Shefja e re e FMN-së premton më shumë ndikim për ekonomitë në zhvillim
7 Korrik 2011Në konferencën e parë për shtyp, si kryetarja e re e Fondit Monetar Ndërkombëtar, Christine Lagarde u zotua se do të impenjohet për të ndihmuar edhe më shumë ekonomitë në zhvillim, si dhe do të largojë krizën financiare nga Eurozona.
Christine Lagarde i tha reporterëve në Washington se ekonomia globale po rimëkëmbet nga kriza financiare, por rritja në vendet e zhvilluara, po shkon mirë në një kohë, që ka tregje në lulëzim, si Kina, apo India.
Për të reflektuar ndryshimet globale në ekonomi, Lagarde dha shembullin e ndryshimit në postin e kreut të FMN. “Ne kemi këto pllakëza tektonike, që po lëvizin për momentin dhe kjo duhet të reflektohet edhe në kompozimin e drejtimit të FMN, si dhe punësimin në të. Nuk do të ishte keq, nëse do të jepnim vende përfaqësimi për tregjet në lulëzim për momentin”, tha Lagarde.
Lagarde, që zëvendësoi Dominique Strauss-Kahn në këtë post, pas arrestimit të tij për ngacmime seksuale, tani përballet me shumë çështje brenda FMN-së dhe kryesorja është kriza europiane me kreditë për Irlandën, Portugalinë dhe Greqinë. Lagarde tha se bordi ekzekutiv do të rishohë situatën e Greqisë këtë fundjavë.
Autor: Aurel Borici/Agenturen
Redaktoi: Angjelina Verbica
.