1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Shembja e mureve në komunikim - Motoja e edicionit të 6-të të Poetekës

8 Tetor 2010

Një bashkëbisedim me titull ”Muret gjuhësore pas shembjes së Murit të Berlinit” nga edicioni i 6-të POETEKA, dha mesazhin e domosdoshmërisë së rritjes së komunikimit kulturor mes vendeve të Ballkanit.

Logo e Poetekës.
Logo e Poetekës.Fotografi: DW

Mure kulturorë dhe kufij fizikë ndajnë ende popujt e Ballkanit nga njëri-tjetri edhe pse ka kaluar më shumë se një dekadë qëkurse kanë të njëjtin yll polar: integrimin në BE. Poetë dhe shkrimtarë pjesëmarrës në Festivalin e 6-të Ndërkombëtar të Poezisë, POETEKA, që po zhvillohet në Tiranë bashkëbiseduan për mure të tilla, si një reflektim ndaj realiteteve të treja.

Arjan Leka, poet, Drejtor i Festivalit, thotë për DW se ky bashkëbisedim ndodh kur vendet e Ballkanit Perëndimor po diferencohen nga njëri –tjetri.

Drejtori i festivalit, Arjan Leka.Fotografi: DW

“Një pjesë e Ballkanit nuk quhet më Ballkan por quhet Europë. E kam fjalën për Bullgarinë, Rumaninë, Kroacia po bëhet gati. Kjo nuk është vetëm hyrje politike në Europë, por është edhe kulturore. Ka të ngjarë që popujt e këtyre vendeve ballkanike të vetëndihen befas europianë, ndërkohë që deri në datën 'x' të vitit 'y' ishin ballkanas, dhe ishin si ne. Rrëzohet një mur dhe ngrihet një tjetër. Në këtë festival ne duam të bisedojmë se si do të sillemi nga pikëpamja e kulturës me njëri-tjetrin. A do të vendosen superioritete, pra kultura që mendojnë se qëndrojnë më lart se të tjerat? A do të vazhdojmë të komunikojmë duke patur të njëjtën ndjesi atë të kombeve fqinjë e që e kanë të domosdoshëm komunikimin?" pyet poeti Leka.

Njohje e pakët e letërsisë dhe kulturës mes fqinjve në Ballkan

Përvojat historike kanë dëshmuar që domosdoshmëria e komunikimit kulturor mes popujve nuk zëvendësohet nga asnjë tjetër. Për fat të keq, pohuan pjesëmarrësit, muret kulturore që ekzistojnë mes vendeve të Ballkanit kanë bërë që kjo domosdoshmëri të lihet pas dore, që arti dhe letërsia e vendeve të Ballkanit të njihet pak.

Shkrimtari Erion Kristo.Fotografi: DW

Erion Kristo, shkrimtar, sjell një shembull nga realiteti i ditëve tona:

“Shqiptarët sot dinë me saktësi se më kë u martua vajza e Klintonit, çfarë dasme bëri, ku u zhvillua, dinë çfarë ndodh sot në Irak apo Afganistan, por nuk dinë se cili është një shkrimtar i madh i Serbisë, Rumanisë, Bullgarisë, Maqedonisë apo Bosnjës. Kjo është një mangësi shumë e madhe që duhet kapërcyer shumë shpejt dhe po kapërcehet. Në fund të fundit ne duam të jetojmë në paqe dhe në bashkëpunim me fqinjët tanë. Dhe këtë mund ta arrijnë nëse njohim mirë njëri-tjetrin. Kjo arrihet jo vetëm përmes turizmit por edhe letërsisë”, thotë Erion Kristo.

Shembjen e mureve mes tyre duhet ta bëjnë vetë popujt e Ballkanit

Në njohjen e ndërsjelltë, të pamjaftueshme të letërsisë dhe artit ballkanas kanë ndikuar padyshim muret gjuhësore mes vendeve. Por mure të tillë janë të domosdoshëm, theksoi përkthyesi i mirënjohur, publicisti dhe shkrimtari Edmond Tupe.

Publicisti dhe përkthyesi i njohur Edmond Tupe.Fotografi: DW

“Nëse këto mure do të zhdukeshin, atëherë të gjitha kulturat do të futeshin në një cisternë të madhe dhe ajo që do të rezultonte do të ishte krejt pashije. Mendoni, sikur në botë të flitej vetëm gjuha anglo- amerikane, sa e mërzitshme do të ishte? Jam kundër krijimit të një kulture coca- cola dhe çamçakiz. Jam që shqiptari ta shprehë në gjuhën e tij trashëgiminë e tij historike edhe në letërsi, po kështu greku, turku, serbi e të gjithë me radhë.”

Poeti i njohur nga Sllovenia Marjan Strojan, sjell në bashkëbisedim përvojën e tij nga Sarajeva, ku banojnë boshnjakë, serbë, kroatë dhe ku muret gjuhësore nënvizon ai, janë të dukshëm. Rrëzimin e tyre e sjell arsimimi i brezit të ri thekson Strojanov, brezi që mund të ndërtojë një kulturë dhe qytetërim përtej mureve gjuhësore. Strojanov thekson se këtë duhet ta bëjnë vetë popujt e Ballkanit dhe mos ta presin nga Europa. Ndërsa Arian Leka mendon se muret kulturore mes popujve të Ballkanit duhet të jenë të tejdukshëm.

“Muret kulturore duhet të jenë të pranishëm por duhet të jenë transparentë, të na lejojnë ta shohim njëri –tjetrin Muret pra, le të funksionojnë mes nesh, sepse secili duhet të thotë: Jam unë, kjo është kultura ime. Por mbi këtë është komunikimi, të fillojmë të shkojmë tek kultuara e njëri –tjetrit. Fare pak shkrimtarë shqiptarë janë përkthyer në gjuhët e Ballkanit dhe po kështu fare pak shkrimtarë të dy dekadave të fundit nga Ballkani janë përkthyer në gjuhën shqipe. Mosnjohja është baza e keqkuptimeve.”

Përpjekje për t'i bërë muret transparente

Paneli i Poetekës, në qendër shkrimtarja dhe gazetarja Lindita Arapi.Fotografi: DW

Pse ka ndodhur kështu deri më sot ? Lindita Arapi, poete, që jeton në Gjermani dhe punon në programin shqip të Dojçe Veles, e ftuar në panelin e bashkëbisedimit ”Muret gjuhësore pas shembjes së Murit të Berlinit” të POETEKA-s, mendon se ka një praktikë që vjen nga e kaluara .

“Ballkanasit kanë një problem që vjen nga e shkuara e tyre. Ata kanë komunikuar gjithmonë me vendet e mëdha, të fuqishme dhe nuk kanë dashur ta shohin fqinjin përbri. Por tani kjo ka filluar të ndryshojë. Dhe libri është mjeti më i mirë, më jetëgjatë që i shërben këtij ndryshimi, bashkëjetesës dhe bashkëpunimit mes popujve të Ballkanit,” thotë ajo.


Autore: Ani Ruci

Redaktoi: Eliana Xhani

Kaloje seksionin tjetër Kryeartikujt e DW

Kryeartikujt e DW

Kaloje seksionin tjetër Më shumë zhvillime nga DW