1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Shenja kompromisi për zgjedhjen e presidentit në Shqipëri

Arben Muka18 Qershor 2007

Sot Partia socialiste ka bërë ftesë për negociata për zgjedhjen e presidentit. Kryeministri, Sali Berisha reagon pozitivisht.

KryeministriaFotografi: DW / Aida Cama

Zëdhënësi i Partisë Socialiste, Sajmir Tahiri, ka shprehur të hënën shqetësim për ngërçin që po karakterizon procesin e zgjedhjes së presidentit të vendit, kur ka mbetur pak kohë nga afati ligjor për votimin e kandidaturave.

Tahiri ka bërë një ftesë në emër të kryetarit socialist, Edi Rama për kryeministrin Sali Berisha për uljen në tryezë për zgjedhjen konsensuale të presidentit. Sipas Sajmir Tahirit kjo do të evitojë krizën parlamentare, zhvillimin e zgjedhjeve të parakohsme parlamentare si dhe mënjanojë pengesën e marrjes së ftesës nga Shqipëria për anëtarësimin në NATO.

I menjëhershëm ka qenë reagimi nga rradhët e mazhorancës. Kryeministri Sali Berisha njëkohësisht dhe kryetar i PD-së duke folur në mbledhjen e grupit parlamentar të demokratëve të hënën pasdite shkoi më tej në angazhimin për fillimin e negociatave duke bërë dhe publik emrat e dy negociatorëve zyrtarë të mazhorances në bisedimet me opozitën. Ata janë zëvëndëskryeministri Gazmend Oketa dhe deputeti Astrit Patozi.

Kryeministri Sali Berisha nuk fshehu preferencën e tij dhe të aleatëve për kandidaturën e numrit 2 të PD-së Bamir Topi, por siç tha ai ‘mazhoranca është e gatshme për çdo zgjidhje konsensuale për këtë çështje’. Por PS dhe partitë e tjera të grupimit opozitar janë kundër kandidaturës së Bamir Topit. Brenda të majtës duket se nuk ka mbështetje të mjaftueshme për kandidatin e vetëshpallur Fatos Nano, ish-kryetar i PS dhe ish-kryeministër në qeverisjet e majta.