Shefi i ri i UNMIK-ut, diplomati italian Lamberto Zannieri, mbërrin sot në Kosovë
20 Qershor 2008Përfaqësues të Misionit të Kombeve të Bashkuara në Kosovë, janë në pritje të arritjes në Prishtinë të shefit të ri të UNMIK-ut, diplomatit italian, Lamberto Zannieri. Shefi i deritashëm i UNMIK_ut, gjermani Joakim Rycker, do të largohet nesër nga Kosova, pas përfundimit të mandatit të tij dyvjeçar në krye të UNMIK-ut. Administrata e Kombeve të Bashkuara do të vazhdojë të qëndrojë në Kosovë nën rezolutën 1244 të KS-it, mirëpo, misioni do t'i nënshtrohet një procesi rikonfigurimi.
Autoritetet e Prishtinës, kanë pranuar që UNMIK-u të qëndrojë në Kosovë edhe për një kohë, por kanë kërkuar sqarime shtesë nga sekretari i përgjithshëm i OKB-së, Ban Ki Mun, se në cilat fusha UNMIK-u do të ketë kompetenca dhe kur do të largohet përfundimisht misioni nga Kosova. Kjo më gjasë, do të mësohet nga takimi i sotëm i KS-it, ku do të shqyrtohet në detaje raporti i sekretarit Ban Ki Mun për rikonfigurimin e UNMIK-ut.
Në letrën që dërgoi në Prishtinë, Ban Ki Muni la mundësinë që UNMIK-u, të luajë rolin e vet në vendbanimet serbe, në fushën e policisë, gjyqësisë, doganave dhe trashëgimisë kulturore e fetare. Këto përgjegjësi, sipas analistëve përputhen me kërkesën e qeverisë së Beogradit për ndarje funksionale të pushtetit në vendbanimet serbe, gjë që sipas tyre do të shënonte ndarjen etnike të rajoneve. Këtë rrezik e ndiejnë edhe përfaqësuesit e misionit të ri të BE-së në Kosovë, madje këtë shqetësim ata e kanë shprehur hapur. Por ata janë të bindur se komuniteti ndërkombëtar nuk do të lejojë kantonizimin e Kosovës, sepse sipas tyre kjo nuk i shërben ndërtimit të një shoqërie shumëetnike, synim ky i deklaruar tash e sa kohë nga komuniteti ndërkombëtar.