Shefi i Zyrës Presidenciale të Ukrainës dha dorëheqjen
28 Nëntor 2025
Në Ukrainë, kreu i zyrës presidenciale, Andrij Jermak, dha dorëheqjen pas bastisjeve që hetuesit anti-korrupsion kryen në shtëpinë e tij. Jermaku ka nënshkruar një letër dorëheqjeje, sipas një njoftimi të Presidentit Volodymyr Zelenski në një videomesazh. Kreu i shtetit e falënderoi Jermakun dhe njoftoi një ristrukturim të zyrës presidenciale. "Nuk dua të ketë thashetheme apo spekulime," theksoi kreu i shtetit. Të shtunën, ai do të zhvillojë bisedime me pasardhësit e mundshëm.
Deri sa u bë e ditur dorëheqja, Zelenski kishte qëndruar i heshtur për zhvillimet e fundit në skandal. Kjo çoi të premten në kritika për mungesë vendosmërie. Ukraina është tronditur për javë me radhë nga një skandal korrupsioni që arrin në nivelet më të larta të qeverisë.
Zelenski dhe qeveria e tij nën presion
Presidenti Zelenski dhe qeveria e tij kanë qenë nën presion për shkak të akuzave për korrupsion në sektorin e energjisë. Në këtë kontekst, u shkarkuan së fundmi ministrja e Energjisë, Svitlana Hrynychuk, dhe ministri i Drejtësisë, Herman Halushchenko, i cili më parë ka udhëhequr ministrinë e Energjisë.
Në fillim të muajit, hetuesit anti-korrupsion publikuan rezultatet e një hetimi të gjerë mbi kompaninë shtetërore ukrainase të energjisë bërthamore Energoatom. Sipas deklaratave të tyre, ata zbuluan një "sistem kriminal" që kishte çuar në keqpërdorimin e 100 milionë dollarëve (rreth 86 milionë euro) në Ukrainë.
Hetimet gjithashtu zbuluan parregullsi në kontratat për mbrojtjen e rrjetit elektrik të Ukrainës, i cili është objekt i sulmeve të përsëritura ruse. Si përgjigje ndaj skandalit, Presidenti Zelenski njoftoi një ristrukturim të sektorit të energjisë së vendit. Në këtë pikë, nuk dihet nëse hetimet kundër ish-shefit të Zyrë Presidenciale, Jermak, janë të lidhura me skandalin e sektorit të energjisë.
Akuzat për korrupsion në sektorin e energjisë janë veçanërisht të ndjeshme për opinionin publik ukrainas. Për shkak të sulmeve të vazhdueshme të Rusisë ndaj infrastrukturës, ka ndërprerje të përditshme të energjisë që zgjasin disa orë. Ngrohja gjithashtu shpesh ndërpritet.
Në korrik 2025, protestat dhe kritikat ndërkombëtare e detyruan Zelenskin të rivendosë pavarësinë e dy autoriteteve kryesore anti-korrupsion të vendit. Më parë, qeveria kishte tentuar t'i kufizonte kompetencat e tyre.
Njeriu më i rëndësishëm i Zelenskit në Kiev
Andriy Jermak ka qenë një nga njerëzit më me ndikim në Ukrainë. Ai shpesh përshkruhej si "njeriu i fortë" i vendit dhe "éminence gri".
Kreu i zyrës presidenciale ishte edhe figura qendrore në negociatat e vazhdueshme me Shtetet e Bashkuara për të dhënë fund luftës agresive të Rusisë kundër Ukrainës. Presidenti Zelenski e emëroi dorën e tij të djathtë si kreun e delegacionit ukrainas pak para bisedimeve në Gjenevë fundjavën e kaluar. Kritikët në Ukrainë e akuzonin kreun e zyrës presidenciale se kishte grumbulluar shumë pushtet.
Skandali i ryshfetit jo vetëm që dobëson pozicionin e Zelenskit në negociatat aktuale për të përfunduar luftën. Lufta kundër korrupsionit dhe forcimi i sundimit të ligjit në vend janë kërkesa thelbësore për anëtarësimin e Ukrainës në Bashkimin Evropian. Ukrainasit e konsiderojnë këtë vendimtar për të ardhmen e vendit në luftën e tij kundër pushtimit rus.
aud (dpa,rtr,afp/AR)