1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

"Shembulli i tyre ushtria private e Hitlerit" - ekstremistët e djathtë në Bullgari

Alexandër Andreev 27 Gusht 2007

Në Bullgari një e ashtuquajtur "gardë kombëtare" ka ngjallur shqetësim. Prej muajsh ekstremistët e djathtë ngjallin frikë nëpër rrugë. Prokuroria dhe kanë nisur hetimet.

Një romë bullgar në mbrojtje të familjes së tijFotografi: picture-alliance/ dpa

Prokuroria në Bullgari ka nisur hetimet kundër të vetëshapllurës "gardë kombëtare". "Garda" është themeluar prej Bojan Rasates, ish kryetari i partisë së djathtë "Unioni popullor i bullgarëve". Qëllimet e saj janë antikushtetutese, konstatoi prokuroria. Kjo pasi organizatzat, që nxisin ndjenjat etnike, fetare ose raciste dhe krijojnë struktura paraushtarake, në bazë të kushtetutës janë të ndaluara.

Planet e ekstremistëve të djathtë për të krijuar "gardën kombëtare" kanë nisur para disa vjetësh. Nuk është rastësi, që pikërisht në ditën e vdekjes së zëvendësit të Hitlerit, Rudolf Hes (Heß) kjo organizatë tërheq vëmendjen e opinionit. Trazirat në një lagje të lënë pasdore në Sofje, ku javën e shkuar skinheads-at sulmuan grupet e romëve duke nxitur përleshje në rrugë janë vetëm një shkas.

"Trupa mbrojtëse" u themelua në mars të vitit 2006 nga Bojan Rasate si krahu i zgjatur i partisë "Unioni popullor i bullgarëve". Lëvizja ekstremiste e djathtë do të krijojë një front uniteti kundër globalizimit, NATO-s dhe BE-së. Sipas të dhënave të veta, ajo do të angazhohet për mbrojtjen e interesave kombëtare bullgare dhe për bashkëpunimin me nacionalistët jashtë vendit. Si platformë politike është shpallur i ashtuquajturi "nacionalizmi socialist".

Prej muajsh të vetëquajturit "gardistë" marshojnë nëpër rrugë dhe në oborret e shkollave në Sofje. Të veshur me uniforma me këmisha bojë kafe me bratela lëkure, me çizme e berreta të zeza ata stërviten për sportet luftarake aziatike si dhe për boks. Mbrojtja "e bullgarëve pa mbështetje prej bandave të ciganëve" dhe angazhimi në "rastet e katastrofave natyrore", janë gjoja qëllimi i kësaj organizate.

Kjo pasi shteti si fuqi mbrojtëse ka dështuar, thotë Bojan Rasate:
"Sistemi i korruptuar politik vitet e fundit na ka zhveshur ne prej vetëdijes si bullgarë. Njerëzit janë të bindur, se "të vërtetat" e partive të ndryshme nuk janë gjë tjetër veçse një propagandë-gënjeshtër e madhe."

Në prag të zgjedhjeve lokale të 28 tetorit ekstremistët e djathtë në Bullgari përpiqen të përfitojnë prej pasigurisë së përhapur në popull lidhur me të ardhmen e vendit. Në këtë valë ata shfrytëzojnë si platformë për propagandën e tyre diskutimin publik lidhur me kriminalitetin e romëve.

Lidhur me këtë publicisit Georgi Papakotshev vëren: "Në këtë terren rriten trupat paraushtarake. Ata kanë si model njësinë e ndërhyrjes, ushtrinë private të Hitlerit, që u krijua në vitin 1921. Pikërisht sipas këtij shembulli ato duan që të vendosin drejtësi dhe rend në një shtetit, sipas tyre, që nuk mund të qeveriset. Ciganët, turqit e Bullgarisë, hebrejtë, por edhe bullgarët duhet të dridhen prej një dore të re të fortë. Ky është përfytyrimi i tyre."

Sipas Rasates lëvizja e tij ka marrë mbështetje prej tetë grupimeve evropiane, ndër to edhe partia nacional-demokrate në Gjermani, blloku belg "Vlaams Belang" dhe falangistët nga Spanja. "Ato e kuptojnë pozicionin tonë dhe na ftojnë ne në seminare dhe veprimtari të tjera", thekson Bojan Rasate. Nuk ka asnjë dyshim se brenda dhjetë vjetësh kur në Bullgari krahas tre milionë bullgarëve do të
jetojnë edhe tre milionë ciganë, Evropa do të na dëgjojë ne", deklaron Rasate.

Sfondi i këtyre deklaratave janë parashikimet demografike në Bullgari. Në bazë të tyre popullsia në shumicë është në pakësim të vazhdueshëm, ndërkohë që minoriteti turk dhe romë kanë rritje të vrullshme.

"Garda" tërheq vëmendjen me prezantime spektakolare. Ajo ka ngritur flamurin bullgar në majën më të lartë të vendit, në malin Musala, ka provokuar përleshje në rrugë me kundërshtarët e partisë dhe me grupime të tjera radikale dhe ka organizuar një marshim në ditën e vdekjes së fashistit me emër të viteve 40-të, gjeneralit Hristo Lukov.