1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Shefi i Telekomit Gjerman nën dyshime për korrupsion

15 Shtator 2010

Prokuroria gjermane është duke hetuar kundër Telekomit Gjerman (DT) për korrupsion. Akuzat lidhen me dhënien e rryshfeteve në Mal të Zi dhe Maqedoni, për të hyrë në tregjet e atjeshme të telekomunikacionit.

Shefi i Telekomit Gjerman René Obermann
Shefi i Telekomit Gjerman René ObermannFotografi: Picture-Alliance /dpa

Hetimet për korrupsion ndaj Telekomit Gjerman (DT) janë drejtuar sipas të dhënave të koncernit edhe kundër shefit të koncernit, René Obermann. Prokuroria është duke hetuar kundër tetë personave, ndër të cilët jo të gjithë janë punonjës të Telekomit, "në bazë të një kërkese të bërë nga autoritetet amerikane për ndihmë në një proces hetimor që ka lidhje me ryshfete të dhëna në Maqedoni dhe në Mal të Zi», thuhet në një deklaratë të kryesisë së koncernit të lëshuar të martën (14.09.2010) në mbrëmje.

"Mes personave që po hetohen bën pjesë edhe kryetari i kryesisë të Telekomit Gjerman, René Obermann".

Me deklaratat e bëra koncerni konfirmoi një njoftim të gazetës gjermane «Süddeutsche Zeitung» (numri i së mërkurës 15.09.2010). Obermann i ka hedhur poshtë akuzat. "Telekomi Gjerman nuk ka lejuar korrupsionin në asnjë fushë të bashkëpunimit ndërkombëtar".

Deutsche TelekomFotografi: AP

Telekomi deklaroi shprehimisht se në asnjë fazë të hetimeve që autoritetet amerikane janë duke zhvilluar prej katër vitesh, nuk ka pasur akuza drejtuar personit të Obermann-it.

Një zëdhënës i Prokurorisë së Bonit tha të martën në mbrëmje për Agjencinë gjermane të lajmeve dpa: «Nuk është fare e qartë se kush është thirrur si i akuzuar dhe kush është thirrur si dëshmitar". Por nuk mund të përjashtohet mundësia që 'këto procese të përzihen'."

Gjatë kontrollit të dokumentave në lidhje me hetimet amerikane janë ngritur dyshime ndaj personave të ndryshëm. "Ne jemi duke parë tani nëse dyshimet mund të shfuqizohen."

Hetimet kanë të bëjnë me aktivitete të kryera në Ballkan në vitin 2005. Në qendër ndodhet firma nënkontraktuese e Deutsche Telekom-it, Telekomi Magyar, i cili ka pjesë në firmat e telekomit në Mal të Zi dhe në Maqedoni.

Sipas Telekomit, Obermann "supozohet që në kuadër të një takimi me kryetarin e Telekomit të Maqedonisë (MakTel) në vitin 2005 të ketë aprovuar pagimin e dividentëve për MakTel-in, çka ka bërë që konkurentët e tjerë të mbeten në disavantazh në liberalizimin e planifikuar të tregut maqedonas të telekomunikacionit". Banesa e shefit të Telekomit është kontrolluar më 31 gusht, bën të ditur koncerni.

Autor: dpa/ Aida Cama

Redaktoi: Vilma Filaj- Ballvora