1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Shefi i IAEA: 'logjik' një kthim i Gjermanisë te atomi

14 Nëntor 2024

Rafael Grossi pohon se “nuk e habit” që në Gjermani po debatohet sërish mundësia e rinisjes nga puna të centraleve bërthamore. Gjermania është i vetmi vend që ka braktisur plotësisht centralet e saj bërthamore.

Deutschland Atomkraftwerk Isar 2 wird abgeschaltet
Fotografi: Wolfgang Maria Weber/IMAGO

Kreu i Agjencisë Ndërkombëtare të Energjisë Atomike (IAEA) tha në një intervistë të mërkurën vonë se ishte "racionale" që Gjermania të kthehej në energjinë bërthamore edhe pse largimi i vendit përfundoi në vitin 2023.

"Mendoj se është logjike. Është një pozicion racional", deklaroi Rafael Grossi për agjencinë gjermane të lajmeve DPA, duke kujtuar se Gjermania është i vetmi vend në botë që ka eliminuar plotësisht energjinë bërthamore.

Duke folur në COP29 të Konferencës së Kombeve të Bashkuara për Klimën në Baku, Azerbajxhan, Grossi shtoi: "Duhet të pyesni veten: Pse pjesa tjetër e botës i sheh gjërat ndryshe? Unë respektoj politikën gjermane dhe ato po kalojnë një fazë shumë komplekse. Kështu që do të shohim".

Ai tha se "nuk është i befasuar" që ka një debat të ri për kthimin në energjinë bërthamore, pasi ajo nuk lëshon pothuajse asnjë gaz serrë.

"Kjo është arsyeja pse vendet që kanë energji bërthamore duan më shumë energji bërthamore," tha ai. "Shumë vende që nuk kishin energji bërthamore duan energji bërthamore."

Rinisja e debatit në Gjermani

Megjithatë, Grossi theksoi se Gjermanisë së pari do t'i duhet një vlerësim rigoroz, nëse dhe si mund të rikthehen në rrjet centralet e saj.

Javën e kaluar grupi CDU në Bundestag kritikoi koalicionin aktual të qendrës së majtë për mosndalimin e braktisjes së energjisë bërthamore në vitet 2022  dhe 2023.

Friedrich Merz dhe Markus Söder para centralit bërthamor Isar 2, 2022Fotografi: Frank Hoermann/SVEN SIMON/picture alliance

Sipas një artikulli të botuar në 2024 në Gazetën Ndërkombëtare të Energjisë së Qëndrueshme, Gjermania mund të kishte kursyer qindra miliarda euro dhe të reduktonte emetimet e saj të karbonit deri në 70%, nëse do të kishte adoptuar energjinë bërthamore në vend që ta refuzonte atë.

Pse e  eliminoi Gjermania energjinë bërthamore?

Gjermania ka pasur një lëvizje antibërthamore që kur u vu në punë termocentrali i parë komercial bërthamor i vendit në vitin 1969. Lëvizja drejtohej nga ambientalistët të shqetësuar për pasojat shkatërruese të një aksidenti të mundshëm.

Aksidentet bërthamore si Çernobili në 1986 dhe Fukushima në 2011 nxitën thirrjet për mbylljen e termocentraleve të vendit.

E përballur me kundërshtimin e fortë ndaj energjisë bërthamore pas katastrofës së vitit 2011 në Japoni, ish-kancelarja Angela Merkel filloi mbylljen e plotë të centraleve atomike në Gjermani.

Para fillimit të procesit, energjia bërthamore përbënte rreth 13.3% të energjisë së vendit.

aud (es/ dpa, DW)