri në detyrë Albin Kurti dhe zyrtarë të lartë të partisë së tij, e kanë kritikuar edhe Gjykatën Kushtetuese për siç thonë "njëanshmëri”, duke theksuar se "Gjykata Kushtetuese është e afërt me partitë shqiptare që mandatin e kaluar ishin në opozitë”. Lëvizja Vetëvendosja përmes përfaqësuesve të saj në KQZ, po ashtu, ka bërë përpjekje të pasuksesshme që t'ia ndalojë Listës Srpska pjesëmarrjen si në zgjedhjet parlamentare të shkurtit të këtij viti dhe po ashtu në ato lokale që mbahen më 12 tetor. Gjykata Kushtetuese dhe ambasadorët e vendeve të QUINT-it, por edhe Bashkimi Evropian e kanë dënuar presionin e Kurtit dhe partisë së tij ndaj Gjykatës Kushtetuese dhe sistemit të drejtësisë në tërësi.